Inva Mula thirrje shteteve anëtare të pranojnë Kosovën në UNESCO

Sopranoja me famë botërore Inva Mula, e cila të shtunën qëndroi në Prishtinë me rastin e ditës ndërkombëtare të bamirësisë, në një shkrim për revistën prestigjioze “La Lettre Diplomatique”, angazhohet në mbështetje të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Mula e cila një kohë të gjatë jeton në Paris, qytetin ku është selia e UNESCO-s, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të pranojnë Kosovën në këtë institucion të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara.

“Asnjë art nuk është më kozmopolit se opera. Asnjë gjuhë nuk është më ndërkombëtare se ajo e muzikës. Një vepër operistike është kënaqësi për t’u parë dhe dëgjuar sepse shpërfaq humanitetin – e mendimit, shprehjes dhe sjelljeve. Por përqafimi i kozmopolitizmit, i vlerave universale nuk është rastësi. Është edukim. Është orientim. Është qëndrim” filloi letrën e saj Inva Mula duke shpjeguar prejardhjen e saj mikse, ku babai i saj ka lindur në Gjakovë, në Kosovë, nëna në Izhvek të Rusisë, kurse një pjesë e familjes së saj jeton ende në Kosovë. Ajo më tej tregon se edukimin për këndim e ka marr në Tiranë ndërsa karrierën artistike e ka filluar në Paris, për ta zhvilluar në nivele ndërkombëtare nga Prishtina deri në Tokio, përmes Moskës, Londrës, New Yorkut, Buenos Airesit, Milanos,Vjenës , Sao Paolos, Madridit, Pekinit e shumë vendeve të tjera, mbarë globit.

Në letrën e saj publike, ajo tregon se prejardhja e saj dhe profesioni i artistes e kanë bërë që të ndihet qytetare e botës dhe t’i tejkalojë barrierat dhe limitet e çfarëdo përkatësie dhe ndasie.

“Kam kënduar në site të mbrojtura nga UNESCO dhe në evente të UNESCO-s. Në të parat kam ndjerë pakohshmërinë – objekte kulturore të ndërtuar nga paraardhës tanë dhjetëra shekuj më herët, sot janë pasuri e mbarë njerëzimit. Kufijtë kohorë kapërcehen natyrshëm dhe ngjarja mund të ndodhte kurdo si për të na ndërmendur për metafizikën e muzikës dhe kulturës. Në evente të UNESCO-s kam marrë pjesë dhe shoh se si kjo organizatë zbut diferencat, përafron njerëzit, formëson koncepte, inicion aksione, duke krijuar një komunitet të qëndrueshëm dhe të emancipuar” thotë Mula duke arsyetuar fillimin e shkrimit me një rrëfim personal, për të ardhur tek besimi i saj se “një organizatë që promovon vlerat e kulturës, arsimit, bashkëpunimit, kërkimit shkencor si UNESCO do duhej të përfshinte në gjirin e saj vende dhe t’u ofronte mundësi të rinjve dhe të rejave të ndjehen qytetarë të botës dhe aksionit global për përmirësimin e vendeve te tyre dhe planetit tonë të përbashkët.

“Është ora që UNESCO t’iu hapë dyert njerëzve të Kosovës” thekson Inva Mula, sopranoja me famë botërore e cila të shtunën që shkoi, në Prishtinë, këndoi premierë himnin e ri kushtuar humanistes dhe bamirëses me famë botërore, Nënës Terezës, me rastin e 5 shtatorit, përvjetorit të vdekjes së saj dhe Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë, të shpallur nga OKB-ja.

Lajme të ngjashme

Back to top button