Le Pen: Gjermania po lejon hyrjen e refugjatëve ngase ka nevojë për rob

Udhëheqësja e së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen, ka ngritur sot akuza mjaft të rënda në adresë të Gjermanisë, duke theksuar se ky vend po pranon me mijëra refugjatë, ngase synon të ul pagat dhe të punësojë rob.
Gjatë një vizite në qytetin e Marsejit, Le Pen theksoi se Gjermania me gjasë është duke menduar se popullata e saj është duke u plakur dhe tkurrur dhe sipas të gjitha gjasave synon të zvogëlojë edhe pagat, duke punësuar rob falë imigracionit masiv.
Ajo gjithashtu akuzoi Berlinin se politikën e vet të imigracionit po synon t’ia imponojë Bashkimit Evropian.
Le Pen tha se Gjermania jo vetëm që dëshiron të drejtojë ekonominë e Francës, por synon të detyrojë Parisin që të pranojë me qindra mijëra azilkërkues.
Në anën tjetër, Partia e Majtë në Gjermani për krizën aktuale të refugjatëve akuzuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarët e kësaj partie insistuan se Qeveria në Berlin duhet të kërkojë nga Uashingtoni që të përfshihet në mbulimin e shpenzimeve për strehimin e refugjatëve.
Në një kumtese të kësaj partie u theksua se shtetet perëndimore, nën kryesimin e Amerikës, kanë destabilizuar shumë rajone, duke nxitur kështu krizën e refugjatëve, njofton Rtv21.

Lajme të ngjashme

Back to top button