24 vite Maqedonia nuk shkon përpara

Në Maqedoni shënohet 24-vjetori i pavarësimit të vendit pas shpërbërjes së ish-republikave jugosllave. Partitë opozitare për Portalb vlerësojnë se Maqedonia 24 vjet pas pavarësisë ka humbur rrugën e saj dhe nuk është shteti për të cilin kanë nevojë si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët.

Kryetari i RDK-së Vesel Memedi thotë për Portalb se përderisa luftohet për pushtet dhe jo për ndërtimin e një shteti të shëndoshë, ne do të jemi atje ku kemi qenë në fillet e pavarësimit të këtij shteti

“Maqedonia sot e kësaj dite është duke paguar çmimin e injorimit të një populli të tërë, popullit shqiptarë, si popull konstituent i këtij vendi. Për shkak të këtij sherri të madh që iu bë popullit shqiptarë, shqiptarët me të drejtë bojkotuan referendumin e pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, dhe pa korrigjimin e këtij gabimi të madh ndaj një popullate të tërë, Maqedonia asnjëherë nuk do të shoh hajr. Rezultati i gjithë kësaj shihet edhe sot e kësaj dite ku gati për çdo dekadë jemi dëshmitarë të ndonjë problemi me përmasa shqetësuese. Përderisa luftohet për pushtet dhe jo për ndërtimin e një shteti të shëndoshë, ne do të jemi atje ku kemi qenë në fillet e pavarësimit të këtij shteti”, tha Memedi.

Nga Partia Liberal Demokrate thonë për Portalb se që sa më shumë kalon koha e pavarësisë së shtetit, aq më shumë mbrapa ne shkojmë në të gjitha aspektet.

“Për fat të keq vlerësojmë që sa më shumë kalon koha e pavarësisë së shtetit, aq më shumë mbrapa ne shkojmë në të gjitha aspektet. Sot Maqedonia është një vend i cili thellë thyen të drejtat e njeriut, pothuajse nuk ka demokraci, është e uzurpuar institucionalisht dhe ka një drejtësi të çorientuar. Koha nuk po punon për neve, sepse kemi humbur vite të çmueshme të jetës së qytetarëve duke shkatërruar të gjitha vlerat e shoqërisë për arsye dhe përfitime personale, është bërë keqpërdorimi i qeverisë, janë promovuar gjëra joligjore etj. Nga një shtet me sinonim për stabilitet dhe ndryshueshmëri, ne u shndërruam në një shtet lider të varfërisë, krimit dhe shkatërrimit të mjedisit jetësor”, thonë nga zyra për informim e PLD-së.

Nga aty shtojnë se për të dalë në rrugën e drejtë, përgjegjësit për shkatërrimin e shtetit duhet të përgjigjen për krimet e tyre.

“Për të dalë nga kjo agoni ne duhet të kthejmë sundimin e së drejtës, vlerave të vërteta të sistemit dhe funksionimin e shtetit. Fajtorët duhet të përgjigjen për krimin e bërë, dhe ata kanë edhe emër dhe mbiemër. Na mbetet të mbështetemi të vlerat që n kanë mbetur dhe ato janë, bashkëjetesë të mirë, të respektojmë ndryshimet dhe nevojën për shoqëri të drejtë. Kjo është fotografia për një Maqedoni moderne, ashtu siç duhej të ishte”, thonë nga PLD.

Afrim Gashi nga Lëvizja Besa thotë për Portalb, se nuk është rëndë të konstatojmë se ky shtet ende lufton për t’u bindur vetë por edhe të tjerët se a mund të bëhet vërtet shtet apo jo.

“Edhe pas 24 viteve shtetësi e pavarësi të Maqedonisë, nuk është rëndë të konstatojmë se ky shtet ende lufton për t’u bindur vetë por edhe të tjerët se a mund të bëhet vërtet shtet apo jo. Janë dy faza nëpër të cilët ka kaluar Maqedonia, faza e parë prej shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të kushtetutës së parë (1991-2001) dhe faza e dytë nga lufta e vitit 2001 dhe Marrëveshja e Ohrit si shtojcë e kushtetutës së parë (2001-2015). Ajo që i dallon këto faza është se në fazën e parë vërehej një tendencë e fuqishme për të demonstruar forcë dhe për të majorizuar e diskriminuar shqiptarët, ndërsa në faza e dytë prej luftës së vitit 2001 e këndej, mund të përshkruhet vetëm si një tentativë për t’u bërë edhe shqiptarët element konstituiv i vendit, por pas 14 viteve me lehtësi mund të konstatojmë se kjo tentativë ka dështuar sa për fajin e maqedonasve aq më shumë për fajin e shqiptarë. Ndërsa e përbashkëta e këtyre dy fazave konsiston në faktin se thelbi i shtetit edhe në kushtetutën e parë edhe me miratimin e MO-së mbeti i njëjtë”, tha Gashi.

Ai shtoi se ky shtet është kurdisur keq dhe atij i duhet një ridefinim.

“Ky shtet mbetet ekskluziv i kombit maqedonas dhe është tejet armiqësorë ndaj shqiptarëve. Ai është asimetrik sepse shoqëria është multietnike apo ka dy kombe më të mëdha dhe pakica tjera, ndërsa ndërtimi kushtetues dhe të gjitha simbolet e saja i përkasin vetëm etnisë maqedonase. Ky shtet është kurdisur keq dhe atij i duhet një RIDEFINIM. Ky është qëndrimi i Lëvizjes BESA konform shtetësisë së Maqedonisë. Ne, në asnjë moment nuk do të heqim dorë nga ridefinimi i shtetit sepse jemi të bindur se kështu siç është, ai nuk është aspak funksional, njëkohësisht nuk është stabil dhe nuk prodhon të mira për askënd, aq më pak për shqiptarët. Pa u vendosur secili “gurë” në vendin ne vet, nuk besoj se do të kemi ardhmëri të mirë në këtë vend”, shtoi Gashi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button