Gjermania pret një milion refugjatë këtë vit, në Hungari kanë hyrë 5.809 brenda një dite

Të dielën në Hungari ilegalisht kanë hyrë 5.809 persona që paraqet numër rekord të refugjatëve të cilët brenda një dite kanë hyrë në këtë shtet, raporton Anadolu Agency (AA).

Që nga fillimi i krizës së refugjatëve në Hungari kanë hyrë rreth 195.000 persona. Policia hungareze ka bërë të ditur se të shtunën ilegalisht kanë hyrë 4.330 persona, ndërsa të hënën deri në orën tetë të mëngjesit edhe 3.280 të tjerë.

Autoritetet hungareze shpresojnë se do të zvogëlohet numri i refugjatëve të cilët hyjnë në vendin e tyre pasi të përfundojë ndërtimi i murit katër metra në kufi me Serbinë.

Refugjatët të cilët hyjnë në Hungari kryesisht dëshirojnë që nëpërmjet këtij vendi të arrijnë në Austri dhe Gjermani, e më pas edhe në vendet tjera të pasura të Bashkimit Evropian.

Sigmar Gabriel, zëvendës/kancelari i Gjermanisë ka thënë se pret që këtë vit në vendin e tij të hyjnë një milion refugjatë.

Gabriel në letrën, të cilën e ka dërguar deri tek Partia Socialdemokrate, mes tjerash thotë: “Të gjithë thonë se nuk do të kemi 800.000 refugjatë siç ka vlerësuar ministria kompetente, por se ajo shifër do të jetë një milion”.

Gabriel në letrën u ka bërë thirrje vendeve tjera të Evropës që të bëjnë më tepër për zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Gjermania është vendi i cili deri më tani ka pranuar më shumë refugjatë nga cili do qoftë vend tjetër evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button