Tahiri: Degradime në media, si nga politika ashtu edhe nga vetë profesioni

Në prag të një takimi, që do të zhvillohet në mes të muajit shtator, ku në fokus do të jetë përparimi dhe realiteti i medies shqiptare në Maqedoni, po zhvillohen një cikël intervistash, si dëshirë për të hapur debat dhe për të nxitur apo dhe evidentuar sfidat dhe arritjet e medieve shqiptare.

Ju sjellim intervistën me Sefer Tahirin, Doktor i shkencave të komunikimit, analist i medias dhe profesor në Fakultetin e Komunikimit në UEJL.


Sefer
Tahiri mendon që shoqëria si një organizëm i gjallë çdo ditë përjeton dinamikën e ndryshimit, transformimit dhe zhvillimit. Në këtë drejtim, sipas tij, as mediat nuk bëjnë përjashtim. Natyrisht se duke qenë pjesë e globalizimit, pjesë e “fshatit global”, e cila gjithnjë e më shumë po bëhet një mehallë globale, duke i parë më shumë dhe ndjekur më pak ritmin e mediave botërore, Tahiri thotë se mediat në Maqedoni ecin në rrugëtimin e zhvillimit. Dilema, thotë ai, është, ky zhvillim është pozitiv apo negativ?


Gjatë punës tuaj për dekada si gazetarë dhe tani si studiues i mediave, gjykoni që ka zhvillim pozitiv ose negative te mediat në përgjithësi në Maqedoni?

Tahiri: Nuk mund të bëjë cilësime të këtilla kategorike, por duhet të them se krahas ngritjeve profesionale, në cilësi dhe në dimensionin e respektimit të standardeve profesionale dhe normave etike, por edhe në sasi, në anën tjetër ka pasur degradime, tendenca negative, madje edhe shkatëruese ndaj sistemit mediatik, të cilat janë shfaqur dhe dirigjuar nga pushteti politik, por edhe nga kolegë gazetarë, të cilat për interesa të imta personale dhe të mëdha komerciale, ekonomike dhe politike të pronarëve e kanë sjellë sistemin mediatik buzë greminës. Ka edhe degradime profesionale që janë bërë nga gazetarët. Sot lulëzon gazetaria copy-paste, që nuk citon median që prodhon lajmin, ka mbetur në letër parimi që për të trajtuar një çështje a problem, gazetari duhet të konsultojë dy ose më shumë palë të pavarura mes vete, ka shumë gjuhë të urrejtjes, shpifje dhe ofendime mbi baza personale, media merret më shumë me individin se sa me idetë, me atë se kush e tha e jo me atë se çfarë tha. Kjo nuk është profesionale.

Nëse do ti vlerësonit, cilat media, shqipe apo maqedonase kanë pasur zhvillim?

Tahiri: Zhvillimi mendoj se ka ngecur. Gjithmonë flas për standardet dhe normat, duke mos analizuar aspektet teknologjike dhe dizajnuese-grafike të mediave, që janë element i rëndësishëm, por më tepër janë formë, se sa thelbi i profesionit. Gjithmonë jam marrë me analizën e përmbajtjes,  jo me formën. Për shembull RTVM-ja si shërbim radiodifuziv “publik” (vazhdon të jetë shtetëror), ka studio të re të lajmeve dhe të emisioneve, dukje të re grafike, kushte solide për punë, por profesionalizmi i kësaj medie nuk ka qenë kurrë më i katandisur dhe mua më vjen keq për këtë realitet të zymtë mediatik. Kjo periudhë ka qenë dramatike për mediat, të mëdha ka qenë presionet politike, të shoqëruara me konkurrencë joluajale ekonomike dhe për mua “heronjtë” mediatik janë ata që kanë ruajtur dinjitetin e profesionit, integritetin e gazetarit dhe guximin intelektual për të qenë kritik dhe objektiv ndaj fenomeneve shoqërore! E di, se ka qenë e vështirë të qëndrohet vertikalisht në këtë katrahurë dhe ambient të demokraturës, por disa kanë mbijetuar, disa janë “shitur” e disa të tjerë kamuflojnë pozicionin e tyre në skenën mediatike. Shumë media e dimë se janë mbyllur dhe ky pushtet nëse për diçka mund të “krenohet” me rezultate, mund të lavdërohet me mbylljen e mediave.

Si e shihni faktin që doli nga anketa e IRI se mediet shqipe po marrin ndikim dhe peshë edhe tek publiku maqedonas?

Tahiri: Anketat janë relative! Nuk mendoj se maqedonasit lexojnë gazeta në gjuhën shqipe, njësoj siç nuk mendoj se ndjekin me shumicë televizionet ose radiot shqiptare. Por konsideroj se depërtimi i përmbajtjeve mediatike tek maqedonasit, që prodhohen dhe transmetohen në mediat shqiptare është i lehtë dhe nevojitet ende kohë dhe ambient më relaksues ndëretnik, që publiku të interesohet për “tjetrin”. Ne vazhdojmë të jetojmë njëri pranë tjetrit e jo njëri me tjetrin. Media nuk bën përjashtim, sepse ajo nuk funksionon jashtë kontekstit shoqëror.

Gjatë karrierës tuaj keni punuar në disa media. Në cilën nga këto media keni marrë përvojën më të vyeshme për karrierën tuaj?

Tahiri: Kam punuar në shumë media dhe secila prej tyre është përvojë në vete. E konsideroj përvojë të veçantë nisjen në rrugëtimin profesional në gazetën e përditshme “Fakti”, në vitin 1998, që nga numri i parë i kësaj gazete, e cila u shua pa nam e nishan. Atëbotë ndoshta nuk kishim nivelin e lartë të profesionalizmit, por kishim zellin e pashoq, vullnetin e madh për të sjellë diç të re në këtë profesion, pasi deri në atë kohë nuk ishte ndërmarrë ndonjë nismë private më serioze mediatike. Në vitin 2000 kam nisur punën në RTVM, e cila ka qenë shkollë e gazetarisë dhe duhej të ishte edhe sot, por nuk është. Vetë organizimi institucional, skema programore, teknologjia dhe struktura e të punësuarëve ishin përvojë në vete. E quaj të çmuar dhe të artë këtë përvojë profesionale. I kam dhënë RTVM-së shumë, vitet më të bukura të jetës sime, por edhe ajo më ka dhënë shumë.

Duke qenë gazetar që kam synuar vazhdimisht risitë dhe kontrubutin tim individual në ngritjen e kapaciteteve mediatike, në vitin 2006, pa asnjë dilemë, së bashku me bashkëshorten time Arta Tahirin i jemi bashkëngjitur një projekti shumë serioz për shoqërinë shumëkulturore, jam bërë pjesë e ekipit të parë të TV ALSAT-M, në të cilin deri në vitin 2008 kam qenë zëvendëskryeredaktor dhe redaktor i lajmeve. Këtë periudhë e quaj përvojë të pjekurisë dhe ngritjes profesionale. Dua të përmend, ndoshta më shumë për gazetarët e rinj, se entuaziazmi ishte aq i madh, saqë shpesh kemi qenë në punë nga 12 ose më shumë orë. Ka qenë entuziazmi i madh, që ka kontribuar që këtë sfidë ta përballojmë me sukses. E them këtë që të jap një porosi se në gazetari mund të kenë sukses jo vetëm ata që dinë të shkruajnë dhe hulumtojnë, por ata që e duan këtë profesion.

Në mesin e mediave, në të cilat jam kultivuar si profesionist nuk mund të mos e përmend radion Evropa e Lirë, në të cilën paralelisht me angazhimin në mediat vendore, kam punuar korrespondent nga Maqedonia nga viti 2001 deri në vitin 2011. Mund ta definoj si përvojë e skalitjes sime profesionale, meqë 10 vite të plota së bashku me kolegët kemi punuar në bazë të standardeve profesionale ndërkombëtare. Kam bashkëpunuar edhe me gazetën e përditshme “Lajm”, që sot është media kritike dhe lajmëtare e demokracisë dhe me revistën “Lobi”, e cila ishte për kohën ishte hapësirë e lirisë së fjalës.

Në bazë të përvojës tuaj, cilat konsideroni si media në avantazh në Maqedoni, ato të shkruarat, televizivet ose mediat elektronike, sa i takon shikueshmërisë ose lexueshmërisë?

Tahiri: Trendi botëror tregon se publiku më pak preferon mediat e shkruara dhe më shumë ato online, ndërsa televizioni vazhdon të ruajë ndikimin. Tjetër gjë është besueshmëria, sepse jodomosdoshmërisht mediat që janë të ndjekura, janë edhe kredibile.

Mendoj se si pasojë e digjitalizimit dhe zhvillimit të mediave të reja, duhet urgjentisht të transformohen gazetat, duke sjellë përmbajtje joinformative, analitike dhe zhanre beletristike, ndërsa garën me mediat online tashmë e përjeton edhe televizioni, sepse publiku dëshiron të ndjek përmbajtje gjatë 24 orëve. Ky është publiku online dhe media duhet të kuptojë që kanë ndryshuar jo vetëm preferencat, por edhe mënyra e ndjekjes së mediave.

Është e vështirë të përcillni te gjeneratat e reja, studentët tuaj të gazetarisë, leksione mbi gazetarinë profesionale, në një kohë kur janë të rrethuar nga një numër jo i vogël mediash dhe gazetarësh joprofesionistë?

Tahiri: Ditën e pare kur kam shkelur në universitet, në Fakultetin e Komunikimit të UEJL-së, kam thënë para studentëve dhe ua përsëris vazhdimisht se aty jam që tua tregoj dhe shpjegoj standardet profesionale dhe normat etike, por njëkohësisht duke ua treguar edhe realitetin e medias sonë, duke u treguar me shembuj konkret se si shkilet Kodeksi i gazetarëve. Pra, studentëve u ligjëroj si si duhet të bëhet gazetaria dhe se si mediat nuk bëjnë gazetari, por përmes saj realitojnë funksione tjera si propagandë, marrëdhënie me publikun, komunikim politik ose marketing ekonomik. Gazetaria nuk është as propagandë politike e as reklamë ekonomike. Me studentët jam i sinqertë, nuk dua që tu shpjegoj se si është gazetaria në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nesër kur të shkojnë në redaksi të përballen me ambient joeuropian. Thjesht metodologjia e mësimdhënies është ligjërimi se si duhet të jetë tipi ideal i gazetarisë dhe si është gjendja tek ne. Studentët meritojnë të dinë të vërtetën, edhe kur ajo është e hidhur!

Si e vlerësoni raportin pushtet-medie në Maqedoni? Sa të rëndësishme janë këto marrëdhënie për të pasur një shoqëri demokratike?

Tahiri: Fatkeqësisht kjo marrëdhënie është e disfavorshme për mediat. Pushteti përkatësisht sistemi politik vazhdon të ketë supremaci mbi sistemin mediatik. Natyrisht se nuk mund të pretendojmë që në një shoqëri si e jona, media të jetë zëdhënëse vetëm e qytetarëve përkatësisht e opinionit publik, por të paktën këto marrëdhënie duhet të jenë korrekte dhe të natyrshme. Pushteti me anë të reklamave qeveritare ka arritur të “blejë” pjesën më të madhe të mediave. Duke ditur se në jetë gjithmonë vlen parimi se ai që paguan orekstrin, porosit edhe këngët, përgjigja është e qartë. Në Maqedoni, një pjesë të madhe të mediave i paguan pushteti!

Raportet e fundit për lirinë e mediave tregojnë se nga viti në vit mediat në Maqedoni dhe rajon janë gjithmonë e më shumë nën trysninë e pushtetit. Si i shihni këto rezultate?

Tahiri: Rezultate janë frapante, dëshpëruese dhe flasin për nivelin e ulët të lirisë së mediave. Maqedonia ka ecur me ritëm të shpejtuar, por në drejtim të kundërt në rrugën e lirisë së mediave. Mendoj se më nuk duhet të flasim për këto rezultate, por për tejkalimin, gjetjen e modaliteteve për kapërcimin e saj. A ka fakt më të madh që ilustron se çfarë lirie të medias kemi, se sa ky që Maqedonia nga vendi 37, para 10 viteve, ka rënë në vendin 125, në vitin 2015? Pra 100 vende më poshtë dhe sot krahasohemi me Eritrenë, Togon, Nikaraguan, Mozambikun e kështu me radhë. Por përgjegjësi për këtë krizë të lirisë së mediave kanë edhe gazetarët. Ne, të gjithë, jo vetëm ata që mbushin xhepat me paratë e pushtetit dhe u shpërlajnë trurin qytetarëve.

Cili duhet të jetë roli i subjekteve politike për lirinë e medias tani kur kanë në dorë të vendosin për fatin e TVM? Cili do të ishte vendimi ideal për TV publik?

Tahiri: Modeli ideal do të ishte që politika të heq dorë nga ndikimi ndaj RTVM-së. Pra, që politika apo partitë politike të kuptojnë që kur fitojnë zgjedhjet, nuk fitojnë edhe RTVM-në. Ndryshe pse të quhet shërbim publik! Në Evropë, ky shërbim mediatik apo radiodifuziv quhet publik, sepse themelohet nga publiku, financohet nga ai dhe mbron, promovon e afirmon interesin publik. Mendoj se për të pasur shërbim radiodifuziv publik duhet të ndërrmeren disa hapa konkret. Duhet të bëhet depolitizimi faktik, jo vetëm formal-juridik në procesin e zgjedhjes së organeve drejtuese, Këshillit programor dhe drejtorëve ekzekutiv. Duhet të rikthehet modeli, sipas të cilit struktura e Këshillit të RTVM-së do të pasqyrojë dhe reflektojë interesat e grupeve të ndryshme sociale. Duhet të rritet taksa radiodifuzive, sepse niveli i saj nuk duhet të jetë në përputhje me pritjet e qytetarëve, sepse vetëm me rritjen e taksës do të mund të arrihet pavarësia financiare. Duhet të rriten kapacitetet profesionale, në stafin e gazetarëve dhe redaktorëve, sepse një pjesë e madhe janë larguar në televizionet komerciale dhe sot janë bartësit e produksionit programor në këto media. Ajo që është thelbësore dhe që po e them në fund dhe që e thashë edhe në fillim, por që për nga rëndësia është parësore-politika dhe organet drejtuese nuk duhet të shkelin Ligjin e mediave, sepse në aspektin normativ ky ligj parashikon shërbim të pavarur publik, pasi në të thuhet se raportimi duhet të jetë i pavarur nga qendrat politike, pushteti, qendrat ekonomike dhe nga ndikimet tjera. Ne kemi disproporcion midis normës dhe realitetit, midis të shkruarës dhe praktikës. A kemi raportim të balancuar dhe të pavarur në programet e RTVM-së! As që bëhet fjal për këtë.

Si janë marrëdhëniet tuaja me kolegët dhe personalitetet e mediave meqë si analist shpesh ju duhet të përballeni me diversitet mendimesh? Sa janë marrëdhëniet e mira kolegiale të rëndësishme për të lehtësuar punën e një gazetari?

Tahiri: Marrëdhëniet me kolegët janë të shkëlqyera. Kam hapësirë, madje mund të them edhe suficitare për artikulimin dhe shpalosjen e ideve dhe qëndrimeve të mia politike dhe jopolitike. Jam pjesë e debatit mediatik, sado që ai është i mangët! Kjo falë raporteve korrekte dhe të ndershme që i kam ndërtuar me vite me kolegët e mi, si reporter ose redaktor dhe së fundi edhe mësimdhënës dhe analist politik. Mendoj se duhet të ketë solidarizim midis kolegëve dhe duhet të ruhet dinjiteti i profesionit të gazetarit. Kohëve të fundit, edhe në mediat shqiptare ka zëra që ulurijnë, që etiketojnë, sulmojnë mbi baza personale. Kështu nuk bëhet debat demokratik. Kjo nuk është gazetari, por marrëzi.

Po si e shikoni antagonizmin që shfaqet mes medieve, vërehen përballje mes tyre?

Tahiri: Do të isha shumë i lumtur dhe do të ndjehesha më mirë profesionalisht, nëse në vend të antagonizmave për interesa politike, të ketë konkurrencë dhe ja le të quajmë edhe antagonizëm, por mbi baza profesionale. Kjo, që ndodh sot është përballje joparimore, joetike dhe në fund të fund i jep njollë të keqe profesionit të gazetarit. Politikanët fshihen pas mediave dhe etiektojnë pa etikë secilin që nuk u shkon për shtati. Gazetaria, megjithatë ka qenë, është dhe do të mbetet profesion fisnik dhe i ndershëm. Keqpërdoruesit dhe devijuesit nuk janë gazetarë!

(Nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media në gjuhën shqipe)

Lajme të ngjashme

Back to top button