Mehmeti: VMRO-DPMNE me Mijallkovin dëshiron të demonstrojë fuqi

Ermira Mehmeti, deputete nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, për Portalb ka folur rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë për procesin e zgjedhjes së prokurorit dhe reformat e mundshme brenda BDI-së.

Ajo kyçjen e Mijallkovit në bisedime 48 orë para zgjidhjes përfundimtare të problemit e ka quajtur “tendencë për demonstrim force”.

“Mund të jenë dy arsye, ose është një tendencë e VMRO-DPMNE-së për të demonstruar fuqi, një lloj superioriteti ndaj të tjerëve, ose nga ana tjetër mund të jetë një tregues se VMRO i ka qëndrimet e dobësuara në këto negociata. Duhet të pasur parasysh se gjithë kjo krizë u bë si pasojë e përgjimeve që i kishte bërë pikërisht VMRO-DPMNE, me një kontroll absolute mbi sistemin e sigurisë.

“Mendimi im personal është se kjo nuk është qasje korrekte në proces. E kuptoj edhe e di, nuk është i panjohur parimi se palët i caktojnë vet se kush do t’i përfaqësojë. Megjithatë, fakti se 48 orët e fundit në proces kyçet dikush që nuk kishte qenë i inkuadruar në proces deri më tani, dhe pikërisht figura më e përfolur në “përgjimet” më le njëfarë rezerve personale”, thotë për Portalb, Mehmeti e cila thekson se grupet punuese përballen me negociata të vështira.

Deputetja Mehmeti iu ka përgjigjur edhe pyetjes së Portalb nëse Mijallkov ka mundur të ketë impaktin e njëjtë sikur që ka pasur në disa negociata të mëparshme rreth formimit të Qeverisë me BDI-në. Ajo nuk beson se Mijallkov mund të ndikojë diçka kur si garantues është faktori ndërkombëtarë.

“Garantues kësaj radhe janë përfaqësuesit ndërkombëtarë, ambasadori europian dhe zyrtarët e ambasadës amerikane. Kjo më lenë të shpresojë se ata si arbitra do të jenë garant që marrëveshja të jetë e balancuar dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira”, shprehet Mehmeti.

Sa i përket reformave që po përfolën brenda strukturave të BDI-së, Mehmeti thotë se gjithmonë ka qenë përkrahëse e reformave dhe se BDI-së i nevojitet një reflektim i brendshëm.

“Opinioni i dinë qëndrimet e mia, për një reflektim dhe konsolidim të radhëve tona. Unë nuk dua të mbajë anë, të tingëllojë se jam në njërin apo taborin tjetër. Unë mendojë se BDI-se i duhet një proces i reflektimit të brendshëm, rivendosjen e parimeve tona bazë dhe përgjegjësive tona për një barazi të plotë dhe integrim sa më të shpejt në BE. Kriza e përgjithshme në vend ka mjegulluar përfaqësimet bazë, por BDI nuk guxon që të vihet nën hije pavarësisht interesave politike të momentit” ka thënë Mehmeti për Portalb duke shtuar se BDI-së i nevojitet një momentum i ri i reflektimit politik./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button