Kualifikimet e rënda nuk janë detyrë e gazetarit

Siç shihet që nga titulli, kemi të bëjmë me një akuzë dhe konstatim mjaft serioz nga autori i tekstit. Në parim, gazetari duhet t’i shmanget konstatimeve të tilla të drejtpërdrejta, përveç nëse i bazon në fakte të qarta dhe të pacenueshme. Në rastin konkret, nuk mund të thuhet se ekziston bazë e mjaftueshme që i jep të drejtë gazetarit të shfrytëzojë kualifikime të tilla të rënda si në titull.

Peticion racist i mjekëve nga Gjevgjelia  Bogdanci  Dojran dhe Valandovo  Nuk i shërojmë refugjatëtLinku deri te artikulli origjinal: Peticion racist i mjekëve nga Gjevgjelia, Bogdanci, Dojran dhe Valandovo: Nuk i shërojmë refugjatët

Data dhe koha e publikimit: 31.08.2015

Data e recensionit: 04.09.2015

Recensues: Benjamin Arifi

Edhe pse teksti duket të jetë në rregull, sepse bëhet fjalë për lajm që vetëm sjell komunikatën e disa ordinancave në Maqedoninë juglindore, kualifikimi i përdorur në titull i jep tendencë krejt tjetër lajmit, duke mos e sqaruar deri në fund. Në komunikatën e mjekëve, janë shpjeguar mirë dhe qartë arsyet për të cilat ata refuzojnë të kryejnë shërbime mjekësore ndaj refugjatëve.

Nuk janë krijuar kushtet esenciale materiale dhe të sigurisë për afrimin e shërbimeve mjekësore ndaj refugjatëve, duke e marr parasysh atë se nuk kemi të dhëna për gjendjen e tyre shëndetësore dhe nuk janë të siguruara mjete të mjaftueshme mbrojtëse gjatë kontaktit me to, për shkak të së cilës mund të rrezikohet shëndeti i jonë dhe i familjeve tona”, thuhet ndërmjet tjerash në peticion.

Siç vërehet edhe nga komunikata, kryefjala tek reagimi i mjekëve janë mungesa e kushteve për të mjekuar refugjatët që mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore. Në asnjë fjalë në komunikatë nuk vërehet gjuhë e urrejtjes, ksenofobi ose paragjykim racor apo etnik nga ana e mjekëve, që e bën titullin të pasaktë dhe jo-profesional.

Gazetari duhet të përmbahet nga kualifikime të pabaza për njerëz ose institucione, përderisa nuk ka elemente të mjaftueshme. Edhe nëse ekzistojnë elementet, kompetencë e gazetarit është vetëm të ngrejë dilemat duke kontaktuar ekspertë të fushës, institucione kompetente dhe palën e akuzuar, por në asnjë mënyrë të inkorporojë në tekst ose titull kualifikime të bazuara në bindje dhe përshtypje personale.

Lajme të ngjashme

Back to top button