100 pikturat e Ramës në Mynih

Që prej të premtes, galeria e artit “Kampl Gallery”, në Mynih, ka zgjedhur të ekspozojë mbi 100 piktura të kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare i është prezantuar publikut gjerman në një tjetër dimension të tij: atë të artistit. Pas ekspozitës në Berlin, pikturat e Ramës qëndrojnë të ekspozuara në Munih, ku ai ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes.

Pjesë e ceremonisë kanë qenë edhe artistë, gazetarë, kritikë arti, koleksionistë, por edhe politikanë, gjatë diskutimit me të cilët, Rama ka folur për rrugëtimin e tij paralel si politikan dhe si artist. Politika dhe shërimi i plagëve ekonomike dhe sociale përmes së bukurës që lanë shenjë fillimisht në kryeqytetin e Shqipërisë ishin një pjesë e interesit dhe pyetjeve të të ftuarve për kryeministrin Rama.

“Në Tiranë ishte një moment shumë fantastik, sepse ishte gjithçka për t’u bërë nga e para. Situatat e vështira janë shumë interesante, sepse të krijojnë kushtet të bësh diferencë. Por nuk ishte një operacion artistik, ishte thjesht një operacion politik, po me ngjyra, jo me fjalë”, është shprehur Rama lidhur me periudhën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Momente që kanë shënjuar karrierën politike, por edhe mënyra tepër e veçantë e krijimit të pikturave të kryeministrit të Shqipërisë ofruan një atmosferë bisede të lirshme, jo vetëm mbi pikturat, por edhe për hapat kryesorë të Ramës si politikan nga vitet ’90 deri më sot.

Duke u ndalur te piktura, Rama ka shpjeguar se ajo është pjesë e tavolinës së tij të punës dhe procesi i krijimit është i pavarur nga procesi i mendimit.

Një nga kuratorët e ekspozitës, në përfundim të kësaj bisede, e mbylli me urimin: “Vazhdoni të punoni si Kryeministër, po ashtu siç keni punuar si kryetar bashkie, në mënyrë që njerëzit të mund ta ndërtojnë jetën e tyre private me momente lumturie. Ne personalisht, ju urojmë dhe dëshirojmë që në ardhmen t’ju përshëndesim si anëtarë të Bashkimit Europian.”

Rama 2

Ramaa 1 Ramaa

Lajme të ngjashme

Back to top button