Prokurori special duhet tu përgjigjet pyetjeve me interes të përgjithshëm

Me qëllim për t’i dëgjuar qëndrimet e ekspertëve dhe sektorit civil, në lidhje me Prokurorin publik special, Fondacioni Shoqëri e hapur ka organizuar debat publik me temë: “Çfarë prokurori special publik i duhet Maqedonisë”, raporton Portalb.

Për rëndësinë e këtij koncepti të ri, i cili do të ketë qëllim të sjellë sundimin e së drejtës në Republikën e Maqedonisë, kanë debatuar ekspertët, si: Mr. Zharko Trajanoski, Dr.Mirjana Najçevska, Dr. Gordan Kallajxhiev dhe Dr. Sllagjana Taseva.

Sipas Trajanovskit, mosfunksionimi i institucioneve shtetërore, konkretisht Prokurorisë publike, mbi zhvillimet e fundit ka spikatur nevojën për një Prokurori speciale.

“Për materialet e publikuara për korrupsion ende s’kemi asnjë përgjigje. Si është e mundur të mos dijë kryeministri dhe drejtori i DSK-së për përgjimet, kur ato janë kryer me mjete të drejtorisë, mjete që janë blerë me paratë e qytetarëve?! Nuk kishte hulumtime se si erdhën materialet. Për këtë dhe shume pyetje tjera duhet një organ tjetër që do t’i përgjigjet pyetjeve që kanë interes të përgjithshëm”, tha Trajanovski, duke theksuar se Prokuroria speciale duhet të jetë organ që do të ketë kapacitet të hyjë në DSK.

Ekspertja e çështjeve juridike Mirjana Najçevska ka potencuar se nuk janë të nevojshme ndryshime kushtetuese për themelimin e Prokurorisë speciale publike, ashtu siç po flitet në opinion.

Sipas saj, mandati i Prokurorit special duhet të rrjedh nga qytetari. “Prokurori publik mbron qytetarin dhe jo shtetin. Ai qysh në betim betohet se do të mbrojë qytetarin”, është shprehur Najçevska.

Edhe profesori Gordan Kallajxhiev ka mbështetur tezën e Najçevskës duke thënë se “legjitimiteti i prokurorit të ri special nuk mund të vijë nga liderët e partive politike, të cilët njëherit janë edhe shkaktarë të krizës institucionale në vend.”

Mirjana Najçevska propozon që mandati i prokurorit të mos jetë i kufizuar, por të zgjasë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit. “Vetëm me vendime përfundimtare mund të sigurohet një e ardhme më e mirë”, thotë ajo.

“Prokuroria speciale qoftë edhe gjykata speciale- të cilën e mbështesë unë- duhet të bazohet në struktura të gjykatave ndërkombëtare. Unë si shembull kam marr Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Për faktin se duhet të merren me shkelje te mëdha të drejtave njerëzore dhe me problemin e mosndëshkimit. Dhe çka është gjithashtu me rëndësi, prokurori i ardhshëm nuk duhet të ketë qenë i involvuar në inçizimet e publikuara nga opozita”, ka përfunduar Najçevska.

Sllagjana Taseva konsideron se politika ka arritur të na shpie në një debat politik, derisa ne kemi nevojë për një debat juridik.

“Andaj, ky debat nuk duhet të jetë vetëm politik”, theksoi Taseva, duke potencuar se nuk beson në bisedimet e liderëve, për shkak se ata janë aty për të mos ndryshuar situata.

Liderët e partive më të mëdha në Maqedoni sipas Marrëveshjes së Përzhinos janë dakorduar që deri më 15 shtator të zgjedhin Prokurorin special, i cili do të hetojë rastet “Puç” dhe “Përgjimet”. Takimet e liderëve po zhvillohen me ndërmjetësimin e ndërmjetësuesit Peter Van Hoyt.

Lajme të ngjashme

Back to top button