Procesi i vështirë i reformave në BDI

Zërat për reforma të brendshme në BDI, Portalb ka provuar t’i vërtetojë nëpërmes politikanëve që në opinion njihen si ideatorë të ndryshimeve kadrovike në BDI.  Zylfi Adili dhe Hazbi Lika, së fundmi, janë përmendur si iniciatorë të reformave në BDI. Si që dihet publikisht, reformat i pari kishte nisur Xhemail Rexhepi, i njohur në opinion me nofkën e luftës si komandant Shqiponja, qysh në janar të këtij vitit. Mirëpo, ky i fundit pësoi tragjikisht pas iniciativës për reforma brenda këtij subjekti.

Zylfi Adili, deputet nga radhët e BDI-së, për Portalb konfirmon se iniciativa për reforma brenda BDI-së daton nga viti 2008 dhe se këto tentative kanë hasur në vështirësi nga struktura e vjetër.

“Ideja për ndryshime konceptuale, ndryshime kadrovike ka filluar moti, por jemi duke e parë se është një punë shumë e rëndë. Për arsye se njerëzit që janë momentalisht në krye të partisë nuk i pranojnë këto sende”, thotë për Portalb, Adili.

Në pyetjen e Portalb se vallë prezenca e tij në ceremoninë përkujtimore të komandant Shqiponjës është dëshmi se ai ka përkrahur iniciativën e Shqiponjës, Adili thotë po.

“Sigurisht, e kam përkrahur këtë ide. Kjo ide ka filluar qysh nga viti 2008. Është absurd që BDI del dhe fiton 153 mijë vota më një koncept të barazisë qytetare ose të marrjes shtetit në kuptim real dhe më në fund të mos bëjë asnjë hap në këtë drejtim”, thekson Adili.

Se sa mund të kenë sukses idetë për reforma Zylfi Adili thotë se koha do të dëshmon më së miri.

Portalb ka kontaktuar edhe me deputetin Hazbi Lika, por ky i fundit thotë që nuk di asgjë në lidhje me këtë temë.

“Nuk di asgjë, folet për reforma, reforma s’ka. Nuk dua të flas më shumë për këtë temë në media se pastaj mi zgjasin muhabetet”, deklaron Lika.

Nga ana tjetër Qahil Rexhepi, vëllai i Komandant Shqiponjës, shprehet se Shqiponja ka gëzuar përkrahjen e reformatorëve që po përmenden në BDI, por vetëm privatisht, ata nuk kanë dalë publikisht t’i japin mbështetje Shqiponjës.

“Hazbi Lika i ka thënë Shqiponjës se s’mund ta përkrahë zyrtarisht sepse nëse ai e përkrahë zyrtarisht mund vetëm ta dëmtojë, ndërkaq ‘përkrahjen time e ke, une jam me ty’- i ka thënë Lika Shqiponjës- ky muhabet ka mbetur mes tyre. Zylfi Adili ka qenë edhe në varrim. Hazbi Lika, “Mësuesi” edhe Fatmir Dehari kanë tentuar me ardhur për ngushllime, por ne s’i kemi lejuar të vijnë si trupë e BDI-së. Kam dëgjuar se duan të bëjnë reforma brenda BDI-së, por nuk e di çka të them, ata asnjëherë s’kanë dalë me thënë fjalë të mira për Kumanovën apo Shqiponjën – me thënë se ky njeri si komandant i luftës meriton me qenë kryetar i degës së Kumanovës dhe se ka përkrahjen e të tjerëve” rrëfen për Portalb Rexhepi, duke shtuar se politika për familjen Rexhepi ka vdekur.

Ndryshe, shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri të shtunën mbajti mbledhje me kryetarët e degëve të partisë. Kjo bëhet e ditur përmes një komunikate të kësaj partie ku siç thuhet, në këtë mbledhje, “u diskutua për themelimin e Shtabeve komunale dhe atyre lokale të BDI-së, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të muajit prill të vitit të ardhshëm”.

“Mbledhja kaloi në një atmosferë mjaft konstruktive, me çka në periudhën në vazhdim do të merren të gjitha hapat e nevojshëm për realizimin e planit operativ të Shtabit në mënyrë që të kemi një fushatë të suksesshme parazgjedhore, për të pasur edhe rezultatin e pritur pozitiv ditën e zgjedhjeve. Me këtë rast, Shtabi Qendror Zgjedhor i BDI-së, i bën thirrje anëtarësisë dhe gjithë opinionit shqiptar, që të mos bien pre e shpifjeve dhe konstruksioneve qëllimkëqija të cilat gjithmonë janë dëshmuar se kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në dëm të kauzës kombëtare shqiptare.” thotë BDI në kumtesën e lëshuar pas mbledhjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button