Njihuni me shpikësit kumanovarë të “Energjisë së ardhmërisë”! (VIDEO)

Rëndësia e të a.q. “Energji Alternative” po rritet çdo ditë e me këtë po rriten edhe përpjekjet e shkencëtarëve për të zbuluar metoda të reja të shfrytëzimit të këtyre energjive. Kështu, Portalb ju prezanton shpikjet e kumanovarëve: Naser Miftari (Profesor i Fizikës dhe Kimisë) dhe Bujar Dalipi (student i Inxhinierisë Elektronike). Dy projektet: “Drita” dhe “Buna”, sipas shpikësve janë “të energjisë së ardhmërisë” dhe janë shumë të rëndësishme për ndriçim. Projektet shfrytëzojnë rrezet e diellit për të krijuar energji elektrike dhe si të tilla janë projektet më ekonomike të mundshme, ndërsa ekskluzivisht janë sisteme të mbrojtura, fare të parrezikshme për njerëzit.

Prof. Naser Miftari, i cili asnjëherë nuk u ndal së hulumtuari rrëfen për Portalb: “Para 6 viteve, kur fillova të punoj si profesor në Gjimnaz e zbulova se nxënësi Bujar Dalipi ishte i interesuar për elektronikë. Ai në një dërras kishte vendosur rrota, një elektromotor dhe ecte, disi si automobil me rrymë.” I buzëqeshur tregon se si për dy vite, Bujarit me vullnetin më të madh ia mësoi të gjitha format dhe madhësitë e tranzistorëve, pastaj funksionin e tyre në qark, bashkimin e pjesëve e deri te leximi i planeve. “Bujari e kishte parë diku në internet një plan të një llambe LED të punuar me 4,5 Volt. Insistoi ta provojmë. E punuam një llambë me 1,5 Volt. Në këtë djalë e shoh veten, unë qysh i vogël kam dashur të bëj dritë. Bujari ma ka kthyer drejtimin, ai është shkaku që më ka orientuar. Kjo llamba e vogël është pikënisja e dy projekteve më të mëdha, që i kemi quajtur ‘Drita’ dhe ‘Buna’.” Se për çfarë projektesh bëhet fjalë, vijon sqarimi në videot e mëposhtme:

Këto projekte të punuara për 6 vite, Bujari, tani student i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave te Aplikuara,Drejtimi Inxhinieri Elektronike në Tiranë i prezantoi gjatë Konferencës së Parë Studentore, ku u zgjodhën nga më të mirat si dhe në Institutin Gjerman “GIZ” në Departamentin e Energjisë Alternative.

“Merrem me tensione të larta, më tërheqin, dua të gjej diçka”-shtoi profesori dhe me pasion të veçantë na e sqaroi edhe një nga paisjet e shumta, që ndodhen në “laboratorinë e tij”.

Sidoqoftë, ka kohë që kur profesori e ka shkruar “një libër për radioteknikën” dhe ka bërë kërkesë për t’ia botuar në të gjitha institucionet e mundshme, por kot, “E kam shkruar, që të mësojnë studentët, nxënësit shqiptarë, por ende është vetëm dorëshkrim.”-tha e më pas shtoi me zhgënjim “S’kam marrë ndihmë prej askujt deri sot. Nuk më janë bashkangjitur as njerëzit e kësaj lëmie. Nuk mund të depërtoj në mjetet e informimit.”

Prof. Naser Miftari, lindi në vitin 1961 në fshatin Orkoc. 4 vitet e para të shkollës fillore i kreu në vendllindje, 4 të tjerat në fshatin Likovë, kohë të cilën vetë profesori e kujton me nostalgji: “Bari kam qenë, por bari që lexon, kam lexuar shumë libra, më kanë interesuar fshehtësitë e teknikës dhe teknologjisë, radioteknika.”

“Nuk kemi pasur rrymë në fshat. Kishim vetëm llamba me gaz”– sqaron dëshirën fëmijërore për të “bërë dritë”. “Një shok i shkollës fillore e ka pasur një biçikletë, prej aty e pash dinamin (gjenerator që prodhon rrymë). E bleva një dinam që më kushtoi sa një gomar me dru dhe me atë e ndërtova hidrocentralin e parë në fshat. Bënte pak dritë, por nuk arrita ta dërgoj deri në shtëpi, se nuk kisha tel. E për fatin tim të keq, atë natë ra shumë shi dhe e barti me vete.”-rrëfen Miftari. Ai shton: “Në fshat një njeri e ka pasur një radio të vjetër, ne e lusnim të na lëshojë Radio Prishtinën dhe e pyesnim: Si e lëshon? Çka është? Çka ka brenda? Na pati thënë se brenda është Qamili i Vogël dhe se sa herë ky e ngacmon, ai nis të këndojë. Prej atëherë më ka interesuar radioteknika shumë… Në Gjimnaz prej vitit të parë kam dashur të mirrem me zanat se më rastësisht hasa në një radio, e hapa, nuk kishte pasur Qamil të Vogël, por krejtësisht diçka tjetër, u mahnita.”

Shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin e Kumanovës, kurse studimet universitare në Shkup, Fakultetin Fizikë-Kimi. Pastaj mbaroi ushtrinë, “6 muaj isha oficer, por ishte vështirë të jesh edhe shqiptar edhe oficer, e pash se do të më burgosin ose do të më vrasin dhe e lashë”.

Për 11 vite punoi si mësues i fizikës dhe kimisë në sh.f.”Mihail Grameno” (fillimisht e pagëzuar si “Lirija”) në fsh. Brezë. “Më së paku e kam bërë detyrën e mësuesit. Atje njëkohësisht isha mjek, pajtues i gjaqeve, por për 8 vite edhe përgjegjës i shkollës. Po gjatë kësaj kohe jam marrur intenzivisht me elektroteknikë, kur ka pasur rrymë jam marrë me hulumtime… Problem ishte, librat në atë lëmi kanë qenë të rralla e as në bibliotekë nuk gjindeshin. Për shkak të mungesës së literaturës unë vetë e kam bërë hulumtimin e funksionit të elementeve elektronike. D.m.th. i kam zbuluar ato që të tjerët i kishin zbuluar më herët. Çfarë kam punuar është një rend i madh i paisjeve, p.sh. përforcues të frekuencës së ulët, parapërforcues, sinjalizues të ndryshëm, alarme, mikrofon pa tela (rreth viteve 1989-91)…” 

Qiftelia elektro-akustike
Qiftelia elektro-akustike

Në vitin 1980 ai shpiku “Qiftelinë piezo-elektrike”, respektivisht “Qiftelinë elektro-akustike”, lloj ky i qiftelisë, që sipas shpikësit është i pari dhe i vetmi në botë, “Çdo trup që dridhet prodhon zë. Valët e zërit barten në mbështjellës dhe fillon të dridhet mbështjellësi, d.m.th. fillon ta bëjë rezonancën e tingullit që e krijon teli. Kjo rezonancë, kjo dridhje e dridh piezo-elementin, e lëkund. Piezo-elementi shkakton një lloj rryme, që i përcjell besueshëm frekuencat e zërit. Nëse këto rryma që i përcjell piezo-elementi futen në përforcues atëherë del tingull i lartë.” Mënyrën se si punohet kjo qifteli, shpikësi deklaron se ia ka mësuar një mjeshtrit kosovar, por se ende nuk di nëse ai ka ndërtuar qiftelinë e dytë të llojit në fjalë.
12 vite punoi si zdrukthtar dhe 6 vitet e fundit si profesor në SH.M.Gjimnazi “Sami Frashëri”, profesion ky që vazhdon ta ushtrojë edhe sot./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button