Dhjetë sekretet e një marrëdhënieje të gjatë dashurie

Për të pasur një jetë të shëndetshme në çift, duhet të jeni të hapur, të mos paragjykoni apo të fshihni mendimet, por mbi të gjitha duhet të punoni shumë me veten.
Dashuria vjen natyrshëm dhe furishëm te njeriu. Po çfarë dimë ne rreth marrëdhënieve me të tjerët? Nga i kemi mësuar ato që dimë? Në shtëpi? Në shkollë? Ekziston një art dhe një shkencë për ndërtimin e marrëdhënieve të forta.

Sekretet e mëposhtme të ekspertëve të fushës së dashurisë, mund t’ju hyjnë në punë edhe për marrëdhënie të tjera si miqësia, familja apo puna, nëse i modifikoni paksa.

Krijoni një mjedis të sigurt
Krijoni një mjedis të sigurt ku mund të besoni dhe të ndani haptazi mendimet tuaja pa pasur frikë. Mos ia ndërprisni fjalën partnerit apo partneres edhe nëse do t’ju duhet të vini dorën përpara gojës për të ndaluar veten. Mësoni të grindeni pa i hyrë njëri-tjetrit në hak. Mos përdorni fjalë ofenduese për t’iu drejtuar partnerit/es. Për të krijuar një mjedis të sigurt, mos përdorni kërcënime. Kërkoni falje kur të mundeni. Nëse do t’ju duhet kohë për t’u qetësuar, atëherë shkoni në një dhomë tjetër dhe qetësohuni. Mbani mend, partneri ose partnerja nuk është armiku/ja juaj.

Ndani faktet nga ndjenjat
Çfarëdo mendimesh dhe ndjenjash që t’ju nxisin gjatë zënkave, pyesni veten nëse diçka po ju influencon që ta shihni situatën ndryshe. Analizoni thellë brenda vetes nëse e keni inatin me tjetrin apo është ndonjë lloj problemi që gjendet brenda jush. Kërkoni për të vërtetën. Sapo të ndani faktet nga ndjenjat, do të arrini të zgjidhni konfliktet më me qartësi.

Lidhuni me pjesë të ndryshme të vetes
Secili prej nesh nuk është një instrument solo. Ne jemi më tepër një lloj kori ose një orkestër me disa zëra. Çfarë po ju thotë mendja? Po zemra? Dëgjoni edhe trupin dhe ndërgjegjen.

Mund të ndodhë për shembull që mendja t’ju thotë “lëreni”, ndërsa zemra se ju e doni atë. Lërini këta zëra brenda jush të bashkëjetojnë dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin. Kështu do të gjeni një përgjigje që është më e plotë.

Solidarizohuni
Praktikohuni duke vëzhguar veten dhe partnerin tuaj pa qenë paragjykues. Një pjesë e juaja mund të ketë dëshirë të mos mendojë gjatë, por juve duhet të kërkoni më shumë. Paragjykimi i mbyll dyert. E kundërta e paragjykimit është të kuptoni nga afër të tjerët dhe të solidarizoheni me ta. Kur i ndieni problemet e tjetrit si tuajat, atëherë do të jeni të hapur dhe do të mësoni më shumë për partnerin/en. Kjo do t’ju lidhë më shumë së bashku.

Jini bashkë, por edhe veç
Sekreti i një marrëdhënieje të qëndrueshme është mbështetja që i jepni njëri-tjetrit. Skuadra që formoni në raste të caktuara, por edhe privatësia, ndërsa jeni ende të lidhur. Në lidhjet ku çifti krijon varësi, kjo e çon marrëdhënien drejt një fundi të pashmangshëm. Kur jeni të ndarë dhe të lidhur, çdo “unë” kontribuon për të krijuar një “ne” që është më e fortë.

Investoni emocionalisht te vetja
Mos prisni që partneri juaj të mbushë çdo hendek emocional që keni. Në fund të fundit, ne mund të kontribuojmë vetëm për të shëruar veten. Partneri juaj mund t’ju ofrojë mbështetje dhe po kështu mund të bëni edhe ju. Është dashuria ajo që ju jep forcë të bëni disa gjëra të vështira, por dashuria nuk do t’i bëjë ato për ju.

Pranoni ndryshimet mes jush
Ndryshimet mes ju të dyve nuk janë negative. Ju nuk keni nevojë për një partner që ka të njëjtat interesa dhe pikëpamje si ju. Por ndonjëherë, frika e këtyre diferencave që mund t’ju ndajnë, ushtron mbi ju presion dhe kështu ju e nxisni tjetrin që të bëhet si ju.

Bëni pyetje
Shpesh ne krijojmë iluzione për domethënien e sjelljes së partnerit, por kjo nuk është e drejtë. Mjaft hamendësuat, pasi për një lidhje të qëndrueshme, duhet të bëni pyetje për t’i shkuar problemit deri në fund. Mos lini keqkuptime mes jush.

Gjeni kohë për lidhjen tuaj
Pavarësisht ngarkesës që mund t’ju vijë nga punët tuaja të përditshme, duhet të gjeni kohë për njeriun tuaj të zemrës, shkruan Shqip. Nuk do të kishit asnjë lumturi nëse nuk do të ishte për të. Respektoni atë që doni me gjithë zemër, duke i kushtuar atë që është flori: kohën.

Shprehini ato që ju duken të pamundura
Dashuria duhet t’ju japë forcë të shprehni ato për të cilat nuk dëshironi të bisedoni. Vetëm kështu do të lini pas të gjitha problemet pa marrë pengje me vete. Kanalizojeni energjinë tuaj drejt emocioneve pozitive.

Lajme të ngjashme

Back to top button