Interi sundues në derbin e Milanos

Fredy Guarin është ai njeriu i derbit të Milanos. Kolumbiani vulosi ndeshjen me një gol të realizuar në minutën e 58, duke e ngjitur Interin të vetëm në krye të renditjes së Serisë A me 9 pikë të plota. Ndërsa Milani, i drejtuar nga serbi Mihajlovic, ka marrë një tjetër humbje duke mbetur në kuotën e 3 pikëve.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja ekipet, ndryshe nga ndeshjet e fundit që dy skuadrat e Milanos kanë zhvilluar. Ishin lojtarët e Milanit ata që kërcënuan seriozisht portën e Interit. Braziliani Adriano pati dy raste të pastra për shënim. Ai u gjend i vetëm para portierit Handanovic, por vonoi të godiste në të dyja rastet dhe kolumbiani Murrillo arriti të shmangte rrezikun.

Edhe Interi nuk qëndroi prapa. Në minutën e 25-t, Guarin pati një mundësi të mirë për të goditur, por gjuajtja e tij ishte e dobët.

Adriano dukej në një formë të mirë, por mbrojtësi kolumbian i Interit ishte fantastik duke e ndalur thuajse në të gjitha daljet e tij.

Në minutën e 39-të, Juvetic për pak sa nuk gjeti portën, por për fatin e portierit Lopez topi përfundoi ngjitur me shtyllën. Ndërsa në minutën e parë dhe të vetme shtesë të pjesës së parë, malazezi dhuroi një asist për Icardi-n, i cili gaboi i gjendur i vetëm përball portierit. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Ishte minuta e 55-t, kur Guarin godet vetëm 5 metra larg nga porta, por sërish Lopez largon në goditje nga këndi. Vetëm 3 minuta më vonë, në të 58-ën, Guarin zhbllokoi sfidën, me një gol fantastik. Ai shquhet për potencën në goditje, por këtë herë ka treguar se nuk i mungon dhe teknika, nga rreth 25 metra lëshoi një goditje të pakapshme për portierin spanjoll të Milanit.

Tre minuta më vonë në San Siro, mes fishkëllimave, është rikthyer Mario Balotelli, i cili është futur në fushën lojës duke zëvendësuar kolumbianin Bacca.

Milani u hodh në sulm për të gjetur golin e barazimit dhe thuajse në të gjitha tentativat e kuqezinjve për të gjetur portën ishte Balotelli nismëtari. Ai goditi edhe shtyllën në minutën e 78, ndërsa dy minuta më vonë ishte Handanovic që ndali 25-vjeçarin. Edhe pse kryesori i takimit akordoi 5 minuta shtesë, Milani ishte i pafuqishëm të gjente golin e barazimit, duke koleksionuar një tjetër humbje në derbi.

Në fund, Interi arriti ta fitojë këtë ndeshje, ndërsa qytetit iu rikthye derbi…

Lajme të ngjashme

Back to top button