Kurti: Kosova po federalizohet, populli duhet të ngrihet në këmbë

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka paralajmëruar se partitë opozitare janë duke punuar për mobilizim kudo në Kosovë. Ai thotë se rasti është urgjent.

“Jemi koordinuar deri më tash me partitë opozitare dhe ato, po ashtu, pajtohen se nevojitet një lëvizje popullore për ta çuar këtë Qeveri drejt dorëheqjes e për ta ndaluar kështu edhe asociacionin. Opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje e ka edhe vullnetin, edhe guximin, edhe besimin për ndryshime, prandaj ajo është shpresa për ndryshime. Mobilizimi duket shumë më i madh sesa në janar, apo në herët e mëparshme.

Njerëzit kudo që shkojmë po na luten ta shpallim sa më shpejt protestën, pasi ka padurim për shumë arsye. Nuk janë vetëm asociacioni dhe demarkacioni, por edhe papunësia, rritja e çmimeve, shkatërrimi i shkollave e i spitaleve. Asgjë nuk po shkon mirë”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë për “Epokën e re”. Kurti ka thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe është një “para-shtet” i krijuar. Sipas tij, me këtë asociacion Kosova po federalizohet.

“Mustafa me dekret qeveritar do ta sajojë një entitet që s’do të mund ta zhbëjmë dot e as ta kontrollojmë mandej”, është shprehur Kurti. Ndërkaq, duke folur për arrestimet e fundit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, Kurti ka potencuar se arrestimet po e shpërfaqin tendencën e këtyre forcave qeveritare për ta ruajtur pushtetin nëpërmjet dhunës policore. “Ata po arrestojnë aktivistë për aktivitete simbolike, por po arrestojnë edhe qytetarë thjesht pse shprehin zemërimin e tyre në ‘Facebook’. Por, askush nuk merret me krimin e rëndomtë, aq më pak me fajdetë, me trafiqet, me kontrabandën, me korrupsionin dhe me krimin e organizuar. Në Kosovë vrasësit dhe mafiozët lihen të lirë, ndërsa aktivistët politikë arrestohen. Ky është realiteti i kësaj Qeverie që i shërben mafies njësoj siç u shërben familjarëve të vet”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se kjo Qeveri është përcaktuar ta mbrojë Kosovën nga Lëvizja Vetëvendosje!, e jo nga Serbia, krimi e korrupsioni.

“Prandaj, ajo duhet të bjerë”, ka thënë ish-lideri i VV-së. Kurti ka bërë me dije se aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje! në kundërshtim të asociacionit do të jenë të përditshme, të paparashikueshme dhe të pandalshme. “Reagimi ka për të qenë popullor dhe në mbarë Kosovën, e nuk ka për të pasur vetëm protesta”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se projektet e dëmshme të kësaj Qeverie mund të ndalen edhe prej saj, nëse kryeministri Mustafa vendos ta anulojë marrëveshjen.

“Por, siç e njohim ne, ai është një njeri frikacak, që kurrë nuk bën veprime të tilla pa pasur presion të madh popullor. Edhe Jabllanoviqin ai kishte frikë ta hiqte nga pozita e ministrit. Dhe u desh ta detyrojnë qytetarët në protesta masive”, ka thënë Kurti.

Ish-lideri i VV-së e ka porositur kryeministrin Mustafa, se nëse nuk e anulon marrëveshjen për asociacion dhe e shpall veten të pafuqishëm për t’i realizuar interesat e vendit të vet, atëherë le të japë dorëheqje.

Kurti folur edhe për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën.

“Nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën sepse nëse mosnjohja stabilizohet, ajo do të mbetet aty përgjithnjë. Pas njohjes, duhet të vijë edhe ballafaqimi me të shkuarën, dhe një kërkesëfalje e dëmshpërblimi për humbjet e vuajtjet e luftës dhe okupimit”, ka deklaruar Kurti për gazetën Epoka e Re.

Lajme të ngjashme

Back to top button