Qëndrimet e tyre gazetarët t’i shprehin në rubrikën “opinione”, e jo te lajmet

[Recension: BDI do të jetë fitues absolut i zgjedhjeve në prill 2016]

Teksti që po recensojmë, më shumë ngjason me një demant ose reagim partiak se sa një lajm që informon publikun saktë. Në tekst ka qëndrime që qartësisht interpretohen si personale të autorit ndërkohë mungojnë burimet.

Një portal fantom botoi dje i pari një anketë të rrejshme të IRI e cila u demantua menjëherë nga organizata amerikane.  Por, më shumë se sa për ta pasqyruar gjendjen e manipuluar tek kampusi politik shqiptar, kjo anketë e manipuluar kishte për qëllim që të pasqyron gjendjen midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.

BDI do të jetë fitues absolut i zgjedhjeve në prill 2016Linku deri te artikulli origjinal: Recension: BDI do të jetë fitues absolut i zgjedhjeve në prill 2016

Data dhe koha e publikimit: 02.09.2015

Data e recensionit: 03.09.2015

Recensues: Adrian Kerimi

Në tekst lexohet menjëherë qëndrimi personal i autorit. Kjo do të ishte në rregull nëse teksti do të botohej në rubrikën opinione, apo dhe qëndrim i redaksisë, por jo nëse botohet si lajm. Lajmi ka rregullat e qarta se si shkruhet, në të cilin citohen burime, merren reagime nga palët dhe ku opinioni i gazetarit nuk dominon. Gazetari nuk guxon të luajë rolin e ekspertit politik duke dhënë qëndrimet e tij në një lajm. Gazetari, në këtë rast lexuesit, nuk i mundëson informimin e duhur. Në paragrafin e mëposhtëm përmendet edhe opozita, nga e cila nuk ka asnjë qëndrim.

Por edhe sipas kësaj ankete të manipuluar, del se edhe në rast se të gjitha partitë opozitare shqiptare bashkohen në një listë të vetme, BDI do të ngadhënjejë mbi të gjithë ata bashkë dhe do të del partia e parë shqiptare në Maqedoni. Ky rast ngjason edhe me anketën paraprake të IRI në gjysmën e parë të këtij viti që dëshmoi se BDI prin 3:1 me një ndaj opozitës e cila sipas organizatës amerikane nuk ka asnjë gjasë të ngadhënjen mbi partinë më të madhe shqiptare.

Autori në tekst e merr si të mirëqenë faktin s lexuesi duhet të dijë çështjet dhe terminologjinë që ai përdor. Por teksti do të duhej të ishte më shumë sqarues për shembull: Çfarë është 24 prilli? Autori nuk shpjegon se si janë përcaktuar zgjedhjet e 24 prilli dhe a janë zgjedhje normale apo të parakohshme?!

Nga këto paralajmërime, shihet se beteja do të zhvillohet se kush do ta përfaqëson opozitën shqiptare pas zgjedhjeve të 24 prillit të vitit të ardhshëm.

Hamendja tjetër që lexuesit i krijohet kur lexon një tekst jo të plotë si ky, janë termet si: anketa dhe IRI. Autori nuk shpjegon në tekst se çfarë është IRI, çfarë ankete ka realizuar në Maqedoni apo dhe vendosjen e linqeve që çojnë deri tek ajo anketë. Gjithashtu gazetari nuk ka kërkuar qëndrim as nga BDI në emër të së cilës flet por as nga opozita për të komentuar përfshirjen e tyre në tekst. Nuk ka as të cituar apo lexuesi të kuptojë se janë konsultuar ekspertë të fushës, të cilët e njohin çështjen e anketave dhe rejtingut të partive politike. Titulli i vendosur në këtë tekst më shumë ngjason si bindje personale se sa informues për përmbajtjen e tekstit.

Teksti në fjalë do të duhej të fokusohej në faktin se anketa e IRI-t nuk ekzistonte, të informonte publikun se bëhej fjalë për një mashtrim dhe çdo supozim se pse është bërë kjo do të duhej të mbështetej në reagime dhe burime konkrete. Si i tillë teksti është thjesht koment i autorit që e ka bërë.

Lajme të ngjashme

Back to top button