Rruga e gjatë e refugjatëve, nga Maqedonia kalojnë në Preshevë dhe vazhdojnë drejt Evropës

Refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore nga Greqia hyjnë në territorin e Maqedonisë, të cilin e përdorin si rrugë transitore për në Serbi, ku nëpërmjet Kumanovës kalojnë në Preshevë, vazhdojnë drejt Beogradit dhe më tej në vendet e Evropës Perëndimore.

Ekipi i Anadolu Agency (AA) ka vëzhguar situatën e refugjatëve në Preshevë, ku në orët e pasdites së djeshme në qendrën e pranimit mbi dy mijë refugjatë ishin në pritje për vërtetime, ndërsa jo më shumë se 10 kilometra larg qytetit të Preshevës, në fshatin Miratoc në afërsi të kufirit serbo-maqedonas vazhdimisht arrinin grupe të reja të refugjatëve, të cilët priteshin nga policë dhe aktivistë të organizatave humanitare.

Refugjatët që kalonin kufirin në fshatin Miratoc priteshin nga më shumë se dhjetë aktivistë të organizatave humanitare, prej të cilëve ishte edhe koordinatori i Zyrës për të rinj në Preshevë, Agon Ajeti. Ai tha se për çdo ditë me fillim nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 10:00 të mbrëmjes, aktivistë të ndarë në dy grupe përpiqen të ndihmojnë refugjatët që vijnë nga Maqedonia, ndërsa në vijim bëri të ditur se ata merren me organizimin e transportit nga fshati Miratoc deri në qendrën e pranimit, shpenzimet e të cilës mbulohen nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).

“Çdo ditë kalojnë mbi 3 mijë persona, por ka edhe ditë rekorde ku kalojnë mbi 10 mijë persona. Nuk arrijmë të gjithë t’i transportojmë, por një numër i madh i tyre shkojnë në këmbë ndërsa të tjerët, duke filluar nga familjet me gra dhe fëmijë, përpiqemi dhe kemi prioritet për t’i transportuar”, deklaroi Ajeti.

Stina e dimrit po afrohet, ndërsa fluksi i refugjatëve vazhdon të rritet. Ajeti shprehu bindje se janë të përgatitur të ballafaqohen me këtë fluks edhe gjatë stinës së dimrit, pasi që siç tha ai, kanë krijuar kontakte me shumë organizata humanitare të rajonit, të cilët do të zhvillojnë disa aktivitete me vendet e tyre, me qëllim që të dilet në ndihmë të refugjatë në Preshevë.

Përpos aktivistëve të organizatave humanitare, refugjatët ndihmoheshin edhe nga qytetarët e Preshevës. Ata thonë se nuk mund të kalojnë rrugën, duke vërejtur mijëra refugjatë që kanë nevojë për ndihmë dhe të sillen sikurse nuk ndodh gjë. Njëri nga ata ishte edhe Abdyli nga Presheva, i cili kalon çdo ditë rrugën ku ndodhet qendra e pranimit dhe përpiqet që sado pak të ndihmojë refugjatët me ujë apo ushqim.

“Situata po shihet vet, është një katastrofë. Ne i shohim çdo ditë dhe na dhimbsen, sepse edhe vet e kemi përjetuar të njëjtën. Mundohemi t’ i ndihmojmë, por është e kot, numri është shumë i madh, mirëpo nuk mundemi të kalojmë pa mos iu dhënë diçka”, u shpreh Abdyli.

Poashtu edhe në fshatin Miratoc ndodheshin një numër i madh i refugjatëve, të cilët ishin në pritje të autobusit për tu transportuar në qendrën e pranimit. Në mesin e tyre ishte edhe 19 vjeçari Milat-i nga Afganistani bashkë me familjen e tij. Ata shpjegonin për rrugën e vështirë dhe konfliktet e armatosura në Afganistan, por nuk lanë pa përmendur edhe të ardhmen e tyre në Evropë, në një vend të sigurtë ku do të gjejnë një strehë për të jetuar bashkërisht në paqe dhe të lumtur.

“Udhëtimi im filloi një muaj më parë. Kaluam nëpërmjet Iranit, Turqisë, Greqisë, Maqedonisë, dhe ja, sot jemi në Serbi. Në Iran ishte e tmerrshme, qeveria gjuajti pas nesh në kufi, tezja ime tani ndodhet në spital për shkak se u qëllua në këmbë dhe nuk mundi të kalojë kufirin nga Irani, ndërsa në Greqi jemi trajtuar si kafshë”, tha Milat-i, dhe shtoi se në Serbi, ndryshe nga vendet tjera, janë trajtuar si njerëz normal.

Milat-i duke folur për jetën dhe ëndrrat e tij në Evropë, theksoi se dëshira e tij është për tu bërë një aktor profesionist. Ai kujton ditën kur mori pjesë në një dokumentar në Afganistan dhe beson se do të ketë sukses në atë që dëshiron.

“Kam parë shumë filma. Heroi im është Alpachino, do të doja një ditë të jem si ai. Jam duke shkuar në Gjermani dhe besoj se një ditë do të realizojë ëndrrën time. Për shkak të mënyrës së jetës dhe kulturës në Afganistan babai nuk dëshironte të merrem me aktrim”, u shpreh Malit-i.

Në pritje të lejes për të vazhduar udhëtimin ishte edhe Selih-ja nga Siria, e cila dëshironte të përfundonte udhëtimin e saj të shpresës në Holandë. “Jam larguar nga vendi im për shkak të luftës që ndodh atje. Dua të shkoj në Holandë, ai është një vend i bukur ku ekziston paqja. Dëshiroj të ndalet lufta dhe të kthehem përsëri në vendin tim. Dua një jetë të re në të cilën nuk do të ketë vend për luftë”, tha Selih-ja.

Nga ana tjetër e rrugës, poashtu edhe Jasin-i nga Palestina i nervozuar dhe me fëmijën e tij në krah ishte në pritje të vërtetimit. Ai duke theksuar se në pritje ndodhet prej një natë më parë, shtoi se nuk është e nevojshme që refugjatët të vonohen aq shumë për tu kryer regjistrimi.

“Unë jam këtu që mbrëmë, tërë natën kaluam këtu, dhe ja edhe sot. Imagjinoni, ka vetëm dy të punësuar që regjistrojnë refugjatët dhe ne këtu jemi më shumë se dy mijë persona. Ka shumë fëmijë, gra… është shumë e vështirë për të mbijetuar këtu. Dëshiroj të shkoj në Gjermani apo diku tjetër, sepse në vendin tim ka një luftë të madhe. Kam fëmijë dhe jam në kërkim të një jete më të mirë”, tha Jasin-i.

Lajme të ngjashme

Back to top button