Mohammad Arif: Vala e refugjatëve do të vazhdojë, duhet të përgatitemi për situatën gjatë dimrit

Fluksi i refugjatëve që kanë vërshuar në vend vazhdon të rritet nga dita në ditë . Maqedonia  është pjesë e ”Rrugës Ballkanike” në të cilën kalojnë refugjatët nga shtetet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore, të cilët nëpërmjet Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë , shkojnë në shtetet e BE-së, në të shumtën e rasteve në Gjermani.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) është organizata kryesore që punon  në mënyrë aktive  për krizën me refugjatë , dhe është nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara  me mandat të mbrojë dhe të ndihmojë refugjatët të akomodohen në shtetet tjera. Përfaqësuesi i saj në Republikën e Maqedonisë, Mohammed Arif, për Anadolu Agency flet  për pritjet dhe parashikimet se si do të zhvillohen gjërat, si dhe, për përgatitjet për periudhën e ardhshme të dimrit .

“Roli i UNHCR-së këtu është të ndihmojë qeverinë për tu ballafaquar me krizën me refugjatë e cila po zgjat gati tre muaj. Ne, gjithashtu jemi të gatshëm të ndihmojmë autoritetet lokale të ndërtojnë një qendër pranuese në kufirin jugorë në Gjevgjeli’’, thotë Arif  duke folur për rolin e UNHCR-së në ballafaqim me krizën.

Qeveria këtu nuk është në pozitë të ballafaqohet vet me krizën me refugjatë, prandaj nevojitet përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, vlerëson ai.

“Bëhet fjalë kryesisht për refugjatë, sepse nëse shikojmë numrin e përgjithshëm të atyre, do të shohim se 80 % vijnë nga një shtet, Siria, pastaj Iraku, Afganistani, Somalia dhe nga shtete tjera. Në mesin e tyre ka edhe emigrantë, prandaj mund të themi se kjo është krizë me refugjatë dhe emigrantë. Qeveria këtu nuk është në gjendje të ballafaqohet vet me krizën prandaj nevojitet përkrahje e bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe sektorit joqeveritar, të vijnë dhe ti japin përkrahje qeverisë që refugjatët të pranohen më njerëzisht. Qeveria duhet të marrë përsipër përgjegjësinë sepse në thelb menaxhimi me krizën është përgjegjësi e saj” thotë Arif.

”Së shpejti do të ftohet moti, prandaj qeveria dhe organizatat e tjera të cilat ndihmojnë në krizën me refugjatë duhet të parapërgatiten. Nuk duhet të lejojmë që ata të vuajnë” shton më tej.

“Ne kemi mallra rezervë për muajt e dimrit. Përsëri them, qeveria në këtë rast duhet të luajë rol të rëndësishëm. E ka patjetër të koordinojë punët dhe të mbajë llogari për refugjatët gjatë dimrit. Patjetër të përgatitemi që njerëzit të mos vuajnë. Mbajtëm një punëtori në të cilën ishin pjesëmarrës përfaqësues të qeverisë, partnerët tanë tjerë dhe agjenci të OKB-së, me qëllim të bëjmë një plan se si më mirë të përkujdesemi për refugjatët në muajt e ardhshëm” tha Arif duke folur për përgatitjet të cilat janë duke bërë që refugjatët të priten sa më mirë të jetë e mundur gjatë stinës së dimrit.

UNHCR në disa raste ka alarmuar se numri i refugjatëve do të rritet, duke apeluar që shtetet të jenë të përgatitura për ti pranuar ata në mënyrë të duhur duke i trajtuar në mënyrë humane .

“Ardhja e refugjatëve do të vazhdojë me gjasa drejt rritjes së numrit. Nëse shihni të dhënat nga muaji i kaluar, do të shihni se numri i tyre rritej për çdo javë. Filloi me disa qindra, dhe deri më sot kemi mbi pesë mijë. Pritjet dhe parashikimet janë se numri do të rritet, por kryesorja është që ne të jemi të përgatitur për secilën situatë të mundshme”.

Ekspertë të caktuar që merren me sigurinë dhe terrorizmin, kanë alarmuar se me ardhjen e refugjatëve nga shtetet e Lindjes dhe Afrikës Veriore, ekziston riziku nga ”Eksporti i Terrorizmit” , por Mohamed Arif  nuk pajtohet me këto konstatime, por nuk përjashton mundësinë që në mesin e refugjatëve të ketë të tillë.  Është çështje e vet shteteve të kenë kontroll  për atë se kush futet brenda, thotë ai.

“Unë kam përvojë të madhe në punë me refugjatët anembanë botës. Refugjatët nuk janë terroristë. Refugjat është ai që ikë për të shpëtuar jetën e tij. Ai ka humbur gjithçka, të dashurit e tij, shtëpinë dhe është duke ikur për të shpëtuar vetveten”.

Por, nëse ka terroristë brenda refugjatëve, atëherë kjo është përgjegjësi e qeverive të cilat duhet të kenë sistem skenimi dhe të ndajnë anash elementet të cilët mund të paraqesin rizik për shoqërinë, dhe sigurinë e shtetit.

“Pra, jo vetëm ky shtet, por secili shtet duhet të ketë sistem për kontroll i cili mund të zbulojë elemente kërcënuese” vlerëson Arif.

Media të caktuara ngritën alarmin për rizikun nga përhapja e sëmundjeve bartëse, pasi refugjatët vijnë nga shtete ku kohe të gjatë luftohet, por Arif qetëson situatën.

“ Nuk duhet pasur frikë se refugjatët bartin sëmundje. Edhe ata janë njerëz si gjithë ne, me të vetmin dallim se ne i kemi të gjitha, ndërsa ata nuk kanë asgjë. Janë të lodhur dhe rraskapitur, por gjendja shëndetësore e tyre mund të jetë më e mirë se e jona.  Ekipe të Ministrisë së Shëndetësisë, UNHCR-së dhe Kryqit të Kuq janë në teren , dhe nëse shohin nevojën për dhënie të ndihmës mjekësore, ata e bëjnë këtë” thotë Arif, duke shtuar se refugjatët kanë nevojë për mbrojtje . Ata nuk janë barrë, përkundrazi, mund të paraqesin resurs njerëzorë, varësisht se si i trajtoni. Nëse u jepet punë, ata mund të kontribuojnë shumë në zhvillimin e shtetit në të cilin qëndrojnë” përfundon intervistën për Anadolu Agency, përfaqësuesi i UNHCR-së në Shkup, Mohammad Arif.

Lajme të ngjashme

Back to top button