AAK: ​Mustafa po provon ta kthen Kosovën nën Serbi

Grupi Parlamentar i AAK-së, ka marrë qëndrim pas paralajmërimit se Kryeministri Mustafa, këtë të enjte do ta informojë Kuvendin për marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Në një komunikatë për media, ky grup thekson se dokumenti të cilin kryeministri Mustafa e solli në Kuvendin e Kosovës, sipas tij, për informatë dhe joraportim para Kuvendit, vërteton edhe njëherë përpjekjen e tij që ta përjashtojë Kuvendin dhe të mos japë llogari për firmën të cilën e vuri në një dokument, ku Kosova kthehet në varësi të Serbisë më shumë se në vitin 1974.

“ASK nuk iu jep asnjë llogari institucioneve të Kosovës, është krejt i pavarur në kuptimin ekonomik, juridik, territorial, pronësor dhe politik. Ndërlidhja e vetme dhe qasja e vetme kundruall institucioneve të Kosovës, është ndikimi që ASK ka në mbajtjen peng të Kosovës nga Serbia. Isa Mustafa ka nënshkruar që Kosova të ketë varësi më të madhe se në vitin 1974, në raport me Serbinë”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Grupi Parlamentarë i AAK-së, më tutje thekson se kryeministri Mustafa ka sjellë për informatë në Kuvend, në kundërshtim me Kushtetutën, katër marrëveshje, ku ndër të tjera, përveç ndikimit ekzekutiv në katër sferat kyçe për funksionim të shtetit, ai vuri firmën e vet për të falur Ujmanin, Trepçën dhe Brezovicën.

“Isa Mustafa në karrierën e tij politike e profesionale kurrë asgjë s’i dha Kosovës, përveç tenderëve djemve të tij, ndërkohë që në emër të Kosovës po firmosë faljen e pasurive natyrore, pa të cilat Kosova nuk do të ketë qëndrueshmëri ekonomike e politike, sot e as në të ardhmen”, thuhet më tutje në komunikatë.

AAK, vlerëson se kryeministri Mustafa ka humbur kontrollin mbi vendimet dhe veprimet e veta, e ka humbur toruan, andaj deputetët e Kuvendit të Kosovës, përtej dallimeve politike e partiake, duhet ta ndalin këtë.

Tutje thotë AAK, se ASK Kosovën po e kthen nga një shtet unik në republikë të përbërë dhe të ndarë etnikisht, ku Serbia e mban peng Kosovën dhe ka gjithmonë fjalën përfundimtare në vendimet për Kosovën.

Lajme të ngjashme

Back to top button