Trajanov kërkon hetim në Maqedoni për rastin “Magjar Telekom”

Pavle Trajanov, ish ministri i Punëve të Brendshme, e vlerëson të besueshme dëshminë e Sllobodan Bogoevskit, për Gjykatën Amerikane dhe insiston që rasti të hetohet edhe në Maqedoni.

Në një intervistë për NovaTV, Trajanov vlerëson se ajo që është publikuar nga dëshmia e Bogoevskit, është një porosi e fortë për të gjitha partitë, LSDM, BDI, por edhe VMRO-DPMNE.

“Sepse këtu dyshohen njerëzit më të lartë të partisë. Ali Ahmeti në këtë rast për herë të parë është i involvuar drejtpërdrejtë. Për ne është e rëndësishme të hapet një hetim, nuk ka ikje. Kur vendimi të publikohet, ne si shtet e kemi për detyrë që ta zbatojmë procedurën dhe të shohim se në çfarë mase, kush, sa është përgjegjës dhe të dimensionohet faji i secilit”, ka thënë Trajanov.

Me rëndësi është që Gjykata e Qarkut të New York-ut, ka sjellë vendim për pranimin e dëshmisë së Sllobodan Bogoevskit si relevante, sepse ajo dëshmi patjetër duhet të shikohet në korrelacion të dëshmive të përgjithshme të cilat janë mbledhur rreth rastit “Magjar Telekom”.

“Kjo nënkupton që dëshmia e tij, tregimi i tij është i mbështetur në dëshmi-materiale tjera relevante, dokumente, biseda nga sistemet e përgjimit, e-mail komunikimet, tjera biseda dhe raporte auditive. Të gjitha këto, Gjykata i ka vlerësuar dhe ka sjellë vendim që dëshmia e tij është relevante dhe e pranojnë si të tillë. Gjykata ka mundur ta hedhë poshtë si jorelevante dhe jo të mbështetur në fakte-materiale, që tani të shfrytëzohet në procedurë dhe të jetë një ndër faktet kryesore në sjelljen e vendimit final. Aq sa e di juria do të duhet të shpjegohet së shpejti dhe të sjellë vendimin përfundimtar.

Sipas tij, në kohën kur ka ndodhur afera, ka pasur informata se shumica e dokumentacioneve janë dorëzuar në Prokurorinë Publike, por edhe te gazeta “Veçer”, e cila i ka publikuar një pjesë të dokumenteve, deri te OJQ Transparenca, e cila ka iniciuar disa aktivitete, ndërkaq raporti auditiv është dorëzuar edhe në Qeveri.

“Të gjitha këto fakte i ka pasur në dispozicion prokurori publik, por pasi që të gjitha nuk kanë qenë të nënshkruara, sipas të gjitha gjasave nuk u ka kushtuar vëmendje, por as nuk ka kërkuar që të zgjerohet hetimi nëpërmjet dëgjimit të dëshmitarëve apo sigurimit të fakteve-materiale tjera. Këtu për mua me rëndësi është se kush ka qenë ai që ka bërë trysni që të bllokohen të gjitha institucionet, për të mos punuar me dokumentet që të zbardhen keqpërdorimet eventuale”, ka thënë Pavle Trajanov.

Ai thotë që kryeministri Nikolla Gruevski, në njëfarë mënyrë ka qenë i informuar.

“Po, për një pjesë të rastit si dokumentacion të mundshëm, por plotësisht për rastin unë nuk e kam informuar, sepse nuk kam pasur informata për atë”, ka shtuar Trajanov.

Trajanov thotë që Bogoevski atij i ka dorëzuar dokumente, që sipas tij kanë arritur në shumë adresa.

Lajme të ngjashme

Back to top button