Rita Ora: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të sjellë më shumë mundësi për të rinjtë e Kosovës

Këngëtarja shqiptaro-britanike me famë botërore e lindur në Kosovë, Rita Ora, në artikullin e shkruar për revistën franceze “La Lettre Diplomatique” ka dhënë mbështetjen e saj të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Kështu, Rita Ora i është bashkuar aksionit të artistëve të famshëm botëror, me prejardhje shqiptare dhe nga Kosova, në përkrahje të pranimit të Kosovës në UNESCO, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jam një vajzë tipike nga Londra. Jam një yll i popit. Jam refugjate. Në të vërtetë jam një bebe refugjate. Si fëmijë jam rritur në një banesë me një dhomë të cilën e kam ndarë me prindërit e mi dhe motrën më të madhe. Nga dritarja kam mundur të shoh Varrezat Brompton. Ishte e frikshme. Nuk e di se çka ishte më e frikshme – varrezat apo të qenit refugjat…” e fillon Rita Ora artikullin e saj në “La Lettre Diplomatique”.

Më tej, ajo rrëfen se si prindërit e saj, si refugjatë, u larguan nga Kosova në kërkim të një jete më të sigurt. Këngëtarja e famshme botërore e përshkruan faktin se, të qenit e etiketuar si “refugjate” e ka dalluar thellësisht nga tjerët por, fatmirësisht, ajo ka një zë i cili në kuptim të plotë të fjalës e ka bërë të famshme.

Tani, si Rita Ora të cilën e njeh e tërë bota, ajo thekson se, është e privilegjuar që mund ta përdorë zërin e saj në emër të drejtave të refugjatëve, por edhe për paqe dhe siguri në botë.

Ajo insiston se njerëzit e suksesshëm dhe të famshëm, nuk duhet të harrojnë mundësitë që i kanë dhe i fton t’i përdorin ato për qëllime të mira sepse, si thotë ajo “madje edhe më të mirët prej neve, në një vend të shkatërruar nga lufta, do të ishin këmbëzbathur pranë një vije kufitare, të zënë duke u munduar të mbijetojnë.”

Prandaj, Rita Ora përkrah përpjekjet e autoriteteve të vendlindjes së saj, Kosovës, për t’u anëtarësuar në të gjitha forumet multilaterale botërore, duke përfshirë edhe UNESCO-n. Sipas saj, në këtë mënyrë, populli dhe rinia e Kosovës do të kanë qasje në më shumë mundësi për sukses, si dhe të drejtat e tyre do të mbrohen më mirë.

“Është e rëndësishme për Kosovën që të mbështetet në rrugën e saj drejt integrimit. Kjo nënkupton aftësinë e komunitetit ndërkombëtar për njohjen e përpjekjes, mbështetjes së saj dhe arritjen e kompromisit. Duke bërë kështu, komuniteti ndërkombëtar tregon një vizion të botës. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë duhet të jetë pjesë e këtyre përpjekjeve. Së bashku mund ta përcaktojmë shekullin 21” shkruan në fund të artikullit të saj në “La Lettre Diplomatique”, Rita Ora.

Lajme të ngjashme

Back to top button