fbpx

BE, gjobë për refugjatët, Gjermania: Gati të presim 500 mijë në vit

Komisioni Evropian ka në plan të propozojë – sipas mediave italiane, – gjobitjen e vendeve që nuk do të marrin pjesë në sistemin e shpërndarjes së refugjatëve, duke cituar të drejtën e zgjedhjes për të qëndruar jashtë skemës.

E drejtë kjo, që nuk do t’u refuzohet, por që do të vijë me sanksione në formën e detyrimit për të paguar në këmbim shumën prej 0.002% të PBB-së (GDP). Zgjedhja për të mos pranuar emigrantë, në çdo rast do të jetë e vlefshme vetëm për një vit dhe arsyet, që do të jepen për një vendim të tillë, do të shqyrtohen me kujdes në Bruksel.

Gjermania, ndërkohë përmes zëvendëskancelarit Sigmar Gabriel, u deklarua e gatshme të presë 500 mijë refugjatë në vit, për një periudhë disavjeçare. “Besoj se i kemi mundësitë të sistemojmë gjysmë milioni persona çdo vit – është shprehur numri dy i ekzekutivit gjerman. – Nuk kam dyshime për këtë”, vazhdoi ai, duke shtuar se Berlini mund të pranojë mbase edhe më shumë.

Gjithmonë sipas shtypit italian, KE-ja i ka alokuar Hungarisë 4 milionë euro fonde për t’i bërë ballë emergjencës së refugjatëve. Ky hap i Brukselit vjen pas kërkesës së paraqitur nga Budapesti, që në mesin e muajit gusht.

Shuma e ofruar nga blloku do të përdoret për forcimin e sistemit të përkohshëm të refugjatëve, ndërsa brenda shtatorit, Brukseli do të dërgojë në Budapest edhe Komisionarin e Emigracionit, Dimitris Avramopoulos.

Analistët mendojnë se, me pritjen emocionuese të rezervuar refugjatëve pas mbërritjes në Munih, si dhe me deklaratën e fundit të zëvendëskancelarit, Gjermania po shfaqet si një vend unik, që dallon nga të gjithë të tjerët, transmeton Top-channel.

Lajme të ngjashme

Back to top button