Në agoni dhe lot, familjarët e të burgosurve të rastit “Kumanova” presin reagimin e gjykatës

Portalb ishte në “Lagjen e Trimave”, por këtë herë jo për të takuar ata banorë, të cilët pasojat e 9 Majit po mundohen t’i mbulojnë me rindërtimin e shtëpive të shkatërruara; por për të takuar njerëzit më të afërt të të burgosurve, për të cilët 9 Maji shënoi fundin e ditëve të lumtura të jetës familjare.

Ata për Portalb thonë se do ta padisin shtetin për keqtrajtim të burgosuve.

Sipas tyre, vizitat e shtrenjta të të burgosurve janë të rralla dhe të shkurtëra, ndërsa nuk ka asnjë zgjidhje për të shuar mallin e fëmijëve të mitur.  Me këtë rast, ata me lot në sy rrëfejnë tmerret e përjetuara, ndërsa me padurim e presin seancën gjyqësore dhe marrjen e një vendimi gjyqësor në favor të lirimit të të burgosurve, që sipas tyre, janë të pafajshëm.

Medikamente
Medikamente

E shoqja e të burgosurit, Irfan Lutfiu, i njohur si “Berberi i Lagjes” deklaroi për Portalb: “Po na mungon shumë. Ky i vogli nuk din a djali i madh 6 vjet i ka, ai shumë po mërzitet. I vogli tash i bën 2 vjet.” Ajo tha se Irfanin e vizitojnë dy herë në muaj dhe se mirë e ka gjendjen, megjithatë ka nevojë për medikamente e krema. “Në burg mjekët nuk po i kontrollojnë sa duhet, ja medikamentet: ne prej këtu i blejmë e ia dërgojmë. Ka lënë grua me dy fëmijë, askujt nuk i intereson a kemi për të ngrënë a kemi për të pirë. Ndihmë prej popullit, po, kemi pranuar, por prej shtetit asgjë. Tre shtëpi na i kanë shkatërruar, pra edhe barakën e djalit ku ka punuar, por nuk na i kanë vlerësuar dhe ashtu kanë mbetur.”-tha babai i Irfanit, Liman Lutfiu. Sipas tij, bëhen shumë harxhime gjatë vizitave.

Pyetjes se a kanë provuar ta padisin shtetin ashtu siç qarkullonte një lajm në media, e shoqja e Irfanit iu përgjigj: “Po, kemi bërë kërkesë dhe kemi dhënë deklarata.” Sipas saj, kjo padi do të dorëzohet dhe shpreson që rasti të zgjidhet në mënyrë të drejtë.

Samet Fejzullahu, vëllai i Fadil Fejzullahut foli për vizitat në burg: “Fadili është i plagosur, prej në gjoks plumbi i ka dalë në shpatull. E patëm konsideruar të vdekur deri në mbrëmje (më 9 maj), por tani është më mirë. E vizitojmë unë si vëlla, gruaja e tij dhe vetëm vajza e madhe (19) dy herë në muaj, më shpesh nuk kemi mundësi. Por më shumë se 15 minuta nuk na lejojnë të rrijmë brenda. Shkojmë në 7 të mëngjesit, në 7 të mbrëmjes kthehemi.” Sipas tij, ata dhe familjarët e të burgosurve të tjerë të rastit të njejtë diskriminohen: “Shkojmë të parët, të fundit hyjmë.”

“Vajza tjetër dhe dy djemtë nuk mund ta shohin, se janë nën moshën 18 vjeçare. Mezi presin që të paktën ditën kur të jetë seanca gjyqësore ta shohin prej së largu se është i gjallë.” –tha Sameti.

Ndërsa në lidhje me procedurën gjyqësore ai tha: “Nuk dijmë ende asgjë, po presim. Derisa të zgjidhet prokurori i ri nuk do të ketë gjykime!” “Po e shtyjnë, në tjetrin muaj, në tjetrin muaj, tash më 4 tetor na kanë thënë se do të jetë seanca.”-shtoi Liman Lutfiu.

Shtëpia e Sametit, vëllaut të të burgosurit, Fadil Fejzullahu
Shtëpia e Sametit, vëllaut të të burgosurit, Fadil Fejzullahu

“Kam shtëpi edhe këtu (në rrugën e shkatërruar), por ka kohë që kur e patëm mbyllur, se jemi shpërngulur lartë, rrugës për fsh.Rramanli, 2 km larg prej këtu, shkaku se mirremi me bagëti e bujqësi. E fillimisht atje ka krisur. Në ora 5 na kanë sulmuar… dyer, dritare gjithçka kanë thyer. Atë ditë edhe mua me 11 anëtarë të tjerë të familjes na kanë arrestuar. Nëna (e ndjerë) ishte e sëmurë prej zemrës, në shtrat të vdekjes ishte. Mirrte frymë me një paisje dhe sa nuk e mbytën kur ia lëshuan shpejtë. Policët nuk i lejonin as gratë t’ia rregullojnë atë paisjen ashtu siç duhet. Prej në 5 deri në 12 na kanë mbajtur në gjunj, të gjithëve na kanë rrahur. 4 djemtë e mi, po edhe një djal të mixhës, i cili rastisi të jetë te ne duke e pyetur: Çfarë kërkon ti këtu? Po ne jemi familje, një mbiemër kemi, jetojmë në një rrugë, s’mund të na akuzojnë pse qëndrojmë bashkë. Ai pasi ka qëndruar deri vonë në mbrëmje  ka hezituar të kthehet në shtëpi e ka fjetur. Maltretime të mëdha na janë bërë në burg, për 24 orë! Katastrofë! …Nuk e dij çka ishte problemi. Skemi ditur asgjë, po të kisha ditur diçka a do të qëndroja aty?!”-sqaroi Sameti e pavarësisht barrës për t’u kujdesur tashmë për dy familje, pasi Fadilit për 24 orë ia kanë ndalur edhe ndihmën sociale që ka marrë ai tha “Fadili është blegtor, ka 200 copë dhi në fshat, i ka ruajtur me një shok bashkë, as s’ka pasur lidhje me atë çka thonë. Çudi e madhe!… Por ishallah vetëm dalin shëndosh e mirë, ne të gjitha po i përballojmë! S’kemi çfarë të bëjmë.”

“Le të kthehen te fëmijët e vetë, pastaj më nuk do ta kemi dertin e tyre.”– shtoi babai i Irfanit, 68 vjeçar.

Për Portalb foli edhe Luljeta, bashkëshortja e të arrestuarit Besnik Ajdini: “Ndihma kemi marrë si të gjithë edhe ne, vetëmse shteti nuk ka vlerësuar asgjë. Por ditët e shpeshta, fëmijët po lypin, nuk po pysin a s’ka. Tani shkolla ka filluar, tani të gjithë përgatiten për dimër unë asgjë s’mund të bëj, 0 kam mbetur. E vizitoj në çdo tre javë. Po edhe te ai në vizitë për të shku po bëj harxhime, shumë vështirë: si dy familje kur i mirëmbajë, të dhëna atje, të dhëna këtu. Çdo ditë fëmijët e kërkojnë, po mërziten fëmijët këtu, po mërzitet ai atje. Unë jam e shkatërruar në të dy anët: edhe shtëpia edhe burri. Shtëpinë nuk e kanë vlerësuar fare. Besniku po thotë ‘S’po e di pse më kanë marrë këtu!’

Ajo e mbështet mundësinë e padisë kundër shtetit për malltretimet e përjetuara, duke u bazuar në pafajësinë.

“Po jam kundër atij malltretimi. Pse të na bëjnë ashtu? Ne s’kemi ditur asgjë. Burri im prej në punë kthehet në shtëpi. As fqinjët e lagjes nuk i njeh të gjithë. Por të gjithë që e njohin e dijnë se Besniku çfarë njeriu është. Të gjithë po çuditen pse ky është marrë. Ky askujt si bën asgjë, as një bubrrec nuk e shkel. Kur njeriu ka faj e din fajin edhe e pranon, rri patjetër. Por kështu, pafajësia po vret shumë. Është shumë e vështirë!”

11994298_1660620310850567_1541835488_n

Znj. Luljeta vazhdon të rrëfejë: “Vjehrra, kunata dhe vajza kanë fjetur në këtë dhomë, në çastin që i larguam prej aty, gjuajtën, ja dritarja, për pak kanë shpëtuar! Tërë kohën kemi qëndruar të shtrirë përtokë. Në 10 kur dolëm në oborr kishte shumë policë e ushtarë dhe Besnikun e malltretuan para fëmijëve. Shumë keq janë sjellur! Më duket sikur vetëm edhe nëse e kujtoj atë çfarë kemi përjetuar, më nuk do të mund të zgjohem. Brenga ime më e madhe është Besniku. Vetëm ai të lirohet. Vështirë është ta mirëmbaj e vetme tërë familjen. Fëmijët pa babë po haliten ma shumë, a ndoshta edhe prej traumës.”

Besniku është baba i 4 fëmijëve: 17 vjeçar, 13, 6 dhe 5 vjeçar. Andi i vogël, për të cilin mosha tregohet me gishtat e njërës dorë, siç tha vetë “jam hala i vogël për me shku te shkolla”, me padurim pret çastin ta takojë babanë./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button