11 të arrestuar gjatë një javë në Shqipëri për vjedhje të energjisë elektrike

Në të gjithë Shqipërinë ka vijuar edhe gjatë javës së fundit puna e përbashkët e Policisë  së Shtetit dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për evidentimin e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë bërë të ditur se si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 43 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 43 autorë. Nga këta, gjatë një jave janë arrestuar në flagrancë 11 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 16 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 16 të tjerë.

Gjatë periudhës 06-13 shtator në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 90 grupe të përbashkëta  Polici-OSHEE, ku janë kryer kontrolle të përbashkëta në 4.869 raste. Po gjatë kësaj periudhe  janë ndërprerë 2.123 lidhje të abonentëve debitorë dhe 43 lidhje të paligjshme.

Operacioni për evidentimin e shkeljeve në rastin e energjisë elektrike ka filluar që në tetor të vitit 2014 dhe vazhdon pa ndërprerje.

Lajme të ngjashme

Back to top button