Kuvendi i heq mandatin e Armando Prengës

Ka nisur paraditen e sotme sesioni i ri parlamentar, ku çështja e parë në diskutim dhe votim ka qenë kërkesa e prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste (PS), Armando Prenga, pas ngjarjes së Laçit ndodhur tri ditë më parë, njoftojnë mediumet nga Shqipëria.

Heqja e mandatit të deputetit Prenga, që u përfshi në një konflikt të armatosur mbrëmjen e së premtes në Laç, është miratuar me 118 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim. Por duke reaguar ndaj çështjes ‘Prenga’, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa tha se ai futi kriminelët në Parlament. Vetë kryeministri Rama nuk ndodhej në atë moment në Kuvend, pasi ishte i ftuar në një tryezë me biznesin të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

“Në karrigen kryesore të ekzekutivit, qëndron Edvin Kristaq Rama.Është ky zotëri që e ka shndërruar këtë Parlament me kriminelët që ka futur në të, nga tempull demokracie në tempull krimi. Se këtu ngado që të hedhësh sytë, të del një si ai për të cilin po mblidhemi . Po më thoni mua çfarë ka më pak udhëheqësi i kanabisit, që zhyti Shqipërinë në kanabisin duke bërë propagandë ta legalizojmë si vëllai i tij Koço Kokëdhima. Çfarë ka më pak Paulin Sterkaj që godet me qytë të revoles në krye të detyrës kryetarin e Partisë Demokratike, çfarë kanë më pak, këta. Ju lutem shumë, çfarë ka më pak ai që i nis avionët bashkë me Mrikën ditë për ditë në Itali dhe e ka bërë Shqipërinë Kolumbi,” tha Berisha.

Duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike (PD), ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se qytetarët e kanë shumë të qartë dallimin mes qeverisë aktuale dhe atyre që qeverisën për 8 vjet.
Tahiri ka thënë nga foltorja e Kuvendit se Qeveria dhe kryeministri nuk u shmangen përgjegjësive të tyre, ashtu sikurse bëri Berisha në kohën e tij.

“Ju kur ishit në qeveri nuk e bëtë të njëjtën gjë. Mjafton t’ju kujtoj këtu që një deputet juaji qëlloi me armë në mes të stadiumit. E fshehët, e fshehët dhe as e morët në hetim dhe madje as guxuat të jepnit përgjigje këtu në parlament. Ky është qëndrimi i qartë i qeverisë, i mazhorancës për të mos njohur askënd mbi ligji, sepse barazia para ligjit është kusht themelor për të qeverisur këtë vend dhe për të bërë Shqipërinë një vend shumë më të drejtë,” tha ministri Tahiri.

Ndërkohë ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka debatuar edhe me deputetin e PD-së, Edi Paloka, për dëshminë e ish shefit të antidrogës Dritan Zagani i cili akuzon qeverinë dhe ministrin Tahiri se bashkëpunon me trafikantët. Tahiri nuk i pranoi këto akuza, ndërsa i tha Palokës se PD e ka ‘blerë’ dëshminë e Zaganit me një tokë në Orikum.

Lajme të ngjashme

Back to top button