‘Fabrika’ e heroinës në Padova, arrestohet shqiptari

Është konsideruar si organizata kriminale që mbushte sheshet e Padovës me heroinë dhe drogëra të tjera, ndërsa policia italiane prej kohësh ishte në përpjekje të vazhdueshme për të bërë të mundur goditjen e bazës së kësaj organizate.

Kanë qenë një sërë afrikanësh, të cilët janë ndaluar si shpërndarës të lëndës së kushtueshme, por që pa mundur të shkonin te kokat e organizatës, pasi sipas policisë italiane, ata nuk ishin në dijeni të vendit ku bëhej grumbullimi dhe përpunimi i heroinës. Gjithçka ka nisur nga ndjekja e disa personave të dyshimtë dhe një javë më parë, policia ndalon një shtetas shqiptar. Në mjetin e tij u gjet gjysmë kilogrami heroinë, pjesë e sasisë së sekuestruar nga ana e policisë nëpër sheshe dhe bare të Padovës. Shqiptari vihet në pranga dhe policia i sekuestron sendet personale.

Ndër to, i gjendet edhe një çelës shtëpie. Skuadra e policisë mbërrin në apartamentin e të arrestuarit dhe aty përballet me një rafineri të vërtetë droge. Përveç një sërë të gjitha pajisjeve që duheshin për të kryer procesin e përzierjes së drogës, mësohet se policia ka sekuestruar edhe një sasi prej 30 kg heroinë dhe rreth 70 kg hashash. E gjithë lënda narkotike, sipas italianëve të hetimit vinte nga Shqipëria, ndërsa në banesën e shqiptarit, për të cilin policia italiane nuk publikon emër, gjendet edhe një bllok i vogël me numra telefonash të një sërë personash, bllok që pritet të fundosë të gjithë personat që rezultojnë të jenë të zotët e atyre numrave telefonikë.

Policia

Janë qindra e mijëra euro drogë e sekuestruar në apartamentin e shqiptarit, ndërsa pritet që në pranga të bien të gjithë bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri dhe në Itali. Kështu është shprehur ditën e djeshme, përgjegjësi i skuadrës së anti- drogës në Padova, teksa ka raportuar edhe shifrat dhe të dhënat e operacionit, ndoshta më të madhit të këtij viti në atë qytet. Sipas të dhënave të bëra publike për mediat vendase, mësohet se në ambientet e brendshme të banesës u gjetën dhe u sekuestruan 11.5 kg heroinë e paketuar dhe ë bërë gati për tu hedhur në treg. Gjithashtu është zbuluar edhe një tjetër sasi prej 30 kg heroinë, e cila sipas ekspertëve ende nuk ishte e bërë gati për shpërndarje, njofton Shekulli.al

Në njërën dhomë të apartamentit është sekuestruar një sasi prej 62 kg të llojit kanabis sativa, ndërsa në garazhin që i përkiste të njëjtit apartament, policia kishte zbuluar 70 pako, të llojit marijuanë, e gatshme për t`u hedhur në treg. Ndërsa policia ka sekuestruar gjithë materialet që shërbenin për të presuar, përzier dhe paketuar lëndën narkotike. Policia ka publikuar foton e shqiptarit që ishte i zoti i apartamentit, i cili u arrestua disa ditë më parë, po për shkak të sekretit hetimor nuk ka bërë publik emrin. Në reagim zyrtar të tyre saktësohet se kokat e kësaj organizate janë shtetas shqiptar, të cilët lëndën e sjellin nga Shqipëria dhe nëpërmjet saj, ndërsa për të kryer shpërndarjen në të gjithë qytetin e Padovës përdorin shtetas nigerian. Hetimet do të shtrihen edhe në vendin tonë, për të bërë të mundur kapjen e bashkëpunëtorëve të të arrestuarit të tyre.

“Çokollatë” drejt Greqisë, pranga 4 fierakëve

Krimet e Rënda godasin në rrugë e sipër një grup ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ndërhyrja ka ndodhur në rrugën e Kakavijës, pak para se mjeti me pesë persona të hynte në Gjirokastër. Janë arrestuar 4 prej tyre ndërsa i pesti është mundur të largohet, por për t`u shpallur në kërkim, pasi policia e Fierit që ka kryer operacionin ka patur të gjithë emrat e të përfshirëve në këtë grup, të gatshëm nga përgjimet e aktivitetit të të hetuarve. Janë sekuestruar 1 kg lëndë narkotike hashash në formë çokollate, një automjet i tipit Skoda Oktavia, 5 aparate celularë dhe një sasi monetare prej 675 eurosh dhe 210 mijë lekësh.

Janë arrestuar Nardi Meçaj, 28 vjeç, banues në Cakran të Fierit; Gazmend Seati, 23 vjeç, banues në Kasnicë të Patosit; Oriol Begaj, 33 vjeç, banues në lagjen “Kastriot” të Fierit; Haxhi Beraj, 34 vjeç e banues në Patos; të gjithë të arrestuar tashmë, ndërkohë që është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e Florian Hysajt, 23 vjeç, banues po në Cakran të Fierit. Sipas hetimeve të kryera deri më tani, ky grup kriminal grumbullonte lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, kryesisht në formë çokollate, të ndara në sasira të vogla 1-3 kg dhe më pas e transportonte atë drejt Greqisë sipas porosive të personave të ndryshëm shqiptarë, të cilët banojnë në shtetin fqinj.

Lajme të ngjashme

Back to top button