Njihuni me Sali Berishën… që “çuditërisht” e duan të gjithë

Ky është Sali Berisha, por jo i biri i Ram Berishës nga Tropoja; nuk është ish-president dhe ish-kryeministër, por prapë është Sali Berisha.

I ka 80 vite, ka plot shtatë fëmijë dhe ndjehet mjaft i lumtur me emrin e tij, ndonëse gjendjen ekonomike nuk e ka të atillë siç i do i shkonte këtij emri.

Pra, është fjala për një Sali Berishë tjetër, e që është nga Mamurrasi, aty ku Berisha politikan duhet fort.

Në vitin 1996, ka ndodhur që Sali Berisha-president të takohet me adashin e tij të dyfishtë, që ndryshe nga ai, nuk kishte veshur ndonjëherë bluzë të bardhë e te merrej me zemrat e njerëzve, por ishte veshur me kombinoshe tërë njolla vaji e graso, pasi ishte marrë me “zemrat” dhe “trupat” e automjeteve si ish-punonjës në Parkun e Mallrave të Laçit.

“Unë i jam prezantuar ish-presidentit të Republikës, Sali Berisha, duke i thënë: edhe unë jam Sali Berisha, por jam nga Mamurrasi, ndaj ne dy Berishët do të bëjmë historinë”, thotë Sala i Mamurrasit.

Sipas tij, nuk i është besuar ish-presidentit të asokohe, Sali Berishës, se na qenka dhe një tjetër emër si ky, por jo me sozinë e tij.

“Ndonëse jam punëtor, jam demokrat i flaktë si tërë mamurrzakët e tjerë” -i është përgjigjur Berishës së Vuçidolit, Berisha i Mamurrasit.

“Unë jam Sali Berisha i Mamurrasit dhe ti ai tropojani që po drejtoni vendin, ndaj duam të qeverisim mirë nën siglën e PD-së”, citon sërish veten Sala 80-vjeçar, kur i është drejtuar Salës famëmadh në politikën shqiptare.

Dhe teksa e pyet sot 80-vjeçarin nga Mamurrasi i cili jeton në një shtëpi përdhese njëkatëshe dhe me boll probleme ekonomike, nëse i qëndron sërish fanatik liderit të qeverisë së mëparshme, këtij Sali Berishës që sot ndodhet në opozitë, ai thotë se po.

“Me Edi Ramën nuk më lidh asgjë dhe nuk e dua si kryeministër”, deklarohet politikisht Berisha i Mamurrasit, sipas së cilit, edhe nëse Rama mund të qeverisë shumë më mirë nga adashi i tij i dyfishtë, Sali Berisha, ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dashuria politike ndaj Salës së Tropojës me banim në Tiranë.

Tërë banorët e Mamurrasit e duan njeriun e mirë Sali Berisha; dhe jo vetëm nga emri, por dhe nga cilësitë pozitive që ai posedon si individ.

Sakaq, dhe bashkëshortja e tij Zylfia tregon për vështirësitë të cilat ka kapërcyer 80-vjeçari që sot jeton me një pension pleqërie me 142 mijë lekë të vjetra nga punët e rënda që ai ka kryer tërë jetës së tij.

“Jam krenare për respektin që mamurrzakët ruajnë për bashkëshortin tim, Sali Berisha nga Mamurrasi”, thotë Zyfia, që nuk ka se si të quhet Liri, pasi ndryshe vetëm një “Guines” i rastësisë i priste dy çiftet.

Lajme të ngjashme

Back to top button