Argumentimi i një gjenocidi

Bardhyl Mahmuti njihet si njeri i veprimit dhe i mendimit. Ai idenë e vuri në veprim. Si njeri veprimi historia do të flas më vonë. Historisë i nevojitet distanca kohore, që racionalja të triumfojë mbi emocionalen, kurse fakti mbi spekulimin e hamendësimin. Bardhyl Mahmuti rrezikoi shumë dhe besoi fuqimisht në triumfin e lirisë. Ai nuk u ligështua asnjëherë. E dinte se prirja për liri është triumfatore. Pa tronditjet historike, që ndodhën në hapësirën shqiptare, ku ai ishte kryeprotagonist, sot do të ishte diplomat kalibri, politikan ose profesor universitar i shkencave politike e sociologjike. Ai veproi në kohëra të trazuara. Në vend se të zgjidhte rolin e një njeriu që bën jetë monotone, të ngathtë, me vullnet për nënshtrim, ai zgjodhi jetën e shpejtë, dinamike, me plot rreziqe, me vullnet për liri. Në këtë rrugëtim të vështirë ai kishte një vizion të qartë.

Si njeri mendimi ka kontribuuar, në vazhdimësi, me shkrimet e shumta, veçanërisht me librin “Mashtrimi i madh” (Çabej, Tetovë, 2015), i cili është i shkruar me kompetencë shkencore, i mbështetur në referenca të shumta, me thellësi mendimi dhe është një angazhim tjetër intelektual i tij, në kohën kur imazhi ynë gjithnjë po shfytyrohet edhe me fajin tonë…

Në këtë libër autori e demonton propagandën institucionale, e dekompozon mashtrimin e madh serb, sqaron dilema të shumta dhe hedh poshtë etiketat për shqiptarët, që akuzohen shpesh si kolektivitet me vetëdije klanore.

Shqiptarët kanë vetëdije të formuar politike e institucionale, kanë aftësi shtetformuese, ndjenjë qytetarie, por rrugëtimi i tyre historik ka qenë tejet i ndërlikuar, që ka lindur edhe shumë keqkuptime.

Libri “Mashtrimi i madh” është shkruar, para së gjithash, për lexuesin europian. Megjithatë, shqiptarët duhet që ta lexojnë me kujdes, sepse është si pasqyrë ku mund ta shohin vetveten. Duhet ta lexojnë kujdesshëm që të mos harrojnë se nëpër çfarë rruge të vështirë ka kaluar kombi.

Ky libër na rikujton se sa herë shqiptarët përgjumen, fantazmat punojnë kundër tyre. Miqësitë e moçme serbe, që heshtën kur në Kosovë ndodhi gjenocidi, gjithnjë e më shumë e barazojnë xhelatin me viktimën ose ua ndërrojnë rolet. Ka shumë hipokrizi edhe në qarqet e caktuara diplomatike dhe intelektuale europiane, por edhe shumë inferioritet në politikën e korruptuar shqiptare, e cila, si e tillë, nuk mund të jetë autonome.

Autori na vetëdijeson për rrezikun e zhvendosjes të së drejtës te pala tjetër, ajo kundërshtare, për të cilën fliste Eskili para mijëra vitesh. Eskili thoshte se teprimi i mbrojtjes të së drejtës tënde mund të çojë deri te zhvendosja e saj te pala kundërshtare. Në rastin kjo zhvendosje ndodh për shkakun e mungesës së mbrojtjes të së drejtës tonë. Kjo zhvendosje e dëmton padrejtësisht imazhin dhe përpjekjen shqiptare, thellësisht humane, për liri dhe demokraci.

Bardhyl Mahmuti, që ka ndjekur vëmendshëm gjithçka shkruhet edhe në botën perëndimore për çështjen tonë, nuk ka qëndruar asnjanës. Ai, nëpërmjet këtij libri, po jep kontribut të çmueshëm në këtë drejtim.

Ky libër duhet të përkthehet në disa gjuhë (që edhe po ndodh) dhe të imponohet, aq sa është e mundur, në qarqe të ndryshme politike, akademike, mediale europiane, që shpesh bien pre të propagandës serbe ose të stereotipave të ndryshëm.

Nga mënyra si është shkruar, sikundër e thamë, vërehet se libri kundër mashtrimit e madh është shkruar për lexuesin e çorientuar europian. Si i tillë, u kundërvihet me argumente debateve qëllimzeza, që gjenocidin në Kosovë e minimizojnë në “masakër” apo “krim”.

Masakra është krim lufte, kurse gjenocidi është krim kundër njerëzimit. Masakrat në Kosovë janë të lidhura, nuk janë të izoluara dhe çojnë në gjenocid.

Autori shtron çështjen “jo si”, por “pse” u vranë, u dëbuan dhe u dhunuan shqiptarët e Kosovës nga ushtria e policia serbe. Kur i japim përgjigje pyetjes “pse”, atëherë bindemi në atë që thotë autori se në Kosovë ka pasur gjenocid. Terrori institucional ka pasur si qëllim shuarjen e një kombi.

Nëse nuk pranohet konstatimi se ka pasur gjenocid, gjithmonë do të bëhen pazare me drejtësinë, e cila nuk duron veto. Autori argumenton se ka pasur gjenocid, para së gjithash, duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Ky libër, që flet në mënyrë shkencore mbi luftën e Kosovës, është shkruar nga një mendje brilante dhe erudite, si i tillë duhet të lexohet edhe nga studiuesit shqiptarë, që shpesh humben në terminologji, por edhe nga studentët e shkencave politike e të diplomacisë.

Libri duhet të bëhet pjesë e çdo biblioteke të rëndësishme europiane e më gjerë. Ne nuk arrijmë të shkruajmë aq shumë libra sa serbët rreth temës në fjalë, megjithatë lexuesi i huaj, sa herë të kërkojë libra mbi luftën e Kosovës, së paku, kundrejt gjithë librave që propagandojnë, të has në libra që flasin ndryshe për luftën e drejtë të shqiptarëve për liri e mbijetesë kombëtare. Pra, të kenë mundësi që ta dëgjojnë edhe palën tjetër, palën e dëmtuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button