BDI e gatshme për kompromis

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot në selinë e partisë ka pritur në një takim pune drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin pranë Ministrisë së Jashtme Britanike, Fiona Mciluham dhe ambasadorin Britanik në Maqedoni, Çarls Garet.

“Në takim u diskutua kryesisht për krizën aktuale poliitike në vend, zgjedhjen e Prokurorit Special, zbatimin e Marrëveshjes së 2 qershorit si dhe integrimin Euroatlantik” thuhet në njoftimin e BDI-së.

Ahmeti ka njoftuar mysafirët britanikë mbi qëndrimet e Bashkimit Demokratik për Integrim për prokurorin special dhe skandalin e përgjimeve si dhe bëri apel tek partitë e tjera pjesëmarrëse që t’i tejkalojnë sot dallimet midis tyre dhe të dakordohen bashkarisht për kornizën ligjore dhe emrin.

“BDI është e gatshme për kompromis dhe ftojmë palët që gjithashtu të përafrojnë qëndrimet sepse duhet të ruhet kredibiliteti politik i shtetit dhe të respektohen marrëveshjet e nënshkruara në praninë e autoriteteve të larta të Brukselit dhe Uashingtonit”, citohet në njoftim.

Zbatimi i marrëveshjes rikthen kredibilitetin e lëkundur të institucioneve të vendit, përforcon partneritetin me komunitetin Euroatlantilk si dhe na rikthen fuqishëm në rrugën integruese, theksohet në njoftim, duke nënvizuar se “sot është momenti i përgjegjësisë dhe i veprimit politik”.

Lajme të ngjashme

Back to top button