Jeta e një gruaje të dhunuar për 15 vite

Rreth 15 vjet martesë dhe dhunë, kufizime, burgosje, sakrificë. Kjo ka qenë jeta e një 38-vjeçarje nga zonat rurale të Peqinit që ka mundur të shpëtojë falë motrës së saj për të nisur një jetë të re, shkruan Gazeta Shqiptare.

 A. H. ka kërkuar urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje nga Gjykata e Elbasanit për të vazhduar më tej me divorcin që përmbylli një kapitull të errët të jetës së saj.

“Dhuna ka filluar që në vitet e para të martesës. Nuk mund të them që vinte nga ekonomia, pasi ai kishte një biznes, por mendoj se ishte vetë natyra e tij e dhunshme, posesive që e shndërronte në njeriun më të keq të mundshëm”, thotë ajo.

Kjo situatë vazhdoi edhe në kohën kur gruaja u bë me fëmijën e tretë. Sipas saj, burri i kontrollonte gjithçka, madje i mban “peng” edhe kartën e identitetit. Gruaja për të konsiderohej skllave dhe asgjë tjetër, pasi çdo veprim i saj ishte i kontrolluar dhe i mbikëqyrur nga i shoqi dhunues.

“Edhe kur u bëmë me tre fëmijë ai vazhdonte. Më kufizonte në çdo gjë. Nuk kisha as kartë identiteti, pasi m’i mbante ai. Nuk më lejonte të votoja, nuk ikja në qytet, nuk bëja asgjë që bëjnë femrat e tjera. Isha e detyruar të rrija në shtëpi gjatë gjithë kohës. Kur nuk kënaqej më dhunonte. Përballesha shpesh edhe me dhunim seksual”, tregon gruaja e dhunuar.

Ajo shton se dhuna që i shoqi ushtronte ndaj saj ka ndikuar edhe tek i biri, i cili kishte nisur të kishte një sjellje agresive. Impakti që ka dhuna në familje edhe të fëmijët është mjaft i njohur dhe psikologët theksojnë se fëmijët, kryesisht djemtë priren të ndjekin sjelljet e të atit. “Nuk kisha ku të shkoja. Edhe djali kishte filluar të sillej si ai. Shikonte të atin dhe po shndërrohej si ai vetëm 9 vjeç. Ishte e padurueshme. Vendosa t’i tregoj sime motre në Elbasan dhe bashkë me të kërkuam ndihmë. Mora urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje por ai ishte aq i dhunshëm sa nga kjo që bëra mori fadromën e rrëzoi shtëpinë. Më pas vazhduam procedurat e divorcit. Nuk mund të kthehesha në ferr. Dy vajzat gjykata m’i caktoi mua ndërkohë që djali qëndroi me të atin”, pohon A.H. Duket se ka një dritë në fund të tunelit edhe për të, pasi gruaja tregon se ka filluar një jetë të re. Edhe pse e divorcuar është më e lumtur. “Tani po përpiqem të nis një jetë të re me ndihmën e familjarëve të mi. Kam bërë një kurs për rrobaqepësi. Po kërkoj punë ndërkohë që vajzat vazhdojnë shkollën. Historia ime është vërtet e rëndë dhe jam penduar që kam qëndruar kaq shumë kohë e dhunuar por nuk shihja rrugëzgjidhje. Gjithçka e kishte ai. Unë asgjë. Tani kam shpresë dhe kam filluar të jetoj jetën time”, rrëfen gruaja.

Psikologët

Psikologët e Forumit të Gruas tregojnë se gruaja ka pasur shenja të dukshme fizike të dhunës që ishte ushtruar. Ishte në një gjendje të mjeruar. Tani ka nevojë për mbështetje për të gjetur punë. Pjesa më e vështirë kaloi.

Forumi i Gruas Elbasan ka bërë një monitorim të urdhrave të mbrojtjes në Qarkun e Elbasanit ku ka rezultuar se denoncimet më të shumta janë nga zonat urbane. Periudha e monitoruar është shtator 2014 – maj 2015, kur janë regjistruar 106 vendime gjyqësore për urdhër mbrojtjeje. Sërish mbetet problem pushimi i çështjeve që në shumicën e rasteve vjen nga mungesa e mbështetjes për viktimat e dhunës. Të gjitha denoncimet bëhen kryesisht në polici dhe nuk ka asnjë padi publike. Forumi i Gruas gjatë këtij monitorimi ka bërë edhe një profil të gruas së dhunuar. Me arsim të ulët, e papunë, me banim në qytet është mesatarja e rasteve të denoncuara dhe shkaqet kryesisht janë ekonomike dhe në 54% të rasteve janë bashkëshortët që dhunojnë.

Një rast i regjistruar në Librazhd i përket marrëdhënies nuse-vjehërr. Avokatja e kësaj qendre, Soela Kurti, thotë se ulja e numrit të pushimit të padive duhet të jetë qëllimi i organizmave të përbashkët. “Kryesisht gratë tërhiqen për shkak të kushteve të vështira social-ekonomike por edhe nga dhuna ekstreme që mund të ushtrojë i padituri, reagimi i tij, pasiguria etj. Ka shumë gra që preferojnë t’i drejtohen gjykatës për zgjidhje martese se sa të denoncojnë dhunuesin. Kjo është e shprehur në zonën e Peqinit”, sqaron ajo. Një grua që të shkëputet nga dhunuesi duhet të marrë parasysh edhe kosto që shpesh nuk i përballon dot dhe pranon të qëndrojë nën strehën e dhunës.

Lajme të ngjashme

Back to top button