Taksistët e kanë shumë vështirë, dënime të mëdha dhe burokraci shtesë

Taksistët e qytetit të Shkupit ballafaqohen me shumë probleme. Qyteti i Shkupit nga ata kërkon mjaftë dokumente që të pajisen me licencë për të punuar si taksist, ndërkaq të gjitha këto kërkesa dhe dokumente duhet të paguhen nga xhepi i taksistëve.

“Për të marrë licencë duhet të shkojmë në ndonjë ndërmarrje për kontroll dhe regjistrim të veturave, në të cilën aty duhet ta marrim një test të ashtuquajtur B6. Ky test vërteton kontrollimin e veturave në të cilat kërkohet që duhet ta ngjyrosim veturën bardh e verdhë, të vendosen numrat e licencës në veturë, të jetë vetura me airbag, të jetë e klimatizuar, të kemi aparat fiskal. Për gjithë këto duhet të paguajmë 1800 denarë për një certifikatë, 450 denarë për kontroll dhe 1800 denarë për kalibrimin e taksi-metrit, e gjitha kjo është si pagesë shtesë vetëm për taksistët, pasi e bëjnë regjistrimin e veturës. Duke mos mjaftuar kjo, kërkohet që edhe nga Qyteti i Shkupit të nxirret një certifikatë e cila kushton 3000 denarë” thotë për Portalb taksisti Xh.B. nga Shkupi.Taksistët e Shkupit

Redaksia e Portalbit ka kontaktuar edhe me disa pronarë të ndërmarrjeve të taksive të cilët ankohen se dënimet janë shumë të mëdha, por dhe çmimet e shërbimeve nuk janë të njëjta.

“Më së shumti ballafaqohemi me problemin e dënimeve. Shumë shpesh veturat dërgohen në kontrolle teknike nga policia, ndërkaq atje për gjëra mjaft të vogla na dënojnë me dënime marramendëse. Për një rrotë apo për një dritë të prishur dënimi taksistin është 300 euro, njëkohësisht dënohet ndërmarrja 1500 euro dhe drejtori 300 euro”, thotë për Portalb, pronari i ndërmarrjes së taksive “Eurokom” Ismail Limani.

Nga ana tjetër ka reaguar edhe pronari i ndërmarrjes së taksive “Elita”, Faik Sulejmani, i cili është njëkohësisht dhe anëtar i rregullt i mbledhjeve të organizuara nga Sindikata e Taksistëve. Sipas tij, gjendja është e tmerrshme dhe vlerëson se kjo është veçmas për ata taksi kompanitë që nuk janë të afërta me pushtetin.

Taksistët e Shkupit (2)“Sindikata është dobësuar, nuk kemi aq forcë dhe për atë i bëjnë ligjet si t’u kujtohet. Firmat që prezantojnë në Sindikatën e Taksive janë të ndara në dy grupe, ata të cilët janë me pushtetin dhe ata që janë të pavarur. Kemi tentuar të bëjmë protesta, por nuk kemi gjetur mbështetje. Duhet theksuar se ka kompani të cilat janë të afërta me pushtetin dhe të njëjtat për shkak të afërsisë askush nuk i kontrollon” Faik Sulejmani për Portalb.

Redaksia e Portalbit u munda që të kontaktojë edhe me zyrtarët nga Qyteti i Shkupit, megjithatë ata ishin të pakapshëm për prononcim.

Lajme të ngjashme

Back to top button