IKJE NGA KAFAZI

Si fëmijë e kishte zakon të ndjekë shfaqjen magjike të mjegullave, të kapë në to figurat e përrallave të Nanëlokes, të sodisë vijat e thyera të horizontit të vendlindjes…

E digjte pareshtur dëshira për të mësuar çfarë ka përtej atyre vijave? Ia xigëlonte fantazinë e panjohura, kurreshtja që ofron mrekullia e pashijuar, udhëtimet interesante me të papriturat e tyre, si ato të heronjëve të tij: Kontit të Monte Kristos dhe Guliverit.

I ndërtonte brenda vetes pamjet e të panjohurave, që shpesh rezultonin të jenë më të bukura se vetë realiteti. Një herë e një kohë mendonte se malet mbi të cilat formohej vija e horizontit përreth tij ishin kufijtë e mbramë të natyrës, po më vonë mësoi se bota ishte e madhe, kurse kodrat s’kishin të sosur; se ishin madje me shumë huje dhe me tipare të çuditshme. Bie fjala: sa më tepër u afrohesh majave të tyre aq më larg ikin prej teje, për t’u dorëzuar vetëm atëherë kur binden në dashurinë dhe këmbëngulësinë e skajshme, si gjithë bukuritë që nuk pushtohen e nuk jepen kollaj.

Për të ngjitja atje lart është shenjë se jemi gjallë, konfirmim i jetës, një lloj ekstaze, një refresh i shpirtit dhe energjive të brendshme, është shpëtim, liri, takim me origjinën tonë të vërtetë – ikje dhe kthim në natyrën parake të cilës nuk i shmangemi dot, sado që të përpiqemi.

Në fakt, ai, as pas kaq vitesh shoqërimi me bjeshkët, nuk e di saktësisht ç’është ajo që e lidh me to? Ndoshta pamja e tyre përrallore, ndoshta sertimi i papritur dhe rreziqet reale, që, për paradoks, kanë fuqi të jashtëzakonshme tërhjekëse, ndoshta dashuria e parë – çapkanllëqet e pandalshme të bijave të bjeshkës, mjegullave.

Por, një është e sigurt: bjeshkët janë për shpirtërat e trazuar që s’u shmangen sfidave të jetës, gjërave që nuk shijohen prej gjithkujt; për ata që kanë nevojë më të theksuar për dalje nga kafazi, për ikje të përkohshme nga realiteti përmes një klithjeje, përmes një proteste a një kënge të moçme; për ata që kërkojnë ambiente të paqme ku mund t’i japin krahë e ta shpalojnë pjesën prej fëmije, që nuk guxon të përmbytet plotësisht në teatrin serioz të jetës urbane; për ata që duan të jenë vetëm me vetveten dhe me Zotin e tyre, për të harruar, të paktën për ca kohë, shëmtitë e botës së mbytur në thashethemnaja, në maska, në bonton të rremë, në kopshte betoni dhe në deponi plehurinash turlifare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button