fbpx

Ajlani dhe dilemat etike të globalpolitikës

“Kishte një emër: Ajlan Kurdi. Tani duhet veprim emergjent”

(Manuel Valls, kryeministër i Francës)

Karta e Kombeve të Bashkuara, nënshkruar më 26 qershor 1945 në San Francisko dheqë ka hyrë në fuqi më 24 tetor 1945, në Perambulën e saj thotë: “Ne popujt e Kombeve të Bashkuara, të vendosur t’i mbrojmë brezat e ardhshëm nga kamxhiku i luftës, i cili në ditët tona ka sjellë dy herë vuajtje të pathëna mbi njerëzimin,  ta forcojmë sërish besimin tonë në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerat e personalitetit njerëzor, në barazinë mes burrit dhe gruas si dhe mes gjithë kombeve, qofshin këto të mëdha a të vogla,…” Tre vite më vonë, më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, ku mes tjerash gjejmë edhe këto nene: Neni 3. “Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak.” Neni 5. “Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues.”

Në letër gjithçka duket ideale, por realiteti global, i gjendjes në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës sonë sikur 100 % i vërteton fjalët e Kofi Annanit, i cili duke e pranuar Çmimin Nobel për Paqë mes tjerash ishte shprehur: “Bota ka hyrë në mijëvjeçarin e tretë përmes një dere të zjarrit”. Vërtet botës po i shkon flaka. Krimet më të rënda janë duke ndodhur, format më barbare të ekzekutimit po aplikohen, bomba hidhen nëpër zona banimi, nëpër tregje, jeta e një njeriu është bërë një hiç. Njerëzit në panik lëshojnë vendin duke kërkuar shpëtimin nga tmerri, nga lucifer-liderët dhe armada e tyre gjakatare. Lindja e Mesme dhe bota islame janë bërë simboli i dhunës qoftë individuale, grupore apo zyrtare-shtetërore, të paafta përvetëkontroll dhe vetëmenaxhim. Ndërsa pjesa tjetër e botës, ajo e qytetërimit iluminist po bën sehir. Pranvera arabe u shndërruar në ferr arab. Madhorët e politikës botërore organizojnë takime, samite, bëjnë fotografi kolektive, pa ndërmarrje konkrete, pa hapa realë. Ndërgjegjja e politikës planetare sikur ka vdekur. Këtë më së miri e tregoi fotografia e Ajlanit në brigjet e detit Egje, në Bodrumin e jet setit, e çmendurive dhe zdërhalljes së aristokracisë turke dhe botërore.

Realiteti i refugjatëve apo emigrantëve nga Siria dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme flasin për një krizë të rëndë moralo-etike, për një politikë globale që ndjek atë që ndodh sikur në arenat e Romës antike. Tanimë nga fotografia e ndodhive në Siri-Irak shohim se nuk respektohen as obligimet negative të shteteve, paradigmë kjo sipas të cilës gjitha shtetet marrin mbi vete detyrimin që asnjëherë s’do t’i bëjnë, madje edhe in extremis, se do t’u shmangen veprimeve në vijim si agresioni, gjenocidi, pastrimi etnik, ekocidi, ose veprimeve që “shokojnë ndërgjegjen e njerëzimit”, se nuk do të robërojnë, se nuk do të lënë pa ngrënë, se nuk do të torturojnë, nuk dëbojnë ose  masakrojnë popullatën e vet ose të huaj.

Në këtë kontekst, parimi i sovranitetit është gjithmonë subjekt i shqyrtimit moral. Sedra humane mes tjerash pyet: ku mbeti parimi R2P (right to protect), përgjegjësia për të mbrojtur ata që janë në gjendje pa rrugëdalje, që kridhen në katrahurat e makinerive të krimit. Megjithëse se respekti ndaj sovranitetit shtetëror mbetet parim qendror në marrëdhëniet ndërkombëtare, “sovraniteti” nuk mund të qëndrojë jashtë perspektivës morale, nuk mundet që një gjeografi të shndërrohet në skenë të apokalipsës së shkaktuar nga dora njerëzore dhe gjendja të arsyetohet me paprekshmërinë e sovranitetit. Ndërkohë, interesat politike duhet të lihen jashtë kur bëhet fjalë për njerëzimin dhe vlerat themelore të mbrojtura nga të gjitha dokumentet madhore historike.

A nuk mjafton pamja e fëmijës së pafajshëm fotografuar nga Nilyfer Demir, që e bashkoi opinionin publik botëror për fatin tragjik të botës orientale. Ajlani (3), vëllai Galip (5) dhe nëna Rejhan janë tre viktimat e barbarisë moderne, të spektatorësisë së vendimmarrjes globale, të deeticizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ne nuk besojmë se politika dhe morali janë oksimoronë siç thotë Pearcy Cradock. Ne nuk besojmë as në pohimin tjetër se politika është biznes (punë) i fëlliqur (dirty businness). Ne besojmë se ka njerëz si Jacques Le Goff i cili mes tjerash pati pohuar se Evropa nuk duhet të përfaqësojë përparim politik e moral vetëm për evropianët, por për gjithë njerëzimin. As vetëm për perëndimorët, por për mbarë racën humane. Njeriu para së gjithash është njeri, më pas vijnë shtresat tjera identitetare.  Meqë është ashtu atëherë, pak empati, dhimbja është dhimbje, ta ngulim një gjilpërë në pëllëmbën tonë dhe t’i masim pasojat. Ajlan Kurdi nuk la të qetë shpirtërisht asnjë njeri me ndërgjegje të gjallë. Ndër ta edhe Bono i U2, i cili në një koncert të këtyre ditëve të mbajtur në Torino të Italisë vargun “One man washed up on an empty beach” (Një njeri është shfaqur në një plazh të zbrazur) e ndryshoi në “One boy washed up on an empty beach….” (Një djalë është shfaqur në një plazh të zbrazur). Mediet europiane me titujt e tyre pickuan vetëdijën e kontinentit të vjetër: “Gjendja është “e padurueshme” (The Daily Mirror). “Bregdeti në të cilin vdiq Evropa” (La Stampa) “Njerëzishmëria e nxjerrë në breg!”  (Deutsche Welle) “Shkatërrimi i Evropës. Deri kur do të duroni?” (El Periodico) Ku jemi ne. Çfarë bëjmë për të penguar shfaqjen e rasteve të ajlanëve të ardhshëm? Ku janë ata që protestojnë për dëmtimet botës animale që nuk ngrenë zërin karshi terrorit që çdo ditë shfaqet para syve të botë? Sa veta kanë kumtuar: Je suis Aylan!

Deti nuk nxori vetëm trupin e pajetë të një fëmije. Nxori në shesh indolencën e lidershipit global ndaj një tragjedie që është atje, por që nesër mund të ndodhë diku tjetër, sepse e keqja mund të metastazojë në trupin e gjithë humanitetit. Andaj: Ndërprejeni këtë tragjedi sa s’është bërë tepër vonë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button