Zgjerohet programi në gjuhën shqipe në Radion e Malit  Zi

Shkruan: Gjokë Dukaj

Zgjerimi i hapësirës informative në mediat publike, gjithherë është lajm i mirë, sidomos në ato mjedise ku ajo nuk është e mjaftueshme. Prandaj, çdo hap në këtë drejtim duhet përshëndetur me shpresë se raste të tilla do të ketë edhe në të ardhmen. Tashmë siç janë njoftuar dëgjuesit tonë, Radioja e Malit të Zi, ka zgjeruar programin në gjuhën shqipe, i cili realizohet përmes emisioneve të rregullta informative ditore dhe emisionin informativ – muzikor “Në fund të javës”, i cili rregullisht emetohet të shtunave.

Mirëpo, nga e shtuna e kaluar ( 05.09.2015), ky emision realizohet me minutazh, pothuajse , të dyfishuar, me kohë zgjatje 55 minuta, në vend të 30 minutave sa ishte kohëzgjatja e tij  në të kaluarën. Më në fund, u realizua iniciativa e kamotshme e drejtuesve të kësaj redaksie për nevojën e zgjerimit të këtij emisioni. Prandaj, falë angazhimit të drejtueseve të Radios së Malit të Zi, si servis publik, të punësuarit në këtë redaksi, bashkëpunëtor dhe korrespondent, në të ardhmen do të mund të realizojnë përmbajtje më të zgjeruara nga lëmi të ndryshme, gjithherë në interes të dëgjuesve nga këto hapësira dhe më gjerë.

Duke u shprehur të kënaqur me zgjerimin e këtij emisioni, anëtarët e kësaj redaksie dhe drejtuesit e sajë, kanë  paralajmëruar se në të ardhmen do të realizojnë përmbajtje interesante për dëgjuesit, me rubrika dhe ide të reja, duke kultivuar kështu traditën e mirë dhe të frytshme të redaksisë duke filluar nga themelimi i sajë.

Të rikujtojmë se kohë më parë, Redaksia në gjuhën shqipe, në Radion e Malit të Zi, shënoi pesëdhjetëvjetorin e punës së vet në vazhdimësi, në shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që punuan dhe u angazhuan gjithë këtyre viteve, jo vetëm në informimin e popullatës shqiptare në këto hapësira, por edhe në afirmimin e gazetarisë si profesion. Shënimi i këtij jubileu u mirëprit edhe nga drejtuesit e  RTMZ, si servisi  nacional i Malit të Zi, të cilët u angazhuan maksimalisht të përkujtojnë të  gjithë ata që në pesëdhjetë  vitet e kaluara kanë lënë gjurmë të pashlyer në jetën kulturore, krijuese dhe shpirtërore të pjesëtarëve të popullatës shqiptare në këto treva dhe më gjerë.

Prandaj, edhe pse sot jetojmë në epokën e komunikimit masiv, në kohën kur opinioni është i vërshuar nga media të shumta, të shkruara dhe elektronike, roli i radios si mjet informimi vazhdon të jetë  i pazëvendësueshëm. Urojmë që hapësira informative në këto hapësira të  jetë  gjithnjë e më e gjerë, që dëgjuesit dhe shikuesit tonë të jenë sa më të kënaqur me mundësit e informimit përmes mediave publike. Të rikujtojmë se emisioni i lartë përmendur i cili rregullisht emetohet  të shtunave, në valët e RMZ, për shkak të zgjerimit të tij, në të ardhmen do të emetohet në të njëjtat valë, por me fillim nga ora 17: 05 minuta, me kohë zgjatje deri në orën 18:00.

Lajme të ngjashme

Back to top button