Sulmet nga terrorizmi, Shqipëria do të blejë raketa me rreze 70 km

Hartimi i Planit 2016-2025 është bërë duke u bazuar në këto pritshmëri: Situata globale dhe rajonale e sigurisë nuk do të ndryshojë në mënyrë radikale në periudhën 2016-2025; Personeli i Forcave të Armatosura (FA) nuk do të ndryshojë në termat sasiorë (8500 vetë), por do të ketë përmirësim në cilësi.

Përdorimi i burimeve të mbrojtjes në FA do të bëhet në mënyrë të balancuar ndërmjet tri kategorive kryesore të shpenzimeve (për personelin, për operacionet dhe mirëmbajtjen, si dhe për investimet), prej të cilit deri në 20% mund të shpenzohet për investime dhe pajisje e armatim;

Brenda dhjetë vjetësh, Shqipëria do të blejë raketa tokë-det. Investimi i Ministrisë së Mbrojtjes sipas “Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura” parashikon investime në infrastrukturë në mbrojtjen ndaj një sulmi apo kërcënimi terrorist. Drafti i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes ka mbërritur në Parlament, e për shkak të pamundësive financiare, do të kërkohet ndihma e NATO-s.

“Kapacitetet që u nevojiten FA, realizimi i të cilave është i pamundur në afatin e 10 viteve të ardhshme. Këto kapacitete janë identifikuar gjatë vlerësimit dhe është analizuar fizibiliteti i tyre gjatë programimit, të tilla si sistemet dhe platformat e lëshimit të raketave me një rreze deri në 70 kilometra dhe sistemet e raketave tokë-det të nevojshme për shkatërrimin e objektivave detarë sipërfaqësorë etj. Zhvillimi i kapaciteteve të tilla mund të konsiderohet pas 2025 ose në rast se disa nga projektet në zhvillim do të kenë kosto konsiderueshëm më të ulët sesa buxheti i planifikuar fillimisht”- thuhet në projekt-planin ushtarak.

Por këto objektiva vijnë në një kohë që Ministria deklaron se po hasen probleme me mbrojtjen kombëtare dhe investimet për këtë sektor mund të realizohen vetëm falë bashkëpunimit me NATO-n. “Kapacitetet janë të nevojshme për mbrojtjen kombëtare, por janë shumë të kushtueshme për vendin tonë dhe mund të arrihen vetëm në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët. Në rastin e FA-ve, kapacitete të tilla janë, për shembull, mbrojtja raketore, avionët luftarakë, helikopterë sulmi e transporti strategjik etj.”- thekson Ministria. Në Planin Afatgjatë të Zhvillimit të FA-ve, rëndësi e veçantë i kushtohet zhvillimit të burimeve njerëzore. Sipas Draftit, numri i personelit të FA do të jetë 8500 vetë dhe deri në vitin 2025 nuk parashikohet të ketë ndryshime. Ministria deklaron se përmirësimi i kapaciteteve në personel do të realizohet nëpërmjet transformimit të sistemit të automatizuar të menaxhimit të personelit, si dhe programeve, politikave dhe procedurave.

Personeli i FA do të zhvillohet sipas kategorive: Personeli oficer, sipas nevojave dhe planeve në përputhje me kërkesat e funksioneve organike, specialitetin, gradën dhe funksionin. Ky proces do të mbajë në konsideratë arsimimin, kualifikimin dhe trajnimin e oficerëve brenda dhe jashtë vendit; Personeli nënoficer, do të jetë produkt i përzgjedhjes së elementëve më të mirë të personelit ushtar/detar i cili do të vijojë kualifikimin dhe arsimimin e mëtejshëm të tyre në institucionet arsimore ushtarake brenda dhe jashtë; Personeli ushtar/detar, nëpërmjet një procesi të përshkallëzuar rekrutimi, stërvitjeje dhe trajnimi duke u fokusuar në plotësimin e strukturave prioritare; Personeli civil, nëpërmjet sistemit të rekrutimit, arsimimit dhe trajtimit duke mbajtur parasysh kualifikimet arsimore në përputhje me funksionet organike.

Ndarja në këto kategori i është referuar disa modeleve të një numri vendesh anëtare të NATO-s, si dhe rekomandimeve të RSM, duke synuar një ulje graduale të shpenzimeve të personelit, në mënyrë që pas vitit 2025 të arrijë në 35% të buxhetit të mbrojtjes nga rreth 48% që është aktualisht. Shpenzimet në zërin “operacione dhe mirëmbajtje” do të tentojnë një ulje graduale, duke synuar që pas vitit 2025 të arrijnë shifrat 35% nga 38.6% që është aktualisht. Në periudhën 2016-2025 do të synohet që shpenzimet për investime dhe pajisje-armatim të kenë rritje të vijueshme duke synuar arritjen e nivelit 30% të buxhetit të mbrojtjes, nga 14% që është aktualisht. Burimet materiale të FA-ve do të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve për jetesë, stërvitje dhe operacione të efektivave dhe do të konsistojnë në afrimin e mbështetjes me shërbime fushore, furnizime, transport dhe mirëmbajtje.

“Për shkak të kostos së lartë financiare, mbështetja e FA-ve në operacione do të sigurohet me marrëveshje me shtetet e tjera pjesëmarrëse në operacionet e përbashkëta ose me agjencitë e mbështetjes të NATO-s”- thuhet në draft-planin strategjik ushtarak.

Mbështetja me burime financiare e PAZHFA 2016-2025 do t’u referohet të dhënave makroekonomike të Ministrisë së Financave me një tendencë rritje të zhvillimit të ekonomisë me ritme konstante. Mbajtja e një inflacioni të kontrolluar në nivel mesatar do të çojë në një rritje të buxhetit të Mbrojtjes, duke ruajtur vlerat 1% të GDP për vitet 2016-2018. Bazuar në dokumentin e Strategjisë Ushtarake, buxheti i mbrojtjes do të rritet gradualisht, duke arritur në 2% të GDP-së, në vitin 2025, me qëllim përshpejtimin e procesit të zhvillimit të forcës së ardhshme

Lajme të ngjashme

Back to top button