Maqedoni, me unanimitet miratohet Ligji për Prokurorin Special

Në Parlamentin e Maqedonisë, me 111  vota pro ( të gjithë të pranishmit) u miratua  propozimi për zgjedhjen e Katica Janevës për prokurore speciale. Tani propozimi për Katica Janevën, do t’i jepet Këshillit të Prokurorëve Publik të Maqedonisë ku dhe ajo do të zgjidhet dhe betohet për ta marrë këtë funksion. Betimi me gjasë do të ndodh sonte vonë.

Si do të punojë Prokurori Special?
Sipas parashikimeve, puna e prokurores duhet të fillojë brenda 10 ditëve sa të konsolidohet qendra hetuese dhe ekipi të cilin ajo vet do ta përzgjedh ndërsa Këshilli i Prokurorëve vetëm i zgjedh. Ata nuk do të jenë në ndërtesën ku është e vendosur Prokuroria Themelore Publike, ndërsa për 35 ditë do të duhet t’i sigurohen mjete financiare për kryerjen e detyrës pa pengesë.

Sipas ligjit që do të jetë në fuqi 5 vitet e ardhshme, prokuroria ka afat prej 18 muajve të marrjes së lëndës të ngrejë akt-akuzën për rastet që do ti hetojë (afera me përgjimet si dhe ajo “Puç”). Ajo do të jetë e ngarkuar që t’i hulumtojë përgjimet nga viti 2008 deri në vitin 2015.
Janeva ka përparësi para prokurorit publik Marko Zvërlevski si dhe në çdo kohë dhe në çdo fazë të procedurës t’i marrë cilëndo lëndë, cilitdo prokuror të prokurorisë publike, në rast se ajo konsideron se një lëndë duhet të hapet.

Prokurorja speciale do të ketë qasje deri te të gjitha informacionet në cilëndo prej institucioneve përfshirë këtu Drejtorinë e të ardhura publike (DAP), Prokurorinë Publike si dhe Drejtorinë për Zbulim dhe kundërzbulim (DZK).

Prokurorja speciale do të kërkoj ndihmë juridike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për çështjet që janë nën kompetencë e saj në mënyrë të pavarur, në përputhshmëri me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare që janë të ratifikuara. Janeva do të vendos për buxhetin i cili për 3 muajt e ardhshëm do të sigurohet me ri-alokim nga buxheti aktual i Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa për periudhën e mëvonshme do të miratohet buxhet i posaçëm në kuadër të buxhetit për vitin 2016.

Kush është Katica Janeva?

Katica Janeva11E lindur më 09.02.1965 në Gjevgjeli, studimet i ka kryer në Fakultetin e drejtësisë në Universitetin “Kirili dhe Metodij” nga viti 1983-89 ndërsa provimin e jurispodencës e ka dhënë në vitin 1996.

Që nga viti 2003 ajo është Prokuror publik në Prokurorinë publike në Gjevgjeli. Ka qenë në disa trajnime për prokurorë në Sicili, Serbi dhe SHBA.

Sipas të dhënave nga listat anketuese të funksionarëve publik të publikuara nga ana e Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit, Janeva nga prona private posedon një veturë “Reno 5” në vlerë prej 4.000 euro dhe ka llogari në Tutunska Banka dhe Stopanska Banka.  Si pronë e prindërve të saj janë paraqitur dy shtëpi, njëra me vlerë prej 100.000 euro, ndërsa tjetra 5000, tokë të burrit të saj në vlerë prej 1.000 euro, tokë bujqësore të burrit të saj në vlerë prej 20.000 euro dhe një veturë të burrit të saj “Rover 45” në vlerë prej 20.000 euro.

Babai i saj ka qenë kryetar në Gjykatën Themelore në  Gjevgjeli. Burri i prokurores speciale ka ndërruar jetë, ndërsa dy fëmijët e saj gjenden jashtë.  Është ligjëruese në Akademinë për gjykatës dhe prokuror më Maqedonisë.

Partitë të kënaqura me përzgjedhjen e Janevës si prokurore speciale

Pas dorëzimit të propozimit në Parlament për përzgjedhjen e Katica Janevës si prokurore speciale e Maqedonisë, përfaqësuesit e katër partive politike të cilët ishin pjesëmarrëse në negociatat për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos, shprehen të kënaqur, transmeton Portalb.

Ata nuk tregojnë kush e propozoi Janevën e as sa kandidat tjerë ka pasur për këtë pozitë. Në pyetjen e Portalb, Ilija Dimovski nga VMRO konfirmoi se ka pasur edhe kandidatë të tjerë por se përzgjedhja sipas ty ka qenë “në pajtim me të gjithë pjesëmarrësit në negociata”.

“Unë nuk isha në Klubin e Deputetëve mbrëmë por ju siguroj që përzgjedhja e saj ka qenë në pajtim me të gjithë partitë politike që morëm pjesë në negociatat për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Jemi të kënaqur që është zgjedhur një person që sipas të dhënave është profesionist, ajo me hetimet e saj profesionale duhet përfundimisht tu jep fund të gjitha manipulimeve dhe rrenave që këto 8 muaj u shpërndanë në publik” tha Ilija Dimovski.

Petre Shilegov nga LSDM thotë se partia e tij përfitoi atë që kërkonte me përzgjedhjen e Prokurorit Special.

“Mund të them se  ne jemi më të kënaqurit në këtë rast sepse më në fund do të nis një proces që e kërkuam për një kohë shumë të gjatë. Normalisht që presim obstruksione nga më të ndryshmet posacërisht nga pala që nuk kishte dëshirë të zgjidhet i njëjti. Por kryesorja është që do të fillojë të punojë në mënyrë autonome dhe do të jep përgjegjësi para popullit. ”tha Shilegov.

Artan Grubi nga BDI u shpreh se partia e tij është më se e kënaqur nga përfundimi i këtij procesi me përzgjedhjen e prokurorit special.

“Përfundimisht pas insistimeve të shumta të BDI u soll një ligj me konsensus. Ligji do të miratohet me shumice të dyfishtë dhe Badenter ndërsa edhe Prokurorja do të zgjidhet me votim te dyfishtë dhe Badenter në Këshillin e Prokurorëve.” tha Grubi.

Imer Aliu nga PDSH, gjithashtu përshëndeti marrëveshjen.

“Ju përkujtoj deklaratën e Kryetarit të partisë z.Menduh Thaçi pas nënshkrimit të Marveshjes së 2 Qershorit, se nënshkrimi jonë ka ardhur si rezultat i garancave të forta ndërkombëtare se zgjedhjeve do ti qasemi me nje seriozitet shume me te madh me te vetmin qellim eleminimin e paregullsive te deritanishme sic jane vjedhja e votave si dhe falsifikimi i rezultateve.Vlersojmë se edhe kjo marëveshje për prokurorin, nuk do të ketë as një vlerë pa eleminimin e mundësisë së malipulimeve, vjedhje edhe falsifikimit të zgjedhjeve si dhe rezultatet e llojit 20.000-200, 700-2, 300-0 etj. Zgjedhje të kriminalizuara prodhojnë institucione të kriminalizuara!” tha Aliu.

Lajme të ngjashme

Back to top button