Pas 24 viteve pavarësi, ende është e paqartë e ardhmja e Maqedonisë

Nëse do të kishte qenë shteti ambicioz, me siguri pas 24 vjetëve pavarësi do të ishte anëtare në Bashkimin Evropian dhe në NATO, vlerësojnë njohësit e ngjarjeve dhe gjendjes së shtetit nga pavarësia deri më tani, njofton Rel.

Nëse do të ishte njeriu ambicioz, me siguri do të mbaronte fakultet dhe do ta kishte punësimin e parë. Kështu dhe shteti, nëse do të ishte ambicioz pas 24 vjetëve pavarësi, me siguri do të ishte pjesë anëtare e BE-së dhe NATO-s, vlerësojnë njohësit e ngjarjeve dhe gjendjes së Maqedonisë, veçmas në proceset demokratike.

Stojan Andov, ish kryetar i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë në periudhën kur Maqedonia u shpall e pavarur nëpërmjet referendumit. Sipas tij, shteti prej atëherë deri më tani ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar për çështjet kryesore.

“Përparim ka vetëm që është forcuar pavarësia, po përdoret në sistemin e sotëm të shtetit, u bë anëtare e OKB-së, OSBE-së etj. Megjithatë është dobësi që Maqedonia sot të paktën me Qeverinë e Gruevskit, por edhe më parë nuk ka treguar se e ka kuptuar, rrugën për të cilën duhet të shkojë, por disa tregojnë papërgjegjësi dhe pa përgatitje për atë rrugë”, ka thënë Andov.

Sipas Naser Ziberit, ish deputet në vitet e nëntëdhjeta në Parlamentin e Maqedonisë, është e padiskutueshme që Maqedonia shkon pas dhe jo përpara.

“Nëse i krahasojmë rrethanat, mendoj që Maqedonia shkon pas dhe jo para. Në vitet e nëntëdhjeta ishim më përpara sipas rrethanave të atëhershme. Shumë nga vendet si Bullgaria dhe Rumania shkuan përpara dhe u bënë anëtare të BE-së. Kroacia gjithashtu, në vitet e nëntëdhjeta Kroacia ishte në luftë, doli nga lufta, ndërtoi institucione stabile, filloi bisedimet dhe u bë anëtare në BE dhe NATO. Maqedonia me sa duket shkon pas, ajo është bërë një zonë e hirtë”, ka thënë Ziberi i cili nuk e hedh poshtë tezën për ngecjen e shtetit se një pjesë të fajit e ka edhe Greqia e cila e ka bllokuar integrimin e Maqedonisë.”

Edhe pse shteti që nga viti 2008 disi u bllokua për shkak të vetos nga Greqia, Maqedonia ka pësuar rënie edhe në rang listat që organizatat i përgatisin për proceset demokratike. Prej vjet sipas “Freedom House”, Maqedonia është në grupin e shteteve transite dhe me regjime hibride, ndërkaq ka dhe rënie në listat për lirinë e mediumeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button