SHBA mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Kosova mori edhe një lajm të mirë në prag të mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) që do t’i zhvillojë punimet më 3 tetor.

Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranë UNESCO-s ka mbështetur zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në llogarinë e Misionit të SHBA-së në UNESCO në rrjetin social Tëitter, është postuar një fotografi nga takimi i ambasadores amerikane Crystal Nix-Hines me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi. Në tekst citohet ambasadorja Nix-Hines e cila është shprehur se ka kënaqësinë të ia shpreh zëvendësministrit Selimi mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të aktiviteteve lobuese për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, zëvendësministri Selimi është takuar më përfaqësues të delegacioneve të 18 shteteve anëtare të UNESCO-s gjatë 3 ditëve të fundit, raporton lajmi.net.

Kohë më parë, zëvendësministri Selimi kishte nënvizuar se “anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ishte fitorja më e madhe e diplomacisë kosovare, që nga shpallja e vendimit të GJND-së.

Me anëtarësim në UNESCO do të hapeshin dyert për Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe aderimin e Kosovës në shumë konventa të OKB-ës, dhe se zëri ynë, përnjëherë do të ishte shumë i rëndësishëm në agjencitë e tjera të OKB-së”, kishte thënë ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button