Teatri i Tetovës pjesë e festivalit të Korçës

Teatri i Tetovës nesër do të jetë pjesë e festivalit të Korçës së Republikës së Shqipërisë “Koko Fest”. Teatri do të prezantohet me shfaqen “Art” me autoren Yasmina Reza dhe regjisorin Qëndrim Rijani, transmeton Telegrafi.

Regjisori Qëndrim Rijani thotë se ‘vepra është punuar mbi ‘rregullat’ e teatrit të ‘varfër’ ku marrëdhënia mes publikut dhe personazheve është gati e mishëruar. Përmes dy instrumentisteve të veprës si element shtesë kemi arritur që të ndërtojmë një marrëdhënie të trefishtë të lojës në skenë, ku e gjithë përralla e veprës përçohet përmes ‘Teatrit në Teatër’. Pra të tre personazhet janë ‘kukullat’ të cilat transmetojnë tek publiku përrallën ‘ëndërr të instrumentistëve’ – shprehet regjisori Qëndrim Rijani.

Skenografia e shfaqes është përgatitur nga Petrit Bakalli, kostumet nga Edlira Qyshka dhe muzika nga Nita Reçi dhe Sara Sinani. Aktorët që luajnë janë Petrit Neziri, Arsim Fazlia dhe Adrian Aziri, transmeton Telegrafi.
‘Art’ është vepër franceze e cila u shfaq për herë të parë në vitin 1994 në “Comédie des Champs-Élysées“ në Paris. E përkthyer dhe e adaptuar në gjuhën angleze nga Christopher Hampton është shfaqur në “London West End“ në vitin 1996. ‘Art’ është luajtur në “Broadway” me aktorët Alan Alda, Victor Garber dhe Alfred Morina i cili u nominua në “Tony Award” për aktor më të mirë. ‘Art’ ka marrë çmimin “Tony” për shfaqe më të mirë dhe është shpallur si një ndër 600 shfaqet më të luajtura në po këtë teatër. Vepra sjell pikëpyetje të shumta rreth artit dhe shoqërisë në të cilën ne jetojmë, si përfaqësues të së cilës janë tre shokët: Serzhi, Marku dhe Ivani.

Lajme të ngjashme

Back to top button