Pse nëpërkëmbet dinjiteti i njeriut?!

Është thënë se njerëzit shkruajnë më shumë nga dhimbja se sa nga dëshira për të shkruar dhe kur ke dhembje mundohesh që ta ndash me të tjerët.

Historia ka treguar se njeriut gjithmonë i është mohuar e drejta e jetës reale dhe sot, në këtë kohë pa kohë, veçmas në Ballkan, në botën arabe e gjetiu, nuk njihen vlerat e përgjithshme njerëzore, nuk njihet sistemi demokratik, as ai socialist, as ai human-shoqëror e as ai fetar dhe me plot skepsa të ndryshme, ka humbur kuptimi për vlerat e jetës së njeriut. Njeriu nuk kuptohet si vlera më absolute, që Zoti e dërgoi si përfaqësuesin e vet në tokë, por kuptohet si një material harxhimi dhe veprohet pa asnjë dhimbje shpirtërore ndaj tij.

Botë absurde! Botë e cila gjithmonë duket një mister i pashmangshëm dhe i pashpjegueshëm, që shumë pak ka ndryshuar në thelb, sa mos me thënë fare. Kësisoj, njerëzit pasurohen mbi kurriz të njëri-tjetrit, vuajnë nga çizmja e hekurt e njëri-tjetrit, krijohen klasa në bazë të “vlerave” të tyre, pushteteve të tyre, gjithashtu edhe të mashtrimeve të njëri-tjetrit, megalomanisë, snobizmit, forcës dhe assesi njeriu të ndërtoj identitetin e tij në bazë të rregullave të caktuara shoqërore, vlerave të vërteta njerëzore, humane e fetare, apo edhe të aftësive profesionale.

Sot, këtu te ne, rregulla kryesore është çrregullimi shoqëror, se vetëm përmes kësaj forme mbisundojnë të këqijtë, udhëheqin të paaftit, veprojnë lirshëm matrapazët, hajdutët, kriminelët, “politikanët”, spiunët, tradhtarët, të papunët, të paudhët, tregtarët e rrejshëm dhe mëkatarët e ndryshëm, që tregohen, gjoja se janë human e të ndershëm…

Sa i përket detyrave dhe obligimeve të shumta ndaj shoqërisë, udhëheqësit i shmangen realitetit shoqëror e njerëzor në tërësi, ku aktet e drejtësisë, jo vetëm që nuk janë të efektshme e nuk respektohen, por, here-herë veprojnë në kundërshtim me rregullat që i kanë caktuar edhe vetë ata. Gjithmonë veprohet jashtë rregullave të shkruara dhe me arshinë të ndryshëm dhe pa asnjë standard, qoftë brenda një kontinenti, shteti, komune, fshati, gjyqi dhe zyra prej zyrës tjetër ndryshon, avokati prej avokatit, gjyqtari prej gjyqtarit, pasi çdokush vepron sipas arshinit të vet dhe hapësirës së tij vepruese. Kjo nuk jep asnjë mundësi që të zhvillohet rruga e drejtë e suksesit, përmes së cilës do mundet të vijë në shprehje dinjiteti dhe identiteti njeri. Në këto rrethana, për të zgjedhur rrugën e suksesit të rrejshëm, detyrimisht duhet ta vejmë në pikëpyetje moralin dhe identitetin tonë që ndërtohet me shumë sakrificë. Për këtë duhet të bëhemi “lasë çerepi”- thotë populli, të lejojmë të shkelë çdokush mbi identitetin tonë njerëzor, të servilohemi skajshmërisht ndaj pushtuesve, apo thënë ndryshe, ndaj atyre që vet i kemi zgjedhur dhe shërbyer një jetë të tërë. Kjo është fatkeqësia e jonë, pasi kjo shoqëri hipokrite nuk të do ndryshe, veçse të mos jesh i  thelluar, të jesh i dëgjueshëm dhe të mos e bësh jetën tënde, por të bësh jetën e tjetrit.

Sot mund të arrihen të gjitha gradat e shkollimit, por më e vështira është grada e rrugës njerëzore në kuptimin e plotë të fjalës dhe të marrësh titullin NJERI. Për të ecur drejt kësaj rruge dhe të arrish  drejtë njeriut të devotshëm e të suksesshëm është shumë vështirë, pasi duhet durim i madh dhe sakrificë e tejskajshme. Më lehtë arrihet në ndonjë titull akademik, se sa në emrin e vërtetë të njeriut. Është e vështirë të ecet drejtë njerëzores, edhe pse e trasuar bindshëm nga  shumë njerëz të mençur, profetë të shumtë, filozof e dijetarë të sakrificës më sublime gjatë shekujve. Rrugë e trasuar nga njerëz me parime të larta të identitetit njerëzor, njerëz që besuan në zot, në humanizëm, në dije, në kulturë, në shkencë dhe që u mbetën besnik parimeve të qenies së tyre-njeriut.

Kuptohet se është e vështirë t’i mbetesh besnik rrugës së ndershmërisë, rrugës së njeriut me kuptim e plotë të fjalës, pasi ajo rrugë shpesh shkelet nga pushtetarët injorantë, nga rrethi  i “xhahilietit”, njerëz pa parime njerëzore, të cilët janë të unët për çdo gjë dhe nuk ngihen asnjëherë edhe pse janë më të pasurit.  Ata, sukses e dinë formën e jashtme dhe veprojnë asisoj, me bindjen që sa më shumë të shkelësh mbi të tjerët, po aq më shumë përfitosh… Këto suksese i arrijnë mbi kurriz të të tjerëve dhe dikur nga injoranca e thellë nuk njohin vëlla, motër, prind, zot, atdhe, pa e ditur se edhe ata një ditë do të ”shoqërohen“ me  krimbat! Nuk e dinë se ata lulet i ujitin me helm, pa e ditur se do ngordhin dhe assesi nuk do të vdesin njerëzisht. Ata nuk e dinë se një ditë do dalin nga ato binarë të rrejshëm dhe do përplasen keqas bashkë me “trenin” e tyre dhe sërish do përfundojnë në fund të tunelit!  Ata nuk e dinë se gjumi i tyre asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do jetë i rehatshëm! Ata nuk e dinë që herret a vonë do i mbuloje një hije e keqe nga bamat e tyre dhe se një ditë kurmi i tyre do bëhet festë e krimbave…

Kjo dukuri ballkanike duket qartë, prandaj jemi këtu ku jemi, me shtete të lodhura, plot burgje, plot vrasje të pa identifikuara, të varfër skajshmërisht, të ligë e të korruptuar dhe të izoluar tej mase nga bota e civilizuar dhe e përparuar ekonomikisht. E gjithë kjo del si rezultat e udhëheqjeve tona ballkanike, pasi udhëheqësit tanë politikë dhe institucionet e shumta veprojnë vetëm në prizmin e interesit personal dhe familjar dhe assesi për interesat e popullit dhe shoqërisë në përgjithësi. Askush nuk çanë kokën për kategoritë me skamje ekstreme, të cilët çdoherë e ndjejnë veten të rrezikuar edhe për bukën e gojës, e lëre më për standarde tjera. Kur të mençurit mundohen ta ngrenë zërin për këto fenomene të shëmtuara, atëherë rrethi injorant kurdisën shantazhe nga më të ndryshmet, me kurthe të mistershme, duke i shpifur deri në atë shkallë, saqë të nesërmen të ketë një “logjikë” shterja e tyre, gjithmonë duke i akuzuar përmes aparatit të padukshëm të pushtetit.. Ja, kështu humbet identiteti i njeriut nga njerëzit pa identitet njerëzor, por të plotfuqishëm nga pushteti i rrejshëm.

Është koha e fundit që të marrim shembullin e Evropës së përparuar, ku, njeriut, përmes sistemit shoqëror  të shtetit, i ruhet me fanatizëm identiteti njerëzor, pavarësisht se cilës kategori shoqërore i takon. Prandaj, nuk është e rastit që Ballkani dhe disa shtete tjera të botës së pazhvilluar, shpëtimin e tyre e shohin vetëm përmes azilit politik dhe ekonomik në Evropën e civilizuar, siç janë: Gjermania, Suedia, Belgjika, Danimarka, Austria e gjetiu. Këtë e bëjnë me vetëdije të plotë, se vetëm atje mundet t’u ruhet identiteti i tyre dhe morali njerëzor e familjar në përgjithësi.

Nëse ballkanasit synojnë Evropën, atëherë rruga e suksesit arrihet vetëm me punë të ndershme, si nga vetë njerëzit, ashtu edhe nga mekanizmat e shtetit. Kjo rrugë arrihet me dije, me punë dhe me vullnet të pathyeshëm në këtë drejtim, duke kërkuar qetësinë e jetës, përmes kënaqësisë së djersës, drejtësisë reale, lakmisë për jetë të bukur, krijim të familjes së shëndoshë, veçmas paqën dhe shumë të mira të tjera të shoqërisë në përgjithësi…Pra, pse njerëzimi i vendeve të pazhvilluara e kërkojnë Evropën e Bashkuar? E kërkojnë, pasi atje, nga do që të sillesh e të qëndrosh, je i qetë, askush nuk ta bën shenjën e gishtit ofendues, as të gishtit kërcënues, askush nuk vuan për gojën e bukës dhe pikërisht këtë dinjitet kërkon njeriu,  duke jetuar pa frikë e pa zori – siç thoshte Migjeni.

Nëna e të gjitha të këqijave në disa vende, veçmas në Ballkan, është sharlatanizmi politik, i cili nuk e ndjen jetën e tjetrit dhe pushtetin e llogaritën si pronë të tij absolute dhe fare nuk çanë kokën për identitetin e njeriut, pasi ai vetë është pa identitet dhe dinjitet njerëzor. Për këtë klasë politike mjafton që ata të hanë e të pinë sa të duan, të mbathen e të vishen me xhelozi para të tjerëve, të bëjnë pushime gjithandej, jo që kanë nevojë për të gjitha, por më tepër e bëjnë për snobizëm, që të kenë çka t’i tregojnë rrethit të vet injorant, të bëjnë selfie dhe të çallamosen para shtresës së njerëzve që u mungon edhe buka e gojës.

Po “zotërinj”, ju hani e pini me bollëk, visheni e ç’visheni shpesh e më shpesh, por pse nuk jeni të lumtur?!… Pse rrini gjithmonë veshpipëz?!.. pse nuk jetoni të qetë? Pse ecni me armën me veti?… pse paratë e akumuluara i largoni jashtë shtetit në drejtim të “panjohur”, pse mbaheni “melaqe” para masës? pse?!… Pse, me tëra të “mirat” jeni dhe ndjeheni të lodhur, të humbur, shpesh të nevrikosur, pse?!… Keni probleme të shumta, sepse, pas dyzet ditësh ka një forcë që i prishën “magjitë” tuaja, ngrihet fantazma e Hamletit të Parë dhe i tregon Hamletit të Dytë se babanë e tij e ka vrarë xhaxhai i tij, Klavdi. Po, ju jeni të mbuluar me fantazma, dhe kërkoni të shpëtoni vetëm përmes djallit, apo hijes së pushtetit, duke tentuar të mbështilleni me petkun e “Melekut”…Këto janë taksiratet tuaja, vetëm e vetëm se nuk keni fare dinjitet njerëzor! Vetëm se jeni fare të palexueshëm!  S’keni lexuar asnjë libër të shenjtë, prandaj s’keni mirësi ndaj perëndisë! S’keni lexuar “Krimin dhe dënimin”, apo “Idiotin” e Dostevskit, që të kuptoni veten tuaj se çfarë krimi jeni duke bërë dhe sa idiotë që jeni! Ju as “Revizorin” e Gogolit s’e keni lexuar, që të shihni se çfarë udhëheqës të rrejshëm jeni! As “Tartufin“ e Molerit, që të bindeni se sa të pafytyrë që jeni! As “Hamletin” e Shekspirit, që ta kuptosh se sa e dhimbshme është tradhtia vëllazërore! As “Ferrin” e Dantes, as “Pallatin e ëndrrave” të Kadaresë, as “Lufta dhe paqa” të Tolstoit, as… e as…e as… dhe më e keqja është se njerëzit e vuajtur  vdiqën dhe vdesin  qetësisht, pa i realizuar ëndrrat dhe  dëshirat e tyre, që ua  mundësi natyra, por ua ndaluat ju, ju “kasapët”, ju udhëheqës të Ballkanit…

Vdekja e njerëzve të mirë “s’prish” punë, pasi ata vdesin “qetas” në varrin e tyre që ua përgatitët ju. Po, që kur ishin të gjallë bënin jetën e të vdekurit dhe kështu vdiqën dhe vdesin të lodhur dhe me shpirtra  të shkrumbëzuar. Por, ata nuk vdesin me ndërgjegjeje të vrarë, sepse ata shkojnë me fytyrën  çelë para shoqërisë, kombit dhe para Perëndisë, kurse për ju s’ka vdekje! Ju do ngordhni, pasi jetuat me dinjitet të rrejshëm dhe s’keni se si t’i dilni para Zotit, pasi atje nuk vlejnë maskat. E dini që shumë njerëz vuajtën nga udhëheqja e keqe e juaja?!… Ju do jeni në fund të Ferrit! Në Lucifer, ku do të vuani dënimin bashkë me Kont Ugolinin dhe Peshkop Rixheron, ku edhe do të hani kafkën e njëri tjetrit, pasi shumë nëna qajnë prej bëmave tuaja, qajnë për djemtë e tyre, shumë gra vajtojnë për burrat e tyre, shumë njerëz i mbërrin mëngjesi në natën e gjatë pa gjumë, duke menduar për një vend pune, për një ekzistencë  të thjeshtë njerëzore, për një azil, thjeshtë për një copë bukë… Shumë fëmijë kujtojnë prindërit e tyre të mëltuar nën dhe… Pse nuk mendoni pak?!…Pse u dilni zot punëve që nuk janë për ju?! Pse kështu?!…A nuk e shihni se edhe ju nuk jeni të lumtur, edhe pse i keni të plotësuara të gjitha të mirat materiale! Atëherë pse të vuani?! Pse? A e dini pse? (Mos)dinjiteti juaj është edhe taksirati ynë. Pra, fajtori për të gjitha këto vuajtje është dinjiteti juaj i prishur, pasi ju nuk e kuptoni identitetin njeri, ju nuk i kuptoni detyrat dhe devotshmërinë që duhet ta ketë një pushtetmbajtës, ju nuk e dini se sa mundeni të shkelni  mbi sedrën e njeriut, ju nuk keni kufi se sa vidhni prej pushtetit, bashkë me ata të tjerët që ecin si palaço duke mbledhur “haraç” në popull, duke u mbështetur nën hijëzën e pushteteve tuaja “absolute” në Ballkanin e çoroditur e me plotë mëkate.

Mos harroni se absolut është vetëm një fuqi, Zoti i plotfuqishëm. Ai është dhe askush  tjetër. Nuk e di pse ua ka marrë djalli mendjet dhe u ka shndërruar në despotë?! Ju e keni marrë veten mësysh dhe kërkoni që të arrini “Fronin e Faraonit” dhe rrejshëm kërkoni të shpalleni zot i njeriut. Jo. Edhe ju jeni si të tjerët, por dalloheni  nga njerëzit tjerë me dinjitetin që s’e keni. ju jeni bërë shokë me djallin dhe iu pëlqen vendi i Faraonit. Këtë snobizëm cinik e primitiv doni ta arrini përmes mekanizmave të “padukshëm” të pushtetit, prandaj  vritni e pritni gjithandej, duke u shtirë se jeni të përjetshëm! Jo. Jo, askush nuk mbetet i përjetshëm në këtë botë, përveç veprave të mira që do lënë njerëzit  e mençur në këtë botë e që do të jenë në mbrojtje të dinjitetit dhe identitetit të njeriut.

Ju mendon se paraja është çelësi kryesor i lumturisë!. Jo. Kjo u mbyti juve! Kjo ua hëngri arsyen e mendjes në këtë botë dhe iu përcjellë keq në botën tjetër. Por, ju nuk e keni lexuar as Epikurin që të mos vuani nga kjo sëmundja e parasë. Iu ka sëmurë paraja dhe u shndërroi në egoistë  dhe nga egoizmi i tejskajshëm, arritët që rendin shoqëror ta shndërroni në despotizëm. Prandaj, ju despotët e kohës sonë, ikni nga kjo lodhje logjike e parasë. Shpëtoni nga kjo e keqe dhe bëhuni qytetarë të lirë. Vetëm atëherë do ta kuptoni peshën e jetës dhe vlerat e qenies NJERI. Epikuri thoshte se mjafton të kemi para sa për nevojat tona dhe nga momenti që insistojmë për të grumbulluar më shumë, ato fillojnë të na bëjnë të palumtur, sepse kjo gjendje na bënë të robëruar dhe na çon larg lirisë dhe larg shoqërisë. Kësisoj mundet të shpëtoni ju dhe shoqëria në përgjithësi.

Lajme të ngjashme

Back to top button