BFI-ja në kolaps

Atëherë kur ne, një grup teologësh të vendit, i dolëm në mejdan Sulejman Rexhepit, duke kërkuar prej tij që të kërkonte falje publike për sharjet e pista që ua adresoi nënave dhe grave të hoxhallarëve të vendit, pak kush nga kolegët tanë besonin se heshtja para këtij gjesti të uzurpatorit të postit të Reisit do të shndërrohej në një mallkim të rëndë mbi Institucionin e BFI-së. Që kur ekziston ky Institucion asnjëherë nuk kanë qenë kaq shumë të degraduar organet e tij, asnjëherë si sot hoxhallarët e vendit nuk kanë qenë kaq shumë të shashtrisur, asnjëherë si sot nuk ka qenë kaq turp i madh të deklarosh se je nëpunës apo funksionar i BFI-së. BFI-ja për momentin është para një kolapsi total, i ka ngelur hija e firmës private të Sulejman Rexhepit dhe familjes së tij.

Jo më shumë se katër muaj më parë, atëherë kur i dolëm karshi kësaj të keqeje kaq të madhe, “Rijaseti”, respektivisht kolegët tanë (të cilëve qysh atëherë iu pata drejtuar me një letër të hapur) mblidheshin nëpër mbledhje sa here që i thëriste Sulejman Rexhepi për ta mbrojtur postin e uzurpuar djallëzisht. Koha e sotshme po dëshmon se paskemi pasur plotësisht të drejtë, koha po dëshmon se kolegët e mi paskan qenë në lajthitje të madhe. Po tani pse po flenë gjumë? Sërë skandalesh shpërthyen mbi kurriz të BFI-së. BFI nuk është vetëm godina e saj, por janë të gjithë myftinitë dhe zyrat koordinuese, janë institucionet arsimore etj. Skandalet e një pas njëshme flisnin se uzurpatori i BFI-së në fakt është një hajn i rexhur, se ka ndërtuar një klikë të vet për ta degraduar deri në mjerim Institucionin tonë, u publikuan dhjetëra raste që e dëshmojnë këtë të vërtetë, u publikuan dhjetëra raste që flisnin për nepotizëm të Sulejman Rexhepit, për kriminalizimin e BFI-së, për ngritjen e një klani mafioz që do të punojë ekskluzivisht në të mire të Sulejman Rexhepit; pastaj nisën të publikohen fakte e dokumente që flasin për fytyra të ndryshme të këtij fare uzurpatori të postit të Reisit, deri te fytyra e bashkëpunëtorit të shërbimeve sekrete policore.

U publikun fakte se si punëson duke i shkelur ligjet përkatëse, njerëz ekspertë për të vjedhur haxhin, publikohen bisedat se si duhet të vidhen të hyrat që vijnë nga haxhi e që i dedikohen avancimit të jetës fetare islame në vend, u publikuan fakte mbi tjetërsimin e vakëfit deri te gatishmëria e tij që në emër të Institucionit ta përbaltë krenarinë e Kombit tonë, UÇK-në. Kush janë ato organe të BFI-së që janë në gjendje ta durojnë këtë përgjegjësi historike të shkaktuar nga i papërmirësueshmi Sulejman Rexhepi? Kush janë ata myfti që me heshtjen e tyre në fakt solidarizohen me tërë këtë krim e këso skandale të Sulejman Rexhepit? A janë të vetëdijshëm udhëheqësit e këtyre organeve të BFI-së se, tashmë nuk bëhet fjalë këtu vetëm për nderin dhe fytyrën e Sulejman Rexhepit dhe të familjes së tij por se kjo e zezë po e përbalt edhe fytyrën e tyre.

Po si asnjërit prej kolegëve të mi nuk i shkoi në mend të paktën të shprehte padëgjueshmërinë e organit, apo mosbindjen ndaj “kryetarit” fals të tyre! Është çasti i fundit që myftitë të mbledhin Rijasetin dhe të debatojnë mbi fatin e mëtejë të BFI-së, të këtij Institucioni shekullor. Ashtu siç mblidheshin në të kaluarën e afërt, krejt në mënyrë spontane. Prononcimet publike të organeve të BFI-së duke shprehur mosbindje apo edhe kërkesë për largim të Sulejman Rexhepit nga BFI-ja, nuk është krim, nuk është kurrfarë akti kundër BFI-së. A po e shikoni se e ka privatizuar dhe e ka personalizuar kaq shumë BFI-në Sulejman Rexhepi!

BFI janë organet, janë institucionet dhe jo një individ, aq më pak një individ i zhveshur deri në palcë, i shndërruar në një shkatërrues të përbetuar të BFI-së. Prononcimet e tilla në fakt vetëm sa do ta shpëtonin këtë Institucion nga rrënimi deri në themel. Kjo është ajo përgjegjësi kryesore e çdo organi, e çdo funksionari që vihet në krye të organeve. Ky është hapi më patriotik dhe më fetar i çdo bartësi të funksioneve udhëheqëse të organeve të BFI-së dhe nuk është “për betimi” për ta mbrojtur shkatërruesin i cili qëllimet e veta i fsheh pas kinse unitetit të BFI-së. Nuk ka unitet më të fuqishëm se sa ajo kur në union i thuhet të keqes MJAFT! Të gjithë ata që janë në gjendje që edhe më tej të vihen në mbrojtje të atij që nuk mund të mbrohet para akuzave dhe fakteve se është hajn, se është kleptoman, se është bashkëpunëtorë i shërbimeve policore, se e vjedh vakëfin se e përbaltë krenarinë e Kombit, UÇK-në, le të vazhdojnë dhe le ta përkrahin, por, nesër mos të përpiqen të shfajësohen duke thënë “nuk e kemi ditur”! Gjithçka po dihet, gjithçka është e qartë si dielli në ditë. Në këtë rast, kërkimi eventual i faljes nga ana e “funksionarëve” aktualë, anëtarë të “Rijasetit”, do të jetë shumë i vonshëm dhe si i tillë i papërfillshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button