Ka diçka që s’e shpjegoj dot

Shqipëria politike. Verë, 1991.

Shqipëria më kujtohet nga ditët e fëmijërisëk, kur pleqtë e kujtonin me ngazëllim Ahmet Zogun.  “Baba mbret“! thoshte im gjysh dhe krenohej me të. Më kujtohet edhe më shumë nga ditët e rinisë, kur nëpër terr shqiptohej me pëshperitje emri i Enver Hoxhës, nëpër ndenja të rinisë. “Eu Enver, he tungjatjeta”… Kujtimet e mia të atyre viteve për Shqipërinë do të marrin goditje të fortë në vitin 1991, kur nga pika kufitare e Vërmicës në Kosovë hyra përfundimisht në tokën e bekuar. Më priti ftohtë ky dhe, më priti me njëfarë pikëllimi të paparë. Sa dola nga Vërmica ku gurgullojnë e rrjedhin disa gurra, bukurinë e të cilave do t’ia kisha lënë romantikëve ta përshkruajnë – ja Morini – një fshat i vendosur në anën e majtë të udhës Prizren – Tiranë, në kodrinë. Fshat që sot është brenda kufijve të Shqipërisë politike. Shtëpitë të vogla, të vjetra, të zymta. Do të kisha thënë – një fshat i mbuluar me arrna. Njerëzit që shikonin së largu të molisur, me flokë të përdredhura nga papastërtia, thuajse janë të gjithë me flokë kaçurrela, me pamje të fatkëqijve që u ka rënduar sëmundja mbi shpatullat e lodhura.

Sa keq! Unë kam pritur shkëlqim e lule, ashtu si e imagjinonin njerëzit, shumica e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve!

E vazhdoj udhën për në Kukësin e Ri. Pas kontrolleve të egra të policisë serbe dhe kontrollit grotesk të palës shqiptare, ku më pyetën a kam armë me vete dhe më ndalën mjaft në doganë, jashtë na presin nikoqirët, fareisi i gjerë. Përqafime, lot. Aty na pret minibusi.

Nisemi me padurim! Vapë. Udha e ngushtë, kthesa-kthesa. Për anësh kodrinat me dhe të kuq, një kontrast i paparë me dheun e mbuluar me gjelbërim, në anën e Jugosllavisë politike. Them: sa të ulëta, sa të pashpirta paskan qenë fuqitë e mëdha kur e kanë vizatuar kufirin përmes tokës shqiptare, duke i falur Serbisë blerimin, kurse  dheun e kuq e shkrepat Shqipërisë. Sa të egra paskan qenë  vendet vendimmarrëse të fillimit të shekullit njëzet! Ecim duke u tundur nëpër gropa. Pastaj.  bunkerë, bunkerë, bunkerë… Aty-këtu ndonjë fatkeq duke kullotur një ose dy dhi.

Këtu e kishte vështirë edhe dielli të depërtonte nga shtresat e rënda të zymtësisë dhe të mjerimit.  Mirëpo ishte diçka epike që e shndërronte në lirikë këtë vend. Njeriut si unë që është lidhur me këtë vend i rri Muza pranë dhe e mbulon sa mundet mjerimin dhe mundohet ta hapë paskajshmërinë e bukurisë që e fsheh vendi i Naimit dhe Fishtës. Vendi i Petro Nini Luarasit. Dhe shpejt e gjen melodinë më të bukur që i përgjigjet tekstit të shkruar për ndonjë këngë me titullin Shqipëria.

Ndërkohë – pas një udhëtimi jo të lehtë – ja edhe Kukësi i Ri. Miqtë ku jam nisur të shkoj na presin familjarisht para hyrjes së ndërtesës. Përqafime, përmallime, ngazëllim. E shkelim pragun e miqve. Nikoqirët na presin sipas rregullave që i lypte dikur mikpritja shqiptare. Kafe, „bukë, kripë e zemër“ dhe “çka ka dhanë Zoti“. Dritarja e dhomës së miqve, ku rrimë  – e hapur. Fryn ngapak freskia nga liqeni artificial ku derdhet Drini i Zi dhe Drini i Bardhë e përmes dritares e lufton vapën e cila na mbulon me djersë.  Poshtë dëgjohet zëri i fëmijëve të lagjes. Janë mbledhur  shumë. I ka tërhequr kërshëria. Makina dhe mysafirët. Kur zbritëm nga makina na ndiqnin me shikime thuajse jemi alienë. Tash sillen rreth makinës.

„Mos u mërzit“, më thonë nikoqirët, „ka dalë Dina  të kujdeset për makinën“.

Pastaj, shtrohet buka si e do protokolli i pashkruar i mikpritjes shqiptare. Gjithmonë ka më shumë se bukë e kripë. Të gjitha të mirat renditen n tryezë. I shikoj njerëzit: sytë u shkëlqejnë nga gëzimi që pas aq shumë viteve jemi parë, në të vërtetë gëzohen që po njihemi si njerëz të një gjaku, që më në fund jemi ulur rreth një sofre. Njerëz të dashur, njerëz të mirë janë nikoqirët.

Këto jnaë mbresat e para nga çasti kur hyra në Shipëri, ky është realiteti që e pamë nga dera gjysmë e hapur e Shqipërisë së ëndërruar, derë kjo që ka qenë e mbyllur me dry të madh me decenie. Këto janë mbresat për këtë vis të Shqipërisë së mbetur peng rreth kufirit të ndjekur nga syri policor serb, ky është realiteti  me kontraste. Mbi relievin e saj rëndojnë shkrepat dhe argjilja – nëpër shtëpi mjerimin e mund fisnikëria dhe respektimi i mysafirit si te Pellazgët, sepse „shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit“.

Dallimi në standard ekonomik midis nesh – shqiptarëve nga Jugosllavia politike dhe nga Shqipëria e cunguar janë të mëdha. Kjo krijon nje atmosferë të ngushticës shpirtërore. Bie në sy në çdo cikërrimë. Mungojnë gjërat që për ne janë krejtësisht të rëndomta. Nuk ndjehemi mirë. Mirëpo nikoqirët e mirë e bëjnë të pamundurën që të jemi të kënaqur dhe ta harrojmë dhembjen që na shkakton zymtësia dhe varfëria e cila na priti në vendin “e kopshtit me lule”.

 „A dalim pak te turizmi“?  më pyesin pas darke.

„Dalim“, thashë, ndonëse nuk e dija se për çfarë është fjala. Shpejt para nesh doli një motel i bukur në brigjet e liqenit. Ky ishte „turizmi“! Pasuan pije pas pijeje, meze pas mezeje. Dhe, kuptohet – muhabeti vëllazëror. Tavolina jonë u mbush aq shumë me gota e pjata sa ndjehesha keq. Mendoja mos po shpenzohen shumë e pastaj të lodhen duke i kompenzuar paratë dhe duke i kthyer borxhet. Të paguaj unë? As që mund ta hapja gojën. Unë isha mysafiri i tyre dhe imja ishte të rri ashtu si e do zakoni.

Kuptohet se gëzimi i tyre që u pamë e u njohëm ishte kryesori në këto çaste, kurse paraja as që vihej në terezi. Për ta mikpritja nuk matej me asgjë. Ishte më e shtrenjtë se ari.

Do të shkojmë në Durrës, do të shkojmë në Tiranë…

Me njërin nga nikoqirët dhe me katër anëtarët e familjes sime të gjerë u nisëm. E pyes nikoqirin: sa orë është larg Durrësi?

„Po, 8 deri më nëntë orë“.

Nëntë orë nga Kukësi në Durrës?! E pamundur, po ta kemi parasysh hartën. Ky, thashë vetë me vete unë,  sigurisht mendon se ne do të shkojmë me traktor në Durrës.

Po kur morëm udhë, ec e ec, ec e ec, orët kalonin, e udha s’mbaronte.

„Edhe sa ka“?

„Edhe pak, sa të dalim në rrafsh, aty jemi“.

E kalojmë Pukën, e kalojmë Mirditën, por kalojnë edhe orë të tëra. Asgjë nuk duket përveç shtëpive të molisura të vendosura nëpër dheun e kuq dhe nëpër shkrepa. Një peizash i trishtë, ku herë pas here duken xingona e poshtë lumi si gjarpëron duket si një gajtan i zi, i gjatë. Po rrafshi – askund.  Nëpër stacione, nëpër fshatra të varfra  njerëz të rraskapitur e presin autobusin në udhëtimin ku rrafshi nuk del kurrsesi në horizont! Kjo është udha më e keqe që kam parë. Ajo është plot kthesa, lak e leqe, si tërkuza në thes. Pas një kthese një burrë e një grua kishin vënë do degë në udhë në aso pozite që të jesh i detyruar t’i shkelësh degët. Më thanë se kështu i shkundin gjethet dhe i mbledhin pastaj. I përdorkan për ilaç.

Më në fund – Rubiku! Në qytezë e bukur që dukej si të ishte e gdhendur maje shkëmbi. Përballë tij Ura e Zogut. Epo shyqyr Zotit – rrafshi!

Kur arritëm në Durrës, e pashë se kishin kaluar nëntë orë të plota. Nikoqiri saktësisht e kishte ditur.

Qyteti i qetë. Askund nuk duket ndonjë veturë. Kryelëvarësia (s’kam tjetër term më të përshtashëm, është përkufizimi i vetëm që mund t’i bëhet udhës së kaluar nga Kukësi, në Pukë e Mirditë) është përditshmëria e cila ka qenë e stacionuar dhe e gurëcuar në këto anë. Kjo vlen edhe për Durrësin, ndonëse hetohet një gjallëri pak më e madhe.

Përvoja e udhëtimit të lodhshëm dhe heshtja mundimshme e qytetit janë  mbushur edhe me kërshërinë e njerëzve të këtushëm  për  të parë nga afër si duken njerëzit „nga jashtë“. Tjera gjëra që më bien në sy janë  se akund nuk ka njeri barkmadh, se s’ke mundësi të blesh asgjë përveç fiqve e ndonjë gazete, se këtu mund ta përjetosh mjerimin që i kapërcen përmasat e poezisë dhe prozës së Migjenit.

Pamënitë, ndërkaq, janë madhështore. Male që u shkon epika dhe blerina që shfaqen pas Rubikut e  të cilave u shkon lirika. Deti me plazhet e pafuntme në Durrës.

Ndërkohë edhe në Durrës na pret tradita e ruajtur mirë e mikpritjes. Dhe, njeriu në këso situate e pyet veten: nga vjen e gjitthë kjo energji.

Vjen koha ta shohim Tiranën. Duke mos e përfillur lodhjen,  shkojmë në Tiranë. Njeriu mund të pyetet nga e gjetëm gjithë atë benzinë për dhjetë orë benzinë në këtë skamë? Thjesht na vinin bidonat plot benzinë pa e ditur se nga, thuajse nga qielli. Miqtë i siguronin nga kooperativat e ndërmarrjeve që kishin nisur të përballen me tërmetet e ndryshimeve politike e ekonomike të vendit që po ndahej nga komunizmi. Nejse.

Tirana, kryeqyteti të cilin e kemi ëndërruar. I zymtë, i qetë, por shumë i ndryshëm nga Kukësi e Durrësi. Njerëzit më duken mjaft mospërfillës. Pastaj e kuptova se ishte nga  frika që të kontaktojnë me „të huajt“.

Në Tiranë përballem me zhgënjimin e madh. Aty e zbuloj një realitet të dhembshëm: askush nuk çan kokë për Shqipërinë! Njerëzit, pa e parë botën e glorfikojnë çdo gjë që është „jashtë“.

„Pse nuk shkruani serbisht“?

„Pse nuk martoheni me maqedonase“

„Ç’kërkoni ju“?

„A jeni kosovarë, apo jeni maqedons“?

„Ç’ju ka dehur ai legen Enveri“?… e pyetje të tjera të kësaj natyre. Ndërkaq një intelektual i njohur tha:

„U kam thënë studentëve të mi: ikni nga Shqipëria“!…

Gazeta „Zëri i popullit“  jep shpjegime për tranzicionin me gojën e atyre që e kanë ngritur diktaturën më të egër ose të pasardhësve të tyre, shpjegime këto që më vonë do të sjellin ndryshime të hajrit (në ndërtimtari) dhe të pahairt në jetën shpirtërore. Me të madhe „në fronin“ e politikës, të mediave  të ekonomisë dhe të drejtimit të shtetit do të mbeten bijt e atyre që kanë qenë në timonin e partisë së punës, ndërsa mungesa e politikës për zhvillim të barabartë të të gjitha viseve do t’i dyndë të gjitha fshatrat e malësisë nga veriu e nga jugu – në Tiranë, ku ështe kapitali dhe ku është shpresa për bukë të grujtë e për ta gjetur derën nga e cila dilet nga mjerimi.

Gazetarë e Tiranës së atëhershme dukeshin paradoksalë dhe ligjërimet e tyre ishin ecje nëpër shtigjet e absurdit. Ndërsa të rinjtë nga provinca duhej ta kalonin purgatorin që të arrijnë në hapësirat e sukseseve në karrierë.

Ikim nga Tirana. Më vinte ta këndoj atë këngën gjakovare „ma mirë në fshat se në qytet“. Por isha edhe i pikëlluar.

Do të kthehemi në Kukës. Kaq e pat vizita jonë.

Rrugës labirint për t’u kthyer në Kukës, aty –këtu shohim ndonjë polic me uniforma të vjetra, pa rruar, shpesh të imët dhe me ndonjë pullë që s’e kanë në bluzat e vjetra dhe të pluhurosura, fëmijë që i mbajnë duart e shtrira për një çamçakëz. Dhe, kuptohet njerëz të molisur, ndërtesa  të përhime e trishtuese të ndërtuara nga koha e Enverit, fshatra të varfra që kanë bërë jetë Makondoje.

Kukësi ishte pika më e ndritshme e këtij udhëtimi të vitit të larët 1991.

Në Kukës u futëm në një botë ku gërshetohen varfëria dhe bukuria. Drini i Bardhë dhe Drini i Zi aty bashkohen duke e bërë liqenin e madh artificial që e mbulon një pjesë të zymtësisë. Nën liqen ka mbetur Kukësi i Vjetër. Mirëpo liqeni e as deti nuk mund ta mbulojnë asnjë cep të gjuhës shqipe. Këtu duket qartë se gjuha shqipe është atdheu ynë të cilit askush nuk mund t’i vendosë kufij. Në takimin e dy palëve të shqiptarëve që kanë jetuar në realitete të ndryshme mbetet një shije hidhëtie. Mbeten dhembja dhe pamundësia për ta ndihmuar njëri-tjetrin.

Kthehemi në Vërmicë. Na pret polica jugosllave, më mirë të thuhet serbe. Na kontrollojnë. E gjejnë një fjalor të gjuhës shqipe në valixhen time që e  hallakat duke shikuar çdo cikërrimë.

Polici më thotë:

“I ke dy opsione: ta lësh këtu këtë libër ose ta kthesh. Mua më duhen dy ditë ta lexoj këtë libër”!

I them i nervozuar:

“Unë tërë jetën e lexoj këtë libër e s’i dal dot në skaj sepse është det, kurse ti po ma lexuake për dy ditë! Do ta kthej” i them. Dhe e kthej. Ia jap një miku që na ndoq me shikim duke iu afruar kufirit të Kosovës të kontrolluar nga serbët.

Kur largohem nga kufiri, nga policia serbe, them vete me vete:

Ka diçka që s’e shpjegoj dot: “Shqipëria, megjithatë,  e ka një magji të cilën s’e ndërroj ‘me tërë Lidinë’, siç thotë Sapfoja e madhe. Më duhet të vij edhe një herë, edhe dhjetë herë, edhe njëqind herë që ta gjej çdo notë që ta shijoj këtë magji që kumbon nëpër këtë reliev që e ka mbrojtur Skënderbeu.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button