Gjermanët mirëpresin me ngrohtësi emigrantët

Gjermania dhe Austria mirëpresin mijëra emigrantë në kërkim të strehës pasi rrezikuan jetët e tyre për të mbërritur në Evropë. Shumica e imigrantëve kërkojnë strehim në Gjermani – vendi më i pasur i Evropës – ku sot pritet të mbërrijnë gati 8 mijë imigrantë deri në fund të ditës. Zyrtarët gjermanë kanë thënë se do të pranojnë deri më 800 mijë imigrantë këtë vit.

Emigrantët u pritën me brohoritje në Gjermani; një mirëpritje që i ka prekur emigrantët sirianë.

“Është e mrekullueshme. Ndjehem i sigurtë tani. Më në fund, ja dolëm mbanë.”

“Hungaria ishte e trishtueshme. Policia hungareze shumë e keqe, si policia siriane. Tani jemi të gëzuar.”

Një kontrast i madh me trajtimin e tyre në Hungari, e cila i refuzoi dhe në vijim i dërgoi me autobuzë drejt Austrisë dhe Gjermanisë ku azilkërkuesit po pranohen.

“Autobuzët po vazhdojnë të vijnë në Passau. Po punojmë të gjithë së bashku pasi është një çështje mbarë-gjermane dhe mbart përgjegjësi për të gjithë vendin.”

Gjermania po regjistron çdo person përpara se të çohen në shtëpi për azilkërkuesit në të gjithë vendin. Autoritetet në Bavari shpresojnë që të përfshihen të gjitha landet gjermane për të ndihmuar.

“Dje erdhën në stacion 6800 refugjatë dhe që nga mesnata mbërritën edhe 1200 të tjerë deri në mëngjes. Mendojmë se do vazhdojnë prurjet me të njëjtat përmasa dhe shpresojmë t’ia dalim mbanë t’i menaxhojmë.”

Mendohet se 350 mijë refugjatë dhe emigrantë kanë mbërritur brenda territorit të Bashkimit Evropian gjatë këtij viti.

Ministrat evropianë të mbledhur dje në Luksemburg synojnë të hartojnë një plan për të menaxhuar prurjet masive të njerëzve që kërkojnë një shtëpi të re në Evropë.

“Nuk është emergjencë, por një urgjencë. Sidoqoftë, është diçka që do të vazhdojë. Sa më shpejt ta pranojmë psikologjikisht dhe politikisht, aq më shpejt do të jemi në gjendje të reagojmë me efikasitet.”

28 vendet e BE-së do të mundohen të arrijnë miratimin e një plani gjithëpërfshirës për krizën në takimin e emergjencës që do të mbahet më 14 shtator.

Lajme të ngjashme

Back to top button