Shkup, çmime mjaftë të shtrenjta të drurit për ngrohje

Duke e pasur parasysh interesin e qytetarëve të cilët gjatë dimrit ngrohen me dru, Portalb këtë javë ka dalë në terren për ta parë çmimin e drurit për ngrohje nëpër ndërmarrjet private të Shkupit. Sipas asaj që mundëm të shohim dhe të dëgjojmë nga ndërmarrësit, çmimet sivjet janë mjaft të shtrenjta. Të punësuarit nëpër ndërmarrjet për shitjen e drurit për ngrohje, nuk donin të prononcoheshin për media nga frika e inspektorateve dhe kontrolleve të ndryshme, megjithatë ne me to zhvilluam disa biseda private. Edhe ata ankoheshin për çmimet, por sipas tyre, mungesa e furnizimit të drurit për ngrohje, ka shkaktuar ngritje të çmimit në treg.

Nëpër ndërmarrjet e Shkupit, 1 mdru për ngrohje i llojit dushk kushton 3700 denarë, ndërkaq ai i ahut 3600 denarë. Shitësit e drurëve për ngrohje, thonë që ky çmim është prej muajit të pestë dhe nuk ka ndryshuar, ndërkaq vjet ka qenë më lirë. Sipas  tyre, vjet këtë çmim druri e ka pasur diku në muajin e dymbëdhjetë, ndërkaq sivjet ende pa hyrë mirë sezoni i dimrit ai e ka arritur atë çmim.

Paralajmërojnë se në muajt në vijim pritet që të rritet edhe më shumë çmimi i drurit për ngrohje.

Qytetarët vlerësojnë se druri për ngrohje sivjet është shtrenjtuar shumë dhe se për standardin e R.M.-së është e tepërt. Në një prononcim për Portalb Fatlum Aliu, banor i Haraçinës së Shkupit, vlerëson se çmimi i drurit për ngrohje sivjet është rritur shumë.

“Është e tepërt, për standardin dhe popullatën tonë, kjo është e tepruar. Të paktën çmimin e drurit për ngrohje duhet ta zbresin për familjet  që kanë të ardhura mujore shumë të ulëta ose për ata që s’kanë fare. Nuk ka mundësi me një ndihmë sociale të blejë 1metër dru afërsisht 4000 denarë, të cilat ndoshta as për një muaj nuk i dalin”, ka thënë Aliu për Portalb.

Nga ana tjetër, Ndërmarrja Publike e Pyjeve të Maqedonisë, e ka shpallur njoftimin për shitjen me pakicë të drurit për ngrohje për personat dhe subjektet juridike. Sipas njoftimit, NPPJM, ndërmarrësve 1 mdru për ngrohje të llojit të dushkut ua shet për 2900 denarë, ndërkaq 3000 denarë atë të llojit të ahut. /Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button