ANALIZË: Çfarë tha FMN-ja për borxhin e Maqedonisë?

Konsolidim urgjent fiskal, racionalizim i shpenzimeve që lidhen veçanërisht me zërin për mallra dhe shërbime. Këtë vit, edhe pas rebalancit të buxhetit, ka mundësi për thellim të ri, edhe më të madh, të deficitit buxhetor. Komuniteti afarist konsideron se raporti i ri i FMN-së, që e skenon gjithë ekonominë, duhet të merret seriozisht, njofton Portalb.mk. Ekonomistët i përmendin vërejtjet në lidhje me borxhin publik, i cili arriti në vlerën prej 3,9 miliardë eurosh.

Borxhi publik patjetër duhet të zvogëlohet…

Një pjesë e komunitetit afarist vlerëson se raporti i ri i FMN-së përmban rekomandime dhe vlerësime serioze që nuk mund të injorohen, veçanërisht në pjesën e borxhit publik, gjegjësisht shpenzimeve buxhetore që lidhen me projektet joproduktive. Përgjegjësinë për vlerësime e këtilla, duhet ta mbajnë njësoj të dy partnerët e koalicionit në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, thotë Nebi Hoxha nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

“Gjithsesi, të dy partnerëve të koalicionit njësoj u takojnë edhe lavdërimet edhe kritikat që janë përmendur në raportin e FMN-së”, thotë Hoxha dhe thekson se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore vazhdimisht bën thirrje për shpenzim racional të parave buxhetore, shumica e të cilave, sipas Hoxhës, shpenzohen dhe ndahen sipas çelësit etnik.

Në versionin e detajuar të raportit, një pjesë e madhe e rekomandimeve kanë të bëjnë me borxhin publik. Bordi i drejtorëve të FMN-së kërkon konsolidim urgjent të financave publike, njofton Portalb.mk.

“Hapësira fiskale që u ndërtua gjatë viteve para krizës në masë të madhe është shterrur prej vitit 2008 e këndej. Bashkërisht me benificionet nga rritja e fuqishme ekonomike, Maqedonia krijoi hapësirë të madhe fiskale në vitet para krizës financiare botërore duke mbajtur një pozitë të balancuar fiskale dhe hyri në krizë me njërën nga përqindjet më të ulëta të borxhit të përgjithshëm të qeverisë dhe të PBB-së në krahasim me vendet e tjera evropiane. Prej vitit 2008, ndodhi një ndryshim si rezultat i mbështetjes fiskale për ekonominë, por edhe për zgjedhjet politike dhe të hyrat e ulëta”, thuhet në raport dhe shtohet:

“Konsolidimi fiskal duhet të jetë prioritet. Borxhi shtetëror në raport me PBB është rritur pothuajse dyfish që nga viti 2008. Në dritën e këndelljes ekonomike, ka rreziqe me të cilat ballafaqohet ekonomia, ndërsa konsolidimi fiskal duhet të përforcohet”.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë për Financa, borxhi i përgjithshëm publik është 3,9 miliardë euro ose 43,7% dhe në shtatë vitet e fundit ai është në rritje të vazhdueshme. Ekspertët ekonomikë të vendit vazhdmisht tërheqin vërejtjen për dy gjëra që janë kyçe për marrjen e huave. E para, me çfarë tempo ngarkohet me borxhe Maqedonia, dhe e dyta, ku harxhohen ato para.

Ngarkesa me borxh duhet të analizohet në pako me pritjet për rritjen ekonomike, gjegjësisht, sa do të rritet ekonomia, e me këtë edhe sa do të jetë e aftë financiarisht t’i kthejë borxhet. Me përqindjet aktuale të rritjes së PBB-së, që sillen rreth 3 ose 3,5 për qind, nuk mund të pritet ndonjë përparim i konsiderueshëm as për qytetarët, as për kompanitë, vlerësoi për Portalb para do kohësh afaristi Goran Rafajllovski.

“Maqedonia ka nevojë për përqindje të rritjes ekonomike prej së paku 8% deri në 10%. Mendoj se vetëm këto përqindje do të paraqesin rritje të vërtetë të ekonomisë. Mirëpo, me rëndësi është se ato duhet të mbahen në vazhdimësi, për disa vite me radhë, që qytetarët të ndjejnë standard më të mirë jetësor, ndërsa firmat, kondicion më të mirë financiar, si dhe rritje të kreditimit” – konsideron Rafajllovski.

Sipas një pjese të ekonomistëve që i konsultoi “Portalb”-i, duke gjykuar sipas kritereve të Mastrihtit, Maqedonia akoma është në grupin e vendeve mesatarisht të ngarkuara me borxh, mirëpo pyetja është se cili është kufiri mbi të cilin nuk mund të shkohet.

“Ne nuk duhet më të ngarkohemi me borxh sepse niveli i borxhit publik prej 60% në raport me PBB-në është tepër i madh për Maqedoninë. Poashtu, këtu është edhe dinamika e shpejtuar e marrjes së borxheve. Duhet pasur kujdes për kondicionin e ekonomisë në të ardhmen që në kohë të mund t’i servisojë borxhet”, komentojnë një pjesë e ekonomistëve.

Te rritja ekonomike, FMN-ja përmendi rezultate të mëtutjeshme pozitive, mirëpo të shoqëruara me rreziqe serioze, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme.

“Shmangia nga marrëveshja e paradokohshme politike mund të ndikojë negativisht në klimën dhe rritjen ekonomike. Në afat të mesëm, kjo poashtu mund ta komplikojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, i cili mbetet në qorrsokak tashmë nëntë vite për shkak të kontestit për emrin me Greqinë. Përveç kësaj, përhapja e rreziqeve nga një krizë e vazhduar dhe e thellë në Greqi mund dukshëm ta zvogëlojnë rritjen ekonomike”, thuhet në vlerësimin e FMN-së.

Drejtorët e FMN-së e potencojnë edhe qëllimin e qeverisë që nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese të vendosë kufi maksimal të ngarkesës me borxh.

“Rregullat e planifikuara fiskale që pritet të jenë operative prej 1 janarit të viti 2017, do ta kufizojnë deficitin buxhetor në 3% të PBB-së, ndërsa borxhin publik në 60% të PBB-së. Mirëpo, duke e pasur parasysh kursin e fiksuar të denarit, kufiri më i ulët i borxhit publik do të mundësojë që në Maqedoni të krijohet hapësirë më e madhe fiskale, e cila është e nevojshme për përballim të tronditjeve makroekonomike dhe për absorbimin e presioneve nga konsumimi në afat të mesëm”, thuhet në raport me arsyetimin se pa ndryshime në politikë, deficiti me siguri do të mbetet mbi 3 për qind. Borxhi shtetëror në afat të mesëm do të rritet në 45 për qind të PBB-së deri në vitin 2020. Në aspekt më të gjerë, borxhi i sektorit publik do të arrijë në 54 për qind të PBB-së, njofton Portalb.mk.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, këtë vit pritet rritje prej 3,2%, e cila do të jetë e kushtëzuar nga ndikimet e brendshme dhe të jashtme që kanë të bëjnë me krizën e brendshme politike dhe me krizën ekonomike në Greqi. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button