Ali Ahmeti, përfundoi vizitën zyrtare në Hagë të Holandës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përfundoi  vizitën zyrtare në Hagë të Holandës me një vizitë në Parlamentin Holandez.
Në takimin me komisionin parlamentar për çështje të Bashkimit Evropian, Kryetari Ahmeti u takua me deputet holandez, përfaqësues të të gjitha partive parlamentare holandeze.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari Ahmeti edhe njëherë iu falënderua Holandës për të gjitha të arriturat e përbashkëta gjatë miratimit të Marrëveshjes së Ohrit si dhe në vitet e zbatimit të saj drejt ndërtimit të paqes së qëndrueshme dhe marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Kryetari Ahmeti theksoi ndryshimet në interpretime  midis partive politike maqedonase dhe ato shqiptare për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në përputhje me kushtetutën e vendit dhe Marrëveshjen e Ohrit, por shprehu bindjen që kjo çështje do të tejkalohet me mirëkuptim.
Kryesisht, para deputetëve holandez, Kryetari Ahmeti foli rreth nevojës për zgjidhjen e çështjes së emrit me ç ‘rast përshëndeti qëndrimet e Ministrit të Jashtëm Holandez Timmermans për të ndërmarr hapa konkrete në drejtim të vendosjes së dialogut të mirëfilltë midis Maqedonisë dhe Greqisë me lehtësim ndërkombëtar.

Deputetët, përveq çështjes së emrit, shprehën interesim edhe për realizimin e reformave në Maqedoni, në veçanti për sundimin e të drejtës, lirinë e mediave, dialogun politik, regjistrimin e popullatës, por edhe për marrëdhëniet midis dy komuniteteve më të mëdha. Zv. Kryeministri Besimi elaboroi përpjekjet vendore për ti realizuar këto reforma dhe për të vendosur dialog konstruktiv me gazetarët rreth ligjit për media.

Nga Haga, delegacioni i BDI u rikthye në Bruksel, ku sot, më 9 tetor, Kryetari Ahmeti do të zhvillojë takime në Shërbimin e Jashtëm dhe të Sigurisë të BE, në Ambasadën e Gjermanisë në NATO, me qendrën Diplomatët e Pavarur si dhe do të takohet me Drejtorin e sapoemëruar të BE për Zgjërim, Kristian Denielson.

Lajme të ngjashme

Back to top button