Anulohet seanca e sotme gjyqësore e rastit të Sopotit

Gjykata Penale në Shkup, përsëri e anuloi seancën e sotme gjyqësore për rastin e Sopotit, në të cilin duhej të merret vendim rreth kërkesës së avokatëve për heqje të deklaratës së dëshmitarit, Ramadan Bajrami, nga proces verbali, transmeton RTVM.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se deklarata është dhënë nën presion fizik dhe psikik, dhe se i njëjti më pas e ka tërhequr të deklaratën. Ju e dini që ky dëshmitar ka dhënë 3 herë deklaratë dhe çdo deklaratë e tij ka qenë e njëjtë, përveç ajo te gjykatësi hetues dhe para organeve të MPB-së, ku ka qenë i dhunuar fizikisht dhe psiqikisht”, ka thënë avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Anulimi i seancave gjyqësore për këtë rast, sipas Raufit, ndodh për shkak të Prokurorit Special, i cili duhet t’i trajtojë rastet që janë përfshirë në përgjimet e publikuara nga opozita.

Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini janë 11 personat e akuzuar për rastin e Sopotit për shkak të incidentit që ka ndodhur në vitin 2003, ku kanë humbur jetën dy ushtarë të NATO-s nga Polonia dhe një civil. Ndërsa në mungesë u dënuan edhe 6 të tjerë. Seanca e radhës është caktuar më datën 21 tetor.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button