Shkup, mbeten të zbrazura barok garazhet në kate

Me planin e ri urbanistik në Shkup, janë ndërtuar shumë garazhe në kate, nga të cilat një pjesë janë të fasaduara sipas stilit barok. Qytetarët e kritikojnë pushtetin se me këtë hap pa nevojë janë zënë hapësirat e gjelbra. Ata komentojnë se shfrytëzimi i këtyre objekteve në Qendrën e Shkupit është minimal, duke pasur parasysh se hapësirat e parkingjeve të zakonshëm ende janë më praktike dhe më shumë përdoren nga qytetarët.

Garazha në kate te Shtëpia e Punëtorëve e cila disponon me 500 vende parkimi në 15 metra lartësi, është ilustrim për qëndrimet e qytetarëve në lidhje me efektin e këtyre objekteve.

“Momentalisht garazha në kate që ndodhet te Shtëpia e Punëtorëve, aspak nuk shfrytëzohet. Mund të shfrytëzohet vetëm kati i parë. Parkingu i vjetër siç mund ta shihni është i mbushur. Si e para nuk ka dhe hyrje të mirë. Përndryshe çmimi është i njëjte, por ashtu siç mund ta shihni dobët po shfrytëzohet”, thotë një qytetar i anketuar për REL.

Në Maqedoni deri më tani janë ndërtuar dhjetëra garazhe në kate, shumica në Shkup. Në pjesën më të madhe të tyre ka investuar shteti, por diku janë bërë në bashkëpunim edhe me pushtetin lokal dhe Qytetin e Shkupit. Kryeministri Nikolla Gruevski këto ditë ka deklaruar se deri më tani për ndërtimin e këtyre objekteve janë investuar më shumë se 40 milionë euro.

Sipas antikorrupsionerëve, ndërtimi i këtyre objekteve është diçka që bie në sy. Për ish antikorrupsioneren Vanja Mihajllova asgjë nuk është e jashtëzakonshme, por thekson se gjithkund keto ndërtesa janë të thjeshta dhe nuk ka investime të mëdha.

“Nevoja për t’u ndërtuar është OK, por duhet të përshtaten me kërkesën. Gjithkund në botë ato janë ndërtesa të thjeshta. Më duket se ne i kemi garazhet në kate më të shtrenjtat. Këtu vet çmimi krijon hapësirë për dyshim se mund të ketë pasur korrupsion. Nuk mundet që një garazhë në kate e cila brenda është e tëra e hapur të kushtojë 5 apo 8 milionë euro”, thotë Mihajllova.

Ajo bën thirrje që ekspertët ndërtimtarë të përgjigjen në pyetjen: a janë reale paratë të cilat janë harxhuar për ndërtimin e garazheve në kate.  Garazhet në kate janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Ata ishin të parapara me ndryshimet e planit të detajuar urbanistik “Ringu i vogël”, të cilin e miratoi Këshilli i Komunës në 2010.

Ndryshimet u sjellën pas debatit disa orësh në të cilën opozita mbronte faktin që ndryshimet e planit urbanistik janë joligjore. Sipas pushtetit, garazhet në kate janë pjesë e asaj që quhet “qytet funksional”, qytet në të cilin është i organizuar parkimi i automjeteve.

“Problemi është se nuk janë të ndërtuara në vende të mira. Nuk ka gjithkund ku të duhet. Të themi te Spitali i Qytetit, Spitali Ushtarak, Atje janë vetëm disa vende të vogla. Nuk ka shumë vend”, thotë një qytetar i anketuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button