ANALIZË: (Mos)suksesi i investimeve!

Gjysmëvjetori i parë ekonomik i këtij viti përfundoi me saldo të investimeve të huaja prej rreth 122 milionë eurosh. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, investimet janë zvogëluar. Në ndërkohë, prej fillimit të këtij viti, qeveria mori vendime për ndarjen e ndihmës shtetërore për katër kompani të huaja. Largimi i “Xhonson Kontrolls”-it të mëparshëm e hapi çështjen se a largohen kompanitë e huaja nga Maqedonia pasi t’i shfrytëzojnë favoret që u ofrohen nga qeveria?

Beneficione të mëdha – rezultate të panjohura?

Investimi i fundit i huaj që e promovoi qeveria është ai i kompanisë italiane Diatek, e cila e hapi fabrikën “Makdia” në zonën Bunarxhik 1 në Shkup. Për këtë firmë që duhet të hapë 200 vende të reja pune, tashmë ka vendim qeveritar për ndarjen e ndihmës shtetërore. Në fakt, qeveria solli vendim për ndarjen e ndihmës që para pesë muajsh. Marrëveshja është diskrete, thuhet se “Makdia” do të marrë para për krijimin e vendeve të punës, lirime tatimore dhe doganore, para për ndërtimin e objektit ndërtimor, mirëpo nuk përmendet shuma. Edhe pse në promovimin e repartit të ri prodhues mori pjesë pothuajse i gjithë ekipi ekonomik i qeverisë, megjithatë kishte përmbajtje në lidhje me lajmin se nga Maqedonia largohet njëri nga investitorët e parë, “Xhonson Kontrolls”-i i mëparshëm.

Të dhënat më të reja të Bankës Popullore tregojnë se edhe gjatë gjysmëvjetorit të parë ekonomik, në krahasim me atë të vitit të kaluar, ka rezultate më të dobëta në aspekt të investimeve të drejtpërdrejta. Në fakt, deri në përfundim të qershorit, saldoja e investimeve të huaja ishte 121,3 milionë euro, që është për 34 milionë euro më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas një pjese të biznesmenëve që i konsultoi “Portalb”-i  këto tregues janë të pritur, veçanërisht nëse merret parasysh klima politike në Maqedoni.

“Gjendja në skenën politike nuk është optimiste. Kriza politike mori hov, ndërsa përfundimi është i paqartë dhe e gjithë kjo ndikon mbi aktivitetet investuese. Askush nuk dëshiron t’i investojë paratë, ose së paku abstenon nga investimi në këtë periudhë, mu për shkak të gjendjes politike”, komentojnë afaristët për “Portalb”-in.

Një pjesë prej tyre iu drejtuan qeverisë me kërkesë që të ndërpritet modeli aktual i favorozimit të kompanive të huaja, në llogari të atyre vendore.

“Patjetër duhet të ketë trajtim të njëjtë të kompanive vendore dhe atyre të huaja. Kjo do të thotë se qeveria do t’u kushtojë kohë të barabartë tërheqjes edhe të kompanive vendore edhe atyre të huaja dhe se të gjithë do të fitojnë favore të njëjta për hapjen e fabrikave ose bizneseve të reja. Еkonomia do të jetë më e shëndoshë nëse sigurojmë numër më të vogël të punëtorëve të rinj në numër sa më të madh të kompanive vendore. Për shembull, 10 punësime shtesë në 1.000 firma është shumë më e dobishme për Maqedoninë sesa hapja e dy fabrikave me 5.000 të punësuar”, thotë biznesmeni Venko Gligorov nga Partia Liberale.

Për qëndrimin “diskriminues”, një kohë të gjatë alarmojnë edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

“Çdo investim i huaj në vendin tonë është i mirëseardhur, për shkak se, përveç që sjellin kapital, ato me vete bartin edhe dije dhe teknologji që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë. Gjithsesi, që të funksionojë një shtet demokratik, element më i rëndësishëm është transparenca, e cila në këtë rast mungon, për shkak se qeveria një gjë promovon e diçka tjetër punon. Edhe pa këto “financime diskrete”, sektori privat i vendit diskriminohet me numrin shumë të madh të lehtësimeve që u jepen investitorëve të huaj, mirëpo kjo gjendje me subvencionimin e kompanive të huaja vazhdon”, deklaroi para do kohësh për Portalb-in, kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Ndaj këtyre kërkesave të komunitetit afarist, kryeministri Nikolla Gruevski u përgjigj se të gjithë biznesmenët janë të barabartë para ligjit, dhe se afaristët e vendit duhet të kërkojnë ndihmë nga qeveria.

“Do të thoja se më tepër jemi të fokusuar te kompanitë vendore, mirëpo fitohet një përshtypje tjetër për shkak se shkojmë jashtë që të bëjmë promovim. Në vend nuk ka nevojë që të shkojmë prej fabrike në fabrikë që të bëjmë promovim për shkak se kompanitë vendore i takojmë për çdo ditë nëpër odat ekonomike, ata e shohin nëpër media gjithë punën e qeverisë, gjegjësisht të gjitha masat e reja dhe e dijnë këtë. Ndërsa në Amerikë, Holandë, Gjermani, Angli, nuk munden që nëpërmjet mediave tona të informohen për punët më të reja që i bëjmë dhe është normale që në shtetet e tyre të bëjmë prezantime”, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski.

Sipas vlerësimeve të qeverisë, në shtatë muajt e parë të këtij viti, kompanitë e huaja nga ato vendore kanë blerë mallra dhe shërbime në vlerë prej 24 milionë eurosh, që është më shumë se sa projektimi qeveritar, sipas të cilit, vlera e këtij efekti duhet të jetë 30 milionë euro për gjithë vitin.

Saldo më e lartë e investimeve të huaja prej pothuajse 507 milionë eurosh është matur në vitin 2007, kur investimet kanë arritur vlerën prej 8,3% të PBB-së. Prej atëherë e deri tani ka rënie të vazhdueshme. Kështu, në vitin 2009 dhe 2010 ato kanë qenë rreth 2% e PBB-së. Rritje të vogël ka në vitin 2011, kur ato kanë qenë 4,6% e PBB-së, e pastaj përsëri ka rënie në saldon e investimeve të huaja prej 117,3 milionë eurosh ose 1,5% e PBB-së. Gjatë dy viteve të ardhshme, 2013 dhe 2014, investimet rrotullohen rreth 3,3% e PBB-së.

Investimet u analizuan edhe në raportin e fundit të FMN-së, ku vlerësohet se pritet të investimet e drejtpërdrejta të huaja të hapin mijëra vende të reja të punës, por edhe se të gjitha projektimet janë të kushtëzuara nga kriza politike dhe zgjidhja e saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button