PDSH akuzon BDI se lejon harxhimin e parave për punësimin e maqedonasve

Në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet, dy partitë shqiptare, PDSH dhe BDI debatuan për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në administratën publike.

Orhan Ibrahimi nga PDSH-ja tha se paratë e buxhetit shpenzohen për punësimet e maqedonasve, pasi në 6 vitet e fundit janë punësuar mbi 20 mijë maqedonas përkundër disa qindra shqiptarëve.

“Musa kapedanit i merren 250 mijë euro prej Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit sepse nuk i duhen ato pare atij, sepse duhet të realizohen vende të reja të punës për maqedonasit. Për këto 6 vite në administratën publike janë punësuar 20 mijë maqedonas në administratën shtetërore ndërsa shqiptarë, vetëm disa qindra edhe atë, rrijnë nëpër shtëpi, siç rrijnë ata nëpunës shqiptar që nuk janë të sistemuar”, tha Orhan Ibrahimi.

Deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili u përgjigj se në Sekretariat ka mbi 1300 të punësuar, të cilët presin sistemimin në institucione.

“Sa i përket marrjes së mjeteve nga Sekretariati për MO, të informoj se atje ka një numër mbi 1300 të punësuar që po shpërndahen nëpër institucionet shtetërore dhe në bazë të një analize që e kemi bërë, pas kësaj shumë institucione do të plotësojnë kuotën prej 25% që parashihet për shqiptarët në Maqedoni”, deklaroi Rexhail Ismaili.

Ndërkaq RDK-ja e Rufi Osmanit vlerëson se për tejkalimin e këtij problemi duhet të bëhet strategji e përbashkët e tre partive shqiptare.

“Është shumë me rëndësi që dy partitë e mëdha, edhe ne si RDK, të ulemi dhe të hartojmë një strategji të përbashkët me të cilën do të kërkonim nga Qeveria e Maqedonisë, që në të gjitha konkurset e ardhshme të cilat do të hapeshin për punësime në administratë dhe në ndërmarrjet publike ku themelues është shteti, të kërkojmë që kjo përqindje të jetë jo 25%, por më shumë se 30 ose 40%, që në një afat sa më të shkurtër kohor të arrihet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat”, u shpreh deputeti i RDK-së Naxhi Xhelili. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button