Ndërtesë e re e stilit barok në Shkup, me kosto 7 milionë euro

Sot është vendosur gurthemeli i ndërtesës së re administrative e cila do të ndërtohet afër objektit të Operas dhe Baletit të Maqedonisë në Shkup. Gjatë vikendit është bërë prerja e drurëve të cilët ndodhen në parkun afër hyrjes së OBM-së. Prej sot kanë filluar punimet për ndërtimin e ndërtesës së re administrative të stilit barok, e cila do të zë hapësirë 10.179 metër katrorë dhe do të shërbejë për zyra pune për të punësuarit e institucioneve shtetërore, njofton A1on.

Investues i kësaj ndërtese është grupi aksionar për menaxhimin e pronave komerciale dhe banesore. Ndërtesa do të ketë kat përdhese, shtatë kate dhe tavan. Projekti është punuar nga studio “Arhitektonika” nga Shkupi ndërsa autor i saj është Zharko Çaushevski. Nuk ka më shumë informata se pse ndërtesa e re e projektit “Shkupi 2014”, plotësisht do ta mbulojë objektin e OBM-së.

Ky projekt do të kushtojë afërsisht 7 milionë euro, ndërkaq do ta ndërtojë ndërmarrja ndërtimtare “Dekon-Kom” nga Shkupi.

Lajme të ngjashme

Back to top button